Shpejtësia, teknika dhe vetësakrifikimi për skuadrën janë armët më të forta të Arjen Robben, holandezit që mori për dore tulipanët në Botërorin e Afrikës së Jugut deri në finalen e madhe, të cilën nuk arriti ta kurorëzonte me sukses. Ai është hero kombëtar në Holandë dhe një figurë e mirënjohur për të gjithë fansat në Europë për suksesin që ka patur, duke luajtur me skuadra si Chelsea, Real Madrid dhe Bayern Munich. 30-vjeçari, një nga lojtarët më të mirë në botë, në karrierën e tij ka njohur ulje dhe ngritje. Robben dështoi për të shënuar në një rast kyç kundër Spanjës në finalen e Afrikës së Jugut, por ai u ringrit menjëherë dhe nuk mund të kishte bërë punë më të mirë për të shlyer gabimin e tij sesa dy golat e shënuar kundër Spanjës në çeljen e këtij Botërori. Ai u shpreh për “Daily Mirror” se kjo ngjarje do të ishte pjesë e tij për gjithë jetën, por që ai dhe skuadra e tij janë të vendosur për ta udhëhequr Holandën drejt titullit kampion në Brazil.
Robben aktualisht luan për skuadrën legjendare të Bayern Munich, e cila ka fituar më shumë kampionate kombëtare se çdo skuadër tjetër në Gjermani. Holandezi ka luajtur dy sezone me Real Madridin para se të transferohej në Munich për shumën e 22 milionë eurove në vitin 2009. Veç sfidave të shumta në fushë, Robben është ndeshur edhe me një sfidë tjetër jashtë saj. Në vitin 2004, kur tulipani po ngjiste hapat e karrierës tek Chelsea në Premier Ligën angleze, doktorët diagnoztifikuan një gjëndër në testikulin e tij të majtë, që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Kjo ishte një eksperiencë shumë e hidhur për lojtarin. Robben u shpreh kështu për Daily Mail: “Ajo periudhë e jetës sime ishte e tmerrshme. Nuk e dija se ç’do të ndodhte me mua. Bëra ndërhyrjen dhe marrja e përgjigjes pozitive ishte goxha lehtësim për familjen time. Futbolli është jeta ime, por në atë kohë gjëja më e rëndësishme ishte shëndeti im dhe i të dashurve të mi”. Ai tashmë ka kaluar gjithçka dhe ka pasuruar me suksese palmaresin e tij, ku ka fituar gjithçka. Robben është i martuar me Bernadien Eillert, të cilën e ka njohur që në periudhën e gjimnazit. Çifti ka dy djem, Luka dhe Kai, si dhe një vajzë me emrin Lynn.