PriFilmFest dy trofe per Shqiptarin

'PriFilmFest', dy trofe per 'Shqiptarin'
Një film boshnjak dhe një shqiptaro-gjerman triumfojnë në skenën e Prishtinës. Gjatë një ceremonie të zhvilluar në sallën e Sheshit 21, u mbyll mbrëmjen e së mërkurës edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kosovë, "PriFilmFest". Çmimi për filmin më të mirë, "Hyjnesha e artë", i shkoi filmit "Na putu" ("Në rrugë"), me regji të Jasmila Zbanic nga Bosnja. Çmimin special të jurisë, "Hyjnesha e artë", e mori "Der Albaner" ("Shqiptari"), me regji të Johannes Naber. Po nga ky film u shpall edhe aktori më i mirë. Bëhet fjalë pikërisht për aktorin shqiptar, Nik Xhelilaj, i cili mori çmimin e akorduar nga Ministria e Kulturës së Kosovës, që mban emrin "Bekim Fehmiu", për nder të aktorit të madh shqiptar, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë.

ër Xhelilajn, ky nuk është çmimi i parë që merr për interpretimin në këtë film. Disa muaj më parë, ai u shpall si aktori më i mirë në Festivalin e Filmit në Moskë. "Shqiptari",  një prodhim shqiptaro-gjerman, ende nuk e ka bërë premierën shqiptare dhe pritet të shfaqet së shpejti në kinematë shqiptare. Ndërkohë ai po merr pjesë në një sërë festivalesh ndërkombëtare. Mbrëmjen e së mërkurës u vlerësua me një çmim mirënjohjeje një tjetër film shqiptar. Bëhet fjalë për filmin "Gjallë" të Artan Minarollit, ku Xhelilaj është sërish protagonist. Juria ndërkombëtare e festivalit këtë vit u kryesua nga australiania Eva Orner, fituese e çmimit "Oscar", Andreas Strohl, drejtor i Festivalit të Munich-ut, Fausto Paravidino, regjisor dhe aktor nga Italia, regjisori Gjergj Xhuvani dhe regjisori kosovar Agim Sopi. I pranishëm në një nga netët e festivalit ishte edhe aktori

Italian, Franco Nero, i cili prezantoi në Prishtinë premierën e filmit të tij më të ri, "Angelus Hiroshimae".

Fituesit

 Filmi më i mirë:
"Na putu",
Çmimi special: "Shqiptari"
Regjia më e mirë: Nader T. Homayoun
Aktori më i mirë:
Nik Xhelilaj
Aktorja më e mirë: Zrinka Cvitesic
Çmim mirënjohjeje: "Gjallë", "If I want to whistle, I whistle"
Çmimi i medias:
"War is oler"
Çmimi i audiencës: "Gomarët e kufirit"

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama