Partizani do ketë përballë një kundërshtar shumë të fortë në garën për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër të Ligës së Kampioneve. Të kuqtë sfidojnë një ekip me një buxhet disa herë më të lartë financiar dhe që është rikthyer në nivelin maksimal të futbollit hungarez, pas disa vitesh mungesë.
Që prej vitit 2004, ata nuk arrinin të ngrinin trofeun e kampionit, por që ia dolën edicionin e kaluar, duke numëruar plot 29 tituj vendës. Një klub që në historinë e tij ka pasur futbollistë të shkëlqyer, që kanë lënë gjurmë të paharrueshme në arenën ndërkombëtare, por edhe kanë pasur suksese në kontinent. Ferencvaroshi ka qenë finalist i Kupës së Kupave në edicionin e vitit 1975, por u mund nga Dinamo e Kievit me rezultatin 3-0. Momentalisht, kampionët e Hungarisë kanë formuar një ekip të miksuar mes të rinjve të talentuar dhe "veteranëve" si Zoltan Gera, i cili udhëhoqi kombëtaren në Europian në moshën 37-vjeçare.

Gabor Kubatov
Presidenti
Nëpërmjet votimit të pesë zëvendëspresidentëve të klubit, më 13 dhjetor 2015 u zgjodh kreu i ri i Ferencvaroshit. Ai është politikani Gabor Kubatov. 50-vjeçari është një biznesmen, por edhe një deputet në parlamentin hungarez. Në fakt, edhe pse është zgjedhur që prej vitit 2006, është cilësuar si deputeti më i heshtur. Përgjatë gjithë legjislacionit të tij ka folur në kuvend vetëm në një rast, më 3 prill 2007. Gjithsesi, pritet që falë aftësive të tij organizative të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të financave të Ferencvaroshit.

Tomas Doll
Trajneri
Pas një periudhe shumë të vështirë në rezultate, në dhjetor të vitit 2013 drejtuesit vendosën që t'i besojnë drejtimin e skuadrës një gjermani. Tomas Doll, një trajner që ka drejtuar ekipe si Borusia e Dortmundit apo Hamburgu dhe që ka luajtur 18 ndeshje me Kombëtaren e Gjermanisë, mori garanci për të nisur projektin e tij me hungarezët. Në sezonin e parë, u rendit i treti dhe fitoi Kupën. Më pas, pati një progresion që kulmoi me titullin në edicionin e kaluar. Ai ka afruar futbollistë që janë bërë edhe pjesë e rëndësishme e kombëtares hungareze, e cila zhvilloi një paraqitje të kënaqshme në kampionatin europian. Në tre vite, Doll numëron dy Kupa të Ligës, një Kupë të Hungarisë, një Superkupë dhe një titull kampion.

Groupama Arena, stadiumi i Ferencvarosh
Financat
Ferencvaroshi është një klub me buxhet vjetor që varion nga 20-25 milionë euro. Ata kanë arritur të ndjekin një praktikë të suksesshme në merkato, duke blerë lojtarë deri në nivelin e 500 mijë eurove për karton, por që më pas i kanë shitur për shifra më të larta. Dy nga shitjet më të spikatura në vitet e fundit mund të cilësohet ajo e Muhamed Beshiç tek Evertoni për 5.05 milionë euro në 2014-ën dhe ajo e mbrojtësit Somalia te Tuluza për 2.4 milionë në 2015-ën. Por, nga ana tjetër, kanë investuar gjithashtu shifra të majme në afrime. Ata paguan 500 mijë euro kartonin e sulmuesit Adrian Rado, 360 mijë euro kartonin e Kristian Ramirezit nga Fortuna Dysledorf apo 330 mijë euro muajin e kaluar për mbrojtësin e Verderit, Oliver Husing. Nivele pagesash që në futbollin shqiptar ende asnjë klub nuk i ka arritur.

Adam Nagi
Lojtarët
Futbollisti më i shtrenjtë i ekipit është mesfushori i qendrës, 21-vjeçari Adam Nagi. Ai kërkohet nga klube prestigjioze të Europës. Ndonëse kartoni i tij ka një çmim tregu prej 2 milionë eurosh, drejtuesit mendojnë që ta shesin për të paktën trefishin që në merkaton e kësaj vere. Në fakt, Ferencvaroshi ka plot tetë lojtarë që janë aktualisht pjesë e Kombëtareve. Zoltan Gera, Adam Pinter, Daniel Bode, Gergo Lovrencsis, Adam Nagi dhe Denes Dibusz janë të gjithë pjesë e Hungarisë që mori pjesë edhe në Europian. Sulmuesi Stanislav Sestak gjithashtu ishte në kompeticionin e Francës, por me fanellën e Sllovakisë. Ndërsa mbrojtësi i majtë Kristian Ramirez është titullar me përfaqësuesen e Ekuadorit.