Peshengritja ruse jashte Olimpiades Shqiperia fiton nje ftese

Peshëngritja ruse jashtë Olimpiadës, Shqipëria fiton një ftesë

Një takim blic i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Peshëngritjes (IWF) sjell lajmin e mirë për Kombëtaren shqiptare olimpike. Tashmë nuk do të jenë më 5, por 6 sportistë në Rio de Zhaneiro.

shqiperia Koksh

Peshëngritësja Evagjeli Veli do të jetë nga datat 5- 21 gusht pjesë e delegacionit të përbërë nga Luiza Gega (atletikë), Nikol Merizaj (not), Sidni Hoxha (not), Izmir Smajlaj (atletikë) dhe Briken Calja (peshëngritje). Shtangistja Veli përfitoi ftesën e IWF-së që tashmë e katapulton pas pak ditësh në Rio de Zhaneiro. Lajmi u konfirmua ditën e djeshme për gazetën "Panorama Sport" nga presidenti i Nderit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, akademiku Gudar Beqiraj.

Sipas zyrtarit të FSHP-së, Federata Botërore i ka bërë një nder të madh Federatës Shqiptare me përzgjedhjen e bërë, duke qenë se konkurrenca ka qenë e madhe me federatat homologe. Gjithsesi, për akademikun Beqiraj, janë marrë në konsideratë edhe rezultatet e kënaqshme dhe mosha premtuese e sportistes. Gjithashtu, për një nga figurat e nderuara të sportit shqiptar, sportistja Veli është me shumë perspektivë në të ardhmen.

shqiperia koksh

Me t'u njohur me vendimin e Ekzekutivit të IWF-së, Federata Shqiptare nuk ka humbur kohë me nisjen e procedurave, duke njoftuar fillimisht vetë protagonisten, e cila jeton dhe stërvitet në Athinë, paralelisht ka nisur komunikimin zyrtar me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Njëherësh akademiku Beqiraj zbuloi për gazetën se Veli, me shumë gjasa, do të udhëtojë nesër drejt Brazilit. Veç Briken Caljes dhe trajnerit Leonard Toska, në Rio ka udhëtuar me grupin e dytë të delegacionit edhe presidenti i Federatës Elez Gjoza.

Ftesa e ardhur nga IWF-ja për Shqipërinë u konfirmua për gazetën edhe nga presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, por që sipas tij duhet të pritet edhe zyrtarizimi nga CIO për t'u finalizuar si procedurë. "Pas njoftimit të marrë nga federata për aprovimin e ftesës, ne vumë në dijeni zyrtarisht Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Sipas procedurave, duhet të presim miratimin nga Bordi i CIO-s". Veli do të garojë në peshën 53 kg. Veç Shqipërisë, përfituese të ftesës kanë qenë gjithashtu Moldavia dhe Gjeorgjia.

Gjashtë medalistë dalin pozitivë, humbin Rion

Mes 45 sportistëve të deklaruar pozitivë nga Lojërat Olimpike të Londrës, gjashtë prej tyre janë peshëngritës medalistë. Rezultatet erdhën pas valës së dytë të testeve të kryera nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) në mostrat e Londrës dhe Lojërave Olimpike të Pekinit. IWF-ja zbuloi se në total kanë qenë 11 raste pozitive. Mes tyre janë medalistët e argjendtë të Londrës: Aleksandër Ivanov, Svetlana Tsarukaeva dhe Natalia Zabolotnaya.

Gjithashtu armenia Hripsime Kurshudian, moldavja Kristina Iovu dhe bjellorusja Irina Kulesha, të gjitha fituese të medaljeve të bronzta të katër viteve më parë, rezultuan pozitive në ritestimet. IWFja ka vendosur pezullimin e detyrueshëm të përkohshëm të 11 sportistëve, përfshirë edhe gjeorgjianin Rauli Tsirekidze, i cili do të merrte pjesë në Rio. Ndërkohë, peshëngritësit e tjerë që dështuan në kontrollin antidoping ishin: rusi Andrei Demanov, turkja Sibel Simsek, kazakistanasi Almas Uteshov dhe azerbajxhani Intigam Zairov.

OLGERT SERANI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama