Risia ne Kategorine e Pare ndeshjet transmetohen nga TVSH

Risia në Kategorinë e Parë, ndeshjet transmetohen nga TVSH

Risi në Kategorinë e Parë. Kampionati i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas atij të Superiores, do të transmetohet në televizion duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Do të jetë Televizioni Publik Shqiptar ai që do të bëjë të mundur që edhe takimet e këtij kampionati të shihen drejtpërdrejt.

Luftëtari

Tashmë, pas Superiores që ka disa vite që transmetohet nga platforma "Supersport", edhe tifozët dhe ndjekësit e Kategorisë së Parë do të kenë mundësi ta ndjekin atë në televizion. Marrëveshja është arritur dhe pritet vetëm firma nga ana e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, diçka vetëm proceduriale. Lajmin e ka konfirmuar dje shefi i Garave pranë FSHF-së, Lysjen Nurishmi.

beslidhja-kamza

"Do të kemi një risi. TVSH ka bërë një kërkesë pranë FSHF-së, për të pasur të drejtën e transmetimit jo të plotë të ndeshjeve të Kategorisë së Parë. Të transmetojë 2-3 ndeshje të rëndë- sishme në javë. Kjo na jep edhe ne mundësinë e monitorimit të ndeshjeve 'live' dhe ndihmon duke i bërë një reklamë dhe pasqyrim sa më të mirë edhe Kategorisë së Parë", tha Nurishmi në një prononcim video në faqen zyrtare të Federatës.

Risia

Gazeta "Panorama Sport" ka arritur të zbardhë skemën se si do të funksionojë transmetimi i ndeshjeve të Kategorisë së Parë. Marrëveshja është arritur për 5 vitet e ardhshme. Takimet e këtij kampionati janë luajtur deri tani në 90% të rasteve në të njëjtën ditë dhe orar. Kanalet lokale të TVSHsë në disa rrethe kryesore do të transmetojnë takimet që luhen aty çdo javë. Ndërsa, kanalet kryesore në qendër do të japin 2 ose 3 takimet më të rëndësishme të javës.

kastrioti-korabi-470x351

Nëse FSHF e shpërndan kampionatin në disa ditë, atëherë TVSH do t'i transmetojë thuajse të gjitha ndeshjet. Tashmë, do të jetë Federata që do të përcaktojë kalendarin mbi bazën e të cilit do të bëhet i mundur edhe transmetimi i ndeshjeve. Mësohet se marrëveshja mes palëve është arritur për një shumë financiare simbolike. TVSH edhe gjatë sezonit të kaluar transmetoi disa ndeshje të Kategorisë së Parë, ndër to edhe finalen për titullin kampion mes Luftëtarit dhe Korabit.

BESAR BOZGO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama