Tifozë të ngazëllyer shqiptarë dhe padyshim mediat, autoritetet dhe familjarët i pritën si heronj në Aeroportin e Rinasit, ndërsa ata dolën nga sektori i “Vip”-ave, ashtu siç edhe janë në të vërtetë. Kampioni i Europës, Erkand Qerimaj, rrëfeu momentet e shpalljes si më të mirin në kontinent, duke premtuar se do të synojë të njëjtin sukses në Olimpiadën e Londrës këtë verë. “Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme ajo e fitores së titullit Europian për Shqipërinë, tha ai, një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë, por që ndihet në trup. Ndihesh ndryshe kur je në krye të Europës”. Më tej, 23-vjeçari theksoi se kishte pasur besim në vetvete për suksesin. “Kisha shumë besim, pa asnjë diskutim, e dija se isha në gjendje të mirë, shpjegon, edhe kur gabova në provën e dytë (në shtytje), e shpreha me veprim dhe me fytyrë mendimin se ‘do të kthehem sërish’. U ktheva dhe fitova”.
Më pas kampioni i ri i Europës rrëfen edhe emocionet. “Janë disa emocione që nuk shpjegohen me fjalë. Sidomos kur mendoja se ky sukses erdhi në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndjenja se ke triumfuar kur ke pasur përballë gjithë Europën”, nënvizon kampioni. Pas Antalias është radha e Londrës dhe Lojërave Olimpike. Medaljet janë një ëndërr e madhe për peshëngritësit që premtojnë maksimumin. “Është përpara olimpiada, u premtoj të gjithëve që do të impenjohem edhe më tepër. Do të jap maksimumin tim, por të shohim, t’ia lëmë kohës, sepse unë nuk jap deklarata përpara garave”, u shpreh Qerimaj. Nuk fsheh lotët dhe emocionet Romela Begaj, nënkampione e Europës. Por peshëngritësja ndihet e vjedhur. Vendimi për një faull teknik i gjyqtarëve i hoqi nga duart titullin kampion në dygarësh. Romela Begaj nuk e heq dot mendjen nga prova që do t’i kishte dhënë medaljen e artë dhe që nuk ia quajtën. “Në veten time, unë ndihem kampione e Europës, u shpreh Romela, e cila me zor i mbante lotët, unë e bëra timen dhe duhej që drejtuesit tanë të kishin qenë më të kujdesshëm pranë gjyqtarisë. Doja ta ngrija flamurin shqiptar (në vend të parë), por nuk ia arrita.
Nuk ishte për fajin tim. Tani, shpresoj që të dal më mirë në olimpiadë”. Nënkampionia e Europës theksoi: “Nuk jap premtime, por Romela do të bëhet e fortë. Do e ngre flamurin”. Suksesi në Kampionatin Europian është një premisë e mirë dhe shton optimizmin te Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi. “Shqipëria zuri vendin e katërt sa i takon numrit të medaljeve. Mendoj që ky rezultat nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri. Pse jo, pas 63 vjetëve themelimi të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ne nxjerrim për herë të parë një kampion Europe”, u shpreh Ademi. Në Europian, u mor edhe medalja e bronzit nga Daniel Godelli, një vend i katërt nga Briken Calja dhe një vend i tetë nga Fetije Kasaj, ndërsa kombëtarja realizoi synimin për t’u përfaqësuar në Lojërat Olimpike në Londër, jo vetëm me meshkujt, por edhe me femrat.











