Pengu i Orelesit Nese luanim ndaj hungarezeve i eliminonim

Pengu i Orelesit: Nëse luanim ndaj hungarezëve, i eliminonim

I rikthyer te Skënderbeu në janarin e këtij viti, Nuredin Orelesi ka rifituar menjëherë vendin e liderit në mesfush- ën bardhekuqe, duke treguar potencialin e tij në pjesën e dytë të kampionatit.

Orelesi-kryesore-470x2091-470x224

Tashmë është duke shijuar disa ditë pushime, ndërsa i kontaktuar nga "Panorama Sport", shprehet se Skënderbeu do të rikthehet më i fortë se më parë në kampionat. Nigeriani ka folur gjerësisht, si për dënimin e klubit, ashtu edhe për pritshmëritë që ka për sezonin 2016-2017.

Nuredin, këtë edicion mbeteni jashtë Europës. Ishte një goditje e madhe për Skënderbeun?

Nuk mund të jem unë ai që duhet të komentoj se çfarë goditje ishte për Skënderbeun, pasi klubi është ai që shikon financat dhe bën bilancin. Unë si lojtar i Skënderbeut mund të them se ishim bërë gati që të luanim në Champions, me shpresën që të bënim mirë, pavarësisht kundërshtarëve që do të kishim përballë. Ishim impenjuar shumë dhe na erdhi keq që në fund na u konfirmua se nuk do të luanim.

Ju e kishit marrë vesh kundërshtarin. Si ju dukej Ferencvarosh, ishte i kalueshëm?

Nuk më duket e drejtë që të flas tani për Champions-in, pasi ne nuk morëm pjesë. Por, meqenëse më pyetët, po them se ishte një nga ekipet më të vështira që mund të kishim përballë. Pavarësisht kësaj, ne i kishim bërë mirë llogaritë dhe e dinim shumë mirë punën tonë. Prandaj, them se do të kishim shumë shanse për të kaluar më tej.

orelesi

Si e parashikoni Skënderbeun në kampionat?

Do të kemi më shumë kohë për të rikuperuar nga një ndeshje në tjetrën dhe nuk do të kemi shumë takime në mesjavë, çka do të thotë më pak ngarkesë. Por, të jeni të bindur se ata që thonë se Skënderbeu i këtij sezoni do të jetë më i dobët, se nuk merr pjesë në Europë, gabohet rëndë. Do të jemi më të fortë dhe më të përqendruar, për të treguar me të vërtetë forcën që na karakterizon.

Ju druheni rivalëve?

Të them të drejtën vitin e fundit kampionati u bë mjaft i fortë, dhe është mirë kur ka rivalitet kaq të fortë mes ekipeve. Sezoni që nis në shtator ma merr mendja se do të jetë po një kampionat i fortë, por me më shumë rivalë për titullin. Kukësi dhe Partizani do të jenë sërish për të kërkuar titullin, por më duhet të shoh Tiranën dhe Flamurtarin si do të kenë ndryshuar. Do të jetë një kampionat i bukur.

Skënderbeu me shumë ndryshime, a mund të jetë sërish ai ekip i frikshëm i sezoneve të fundit?

Po është e vërtetë, ekipi ka ndryshuar shumë elementë, por mund të them se lojtarët e afruar janë në lartësi për të zëvendësuar si duhet ata që janë larguar. Kemi shumë lojtarë të talentuar këtë sezon që janë gati që të tregojnë vetën. Besoj se do të surprizoheni të gjithë.

Pra, sipas jush Skënderbeu do të jetë sërish pretendenti kryesor?

As nuk e diskutojmë që po. Nuk e keni idenë se sa uri kemi për të fituar trofe. Mezi presim të fillojë kampionati për t'i treguar të gjithëve se kush është kampioni në fuqi dhe kush komandon në kampionatin shqiptar. Edhe këtë sezon do të jetë e vështirë të na ndalin.

Ll.Saro



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama