Per ata qe kane harruar deren e kinemase tani eshte rasti

Per ata qe kane harruar deren e kinemase, tani eshte rasti
Një bord i ngushtë kineastësh po punon për përzgjedhjen e filmave të Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar,  7-12 tetor. Esat Musliu, Eno Milkani, Kristaq Mitro, janë në proces vizionimi të prodhimeve në gjinitë e dokumentarit, filmit të shkurtër e të animuar të këtyre pesë viteve të fundit. Ndërkohë, aty ku prodhimi kinematografik është i pakët, në gjininë e metrazhit të gjatë artistik, Qendra Kombëtare e Kinematografisë që është organizatore e festivalit, është menduar të përfaqësohet me të gjithë filmat e realizuar prej festivalit të fundit më 2006, duke përfshirë edhe realizimet nga Kosova.

Këshilli përzgjedhës po shqyrton dhjetëra dokumentarë, gjinia dominuese e festivalit, e po aq të shkurtër artistik e të animuar marrë së bashku. Në intervistën për “Shekullin”, Eno Milkani, ndër të tjera, bashkëregjisor në filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder” dhe autor i metrazhit të shkurtër “Shenjtorja”, komenton prurjet në këto gjini. Përkundër gjithë pritmërive të publikut dhe atij pak mendimi që është hedhur për kinemanë nga shtypi shqiptar, toni i Milkanit duket tejet i zbutur, madje optimist, për këtë fazë ku ka mbërritur kinemaja shqiptare. Ai parashikon përfaqësime dinjitoze të filmit të shkurtër, premton raste të mirë nga dokumentari. Eno Milkani thotë se ata që e kanë harruar derën e kinemasë do të kenë arsye për të ndjekur Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar.

Në çfarë faze është puna selektive për Festivalin e Filmit? Është krijuar një ide se mbi çfarë skeme do të ngrihet ky festival?

Për sa i përket përzgjedhjes së filmave të shkurtër dhe dokumentarë së bashku me kolegët e mi regjisorin Esat Mysliu dhe Kristaq Mitro, po bëjmë thjesht një vlerësim dhe kategorizim të filmave të prodhuar gjatë pesë viteve të fundit, prodhime nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia si dhe të ndonjë filmi të realizuar në ndonjë vend tjetër, por që mjafton të autorët të jenë shqiptarë. Lista është e gjatë, si ajo e filmit të shkurtër e po ashtu edhe e filmit dokumentar që në total zënë më të shumtën e kohës së festivalit. Sigurisht të gjithë autorët do të donin që filmi i tyre të ishte pjesëmarrës në këtë festival mbarëkombëtar por ne duhet të zgjedhim ata që janë më përfaqësues. Dikush dhe mund të zhgënjehet po nuk duhet të mërzitet, pasi, siç thotë dhe shprehja latine De gustibus non est disputandum, shijet nuk mund të diskutohen. Nuk dua të justifikoj mërzinë e dikujt apo shijet tona, por publikut besoj do t’i paraqitet pjesa më e mirë e krijimtarisë kinematografike të viteve të fundit. Sa i përket strukturës së festivalit dikush tjetër do të vendosë për këtë, pasi tani ne jemi vetëm në fazën përzgjedhëse.

Parë në distancën e viteve, në çfarë përfundimesh arrini për dokumentarin: një gjini ku prodhohet shumë por ku rezultati lë shumë për të dëshiruar.

Është e vërtetë që dokumentari ka më shumë prurje, dhe përballë kësaj prurjeje temat dhe cilësia lënë shumë për të dëshiruar, por megjithatë stili i dokumentarit shqiptar ka një profil të tijin. Mirë apo keq nuk mund të them, pasi edhe dokumentari ka dialektikën e tij natyrale. Në këtë festival do të shikoni dhe dokumentarë që përdorin një gjuhë shprehëse ndryshe, dhe besoj se do të jenë shembull i mire për t’u ndjekur.

