Qendra e Kinematografise pas nje viti shterp nis prodhimin e filmave

Qendra e Kinematografise pas nje viti shterp nis prodhimin e filmave
Buxhetet kanë rrezikuar këto dy vitet e fundit projektet e reja filmike të mbështetura nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Për shkak të borxheve të trashëguara nga projektet e miratuara dy vite më parë, kjo qendër nuk guxoi vitin e kaluar as të marrë në shqyrtim projektet e reja filmike. Por pas një viti shterp kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë deklaroi dje se për katër filma artistikë do të fillojnë xhirimet me mbështetjen financiare të kësaj qendre.

“Nëse do të ecin planet sipas këtij parashikimi, do të kemi xhirimin e katër filmave artistikë të gjatë, që për mua është një gjë e papritur dhe shumë e mirë, është një vit shumë i suksesshëm. Do të kemi parasysh që janë projekte që janë shtyrë me vite”, tha për mediat kryetari Artan Minarolli. 15 milionë lekë për çdo projekt, është financimi modest i QKK-së për këta filma, që pjesën tjetër të buxhetit për realizimin e filmit do ta sigurojnë nga bashkëprodhimi me kompani private ose të huaja filmike. “Nuk kanë qenë mundësitë që fondet të jepen aq sa duheshin, sepse janë shumë, janë 3-4 filma në xhirim.

Zakonisht vitet e tjera xhirimet e tjera i kanë marrë të plota fondet për periudhën e xhirimit, sepse duhet të kemi parasysh që bëhen me bashkëprodhues, jo vetëm me kontrata mes nesh dhe  produksionit shqiptar, por dhe kontrata të bashkëprodhuesve të huaj”- shton Minarolli.  Projektet fituese që pritet të realizohen janë të regjisorëve Gjergj Xhuvani, Fatmir Koçi, Namik Ajazi, dhe Iris Elezit e cila ne fakt fitoi vitin që shkoi një pjesë të financimit për filmin e saj “Bota” nga “EuroImage”.

Projektet filmike që do të fillojnë punën në sheshxhirim në fakt janë projekte të miratuara nga vitet e kaluara, por që kanë mbetur “stok” për mungesë fondesh. Projekti i regjisorit Gjergj Xhuvani për filmin “Engjëjt janë larg”, fitoi në vitin 2011 financimin nga QKK dhe pas dy vjetësh në letër ky projekt do të mund të realizohet brenda këtij viti. Skenari i filmit është bazuar në romanin me titull “Dashuria dhe rreckat e kohës”, e shkrimtares Anilda Ibrahimi. Kjo është historia “e pamundur” e dashurisë mes një serbi dhe një shqiptareje gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Edhe projekti i regjisori Fatmir Koçi, me filmin “Anglia në çatinë time”, është trashëguar nga vitit 2011 dhe rrëfen një tjetër histori dashurie të një të riu shqiptar që ëndërron një të ardhme më të mirë për veten e tij dhe këtë mendon se do ta gjejë në Angli. “Djali i gjakut”, me skenar të Ruzhdi Pulahës dhe regji të Namik Ajazit është projekti fitues i vitit 2009, një produksion shqiptaro-italian, që e ka fillesën që në një marrëveshje të firmosur nga drejtori i Festivalit të Filmit për fëmijë, “Giffoni”, Carlo Gubitosi dhe kryetarit të QKK-së, Xhevdet Ferri.

Ky është i vetmi film për fëmijë që mbështetet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në këta 23 vjet dhe i pari që realizohet pas viteve ’90. Siç dhe mund të merret me mend nga titulli, “Djali i gjakut” është një film i cili merr shkas nga tema e gjakmarrjes. Filmi ka në qendër dy të rinj, dy nxënës të shkollës së mesme, familjet e të cilëve hyjnë në hasmëri me njëra-tjetrën. Për t’i shpëtuar këtij zinxhiri vrasjesh, njëri prej tyre arratiset drejt Italisë. Për vitin 2013 pritet të realizohen edhe katër filma me metrazh të shkurtër, të cilët kanë nënshkruar tashmë kontratat me qendrën. Për shkak të mungesës në prodhimin e filmave, Shqipëria nuk u përfaqësua vitin që shkoi në Festivalin e Filmit në Berlin.

Propozimi në MTRKS

Ciko dhe Skrami kërkojnë më shumë përfitim nga shitja e biletave

Drejtues të tre institucioneve kulturore, konkretisht Teatrit Kombëtar, Teatrit të Komedisë dhe Teatrit të Operas dhe Baletit, i kanë propozuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që një pjesë e të ardhurave nga shitja e biletave të shkojë në arkën e tyre. Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, ka disa kohë që është diskutuar problemi i të ardhurave nga shitja e biletave dhe është logjike, sipas tij, që një pjesë e të ardhurave që sigurohet nga shitja e tyre të menaxhohet nga vetë ata. Këto institucione përfitojnë vetëm 10% nga shitjet e biletave, ndërkohë që propozojnë që në Ligjin e Artit dhe Kulturës, i cili parashikon që të ardhurat nga institucionet burojnë dhe nga shitjet e biletave, të rregullohet me akte nënligjore, ku të përcaktohet përqindja që duhet të përfitojnë.

Përsa i përket përqindjes, propozohet që ajo të jetë nga 60-80 për qind. Drejtori i Teatrit të Operas dhe Baleti konfirmon se janë bërë disa takime me përfaqësues të MTKRS-së me të cilët është rënë dakord për disa pika, por shton që ka ardhur koha që MTKRS-ja të veprojë me përgatitjen e akteve nënligjore për t’ia dërguar më pas për miratim Ministrisë së Financave. Drejtuesit e tre institucioneve e konsiderojnë si shumë të rëndësishëm miratimin e propozimit të tyre që, sipas tyre, do të ndihmojë ata në realizimin e sa më shumë projekteve artistike, por dhe për përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve që ata drejtojnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama