Në stilin e shkëputjes 26-vjeçarja ngriti 102 kg, 4 kg më shumë se peshngritësja nga Azerbajxhani Boyanka Kostova e cila u rendit e dyta. Në provën e parë në stilin e shtytjes, Romela Begaj ngriti 113 kg duke treguar se ajo ishte një nga pretendentet kryesore për këtë peshë. Në provën e dytë ajo ngriti 116 kg, por disa minuta më vonë gjyqtarët e quajtën këtë provë si të pavlefshme. Sipas tyre peshngritësja shqiptare bëri një faull teknik, duke bërë lëkundje gjatë mbajtjes së shtangës në gjoks, gjë e ndaluar kjo sipas rregullave në këtë sport.
Edhe pse dështoi në provën e tretë me 118 kg, në dygarësh 26-vjeçarja shqiptare ngriti 215 kg, po aq sa kampionia Kostova e cila mori medaljen e artë falë peshës trupore me të vogël se shqiptarja. Prej më shumë se 2 muajsh Romela Begaj zhvillonte një stërvitje intensive me ish-kampionin e botës, Luan Shabani sot trajner i kombëtares greke.
Ndërkohë, një ditë më parë peshëngritësja tjetër shqiptare pjesëmarrëse në këtë europian, Fetije Kasaj nuk ka shkuar më shumë se vendi i 8. Në stilin e shkëputjes 27-vjeçarja dështoi në dy prova dhe ngriti 78 kg dhe u rendit në vendin e 8, ndërkohë që në stilin e shtytjes ajo ngriti 108 kg duke u renditur në vendin e 5. Në dy garësh Fetije Kasaj u rendit në vendin e 8-të. Në këtë europian Shqipëria përfaqësohet nga 12 sportistë, 4 femra dhe 8 meshkuj. Qëllimi kryesor i kuqezinjve është marrja e sa më shumë pikëve të cilat do të mundësojnë shtimin e numrit të shtangistave që do të marrin pjesë në lojërat Olimpike Londër 2012.