Për filmin e shkurtër artistik, ku keni dhe një përvojë personale, situata është që prodhohet pak, por prurjet janë disi më cilësore. Për këtë gjini nuk ju duket se politika që është ndjekur nga QKK nuk ka qenë aspak nxitëse?

Për sa i përket filmit të shkurtër, është e vërtetë që realizimet e viteve të fundit janë më cilësore. Temat, subjektet janë nga më të ndryshmet dhe do përgëzoja në disa raste dhe guximin e krijuesve. Nuk do përmend këtu as një titull për të mos lenë të nënkuptoj që tani se cilët filma kemi përzgjedhur. Filmi i shkurtër është si fotografia e pasaportës që e mban në xhep të cilën e sheh vetëm polici kur duhet të kalosh kufirin. Them kështu pasi filmi i shkurtër prezantohet tek publiku vetëm nëpërmjet festivalit e premierës, përndryshe ngel në xhep të regjisorit duke pritur festivalin e radhës. I ftoj të gjithë të jenë në sallë se kështu do të kenë mundësi të shikojnë disa filma që nga ekrani i televizorit nuk i shohin shpesh. Nëse do flasim për politikat e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, pa diskutim që këto politika mbajnë firmën e çdo drejtori apo bordi të miratimit të projekteve. Një vit do të ketë më shumë prodhim, e një vit do të ketë më pak. Po sigurisht nuk duhet menduar se mungon dëshira për të ndihmuar regjisoret e rinj e për t’u dhënë qoftë edhe më të vjetërve mundësinë për të realizuar një film të shkurtër. Tekefundit prodhimi i filmit të shkurtër është i lidhur ngushtë me mundësitë financiare.

Për filmin e animuar, për të cilin asnjëherë nuk ka munguar solidariteti i krijuesve në këtë fushë, nuk ju duket se gjendja po shkon drejt një degradimi? Si do të përfaqësohet në festival kjo gjini?

Nuk mund të flas shumë për filmin e animuar se edhe vetë me dëshirë do të shikoj gjatë ditëve të festivalit si në një sfilatë, prodhimin e filmit të animuar të pesë viteve të fundit. Por kjo prodhimtari dhe krijuesit e tij vit pas viti, film pas filmi, marrin gjithnjë e më shumë pjesë nëpër festivale ndërkombëtare duke marrë edhe çmime. Gjuha vizuale e shprehjes, teknikat e përdorura etj., janë më të shumta dhe për pasojë kjo gjini ka krijuar më shumë stilin e saj origjinal sesa gjinitë e tjera. Gjithmonë është koha ajo që do tregojë vlerën e filmit të animuar, por konsolidimi i mjeteve shprehëse dhe stilit do të jetë arritja më e mirë.

Filmi i gjatë artistik që mban peshën kryesore të festivalit, prezantohet me shumëçka është krijuar këto kohë. Çfarë do t’i komentonit?

Pa diskutim arena e duelit gjatë ditëve të festivalit i takon më shumë filmit të gjatë. Duket si një përballje titanësh, dhe si e tillë besoj do të sjellë shumë diskutime, debate, mendime. Në qoftë se aty ku ka vend për diskutime e mbresa të mira, do thotë se jemi në rrugë të mirë. Nëse publiku e ka harruar derën e kinemasë së vërtetë, shpresojmë t’ia rikujtojmë nga pak, me ethet se kush do të jetë filmi më i mirë. Fitoftë më i miri!

Dhe së fundi, si krijues, a po punoni me ndonjë projekt?

Do doja që projekti që po punoj të mbetej sekret sepse ka lidhje me festivalin. Është një projekt që varet edhe nga vullneti i disa institucioneve dhe individëve të tjerë. Nëse ky film nuk do jetë gati për në tetor, nuk do doja të zhgënjeja “fansat” e tij. Nuk do të jetë në konkurrim por sigurisht është shumë i lidhur me 100-vjetorin e Pavarësisë dhe do të jetë si “qershia mbi tortë”, jo për mua, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama