Partizani projekton Micin per Europen

Partizani projekton Micin për Europën

Kur Kategorisë Supe riore i kanë mbetur edhe pesë javë për të luajtur, drejtuesit e kuq po mendojnë për merkaton dhe kryesisht afrimet, pasi drejtori Dervishi ka deklaruar se asnjë titullar nuk do të largohet nga ekipi. mici koliciEdhe pse në pamje të parë duket sikur të gjithë në kampin e kuq janë të fokusuar pikërisht te kampionati dhe arritja e objektivit për ta fituar titullin kampion, në prapaskenë është duke u punuar edhe për merkaton.

Emri i parë që ka dalë në skenë është ai i mbrojtësit të krahut të majtë të Kukësit, Gledi Mici. Ky i fundit ka bërë një sezon të shkëlqyer me verilindorët dhe burime pranë klubit të kuq kanë konfirmuar se pëlqehet shumë nga stafi teknik dhe drejtuesit e Partizanit.

Të njëjtat burime gjithashtu bëjnë me dije se ka pasur disa kontakte mes tij dhe drejtuesve të kuq, por nuk mund të flitet për një marrëveshje, duke qenë se dy klubet janë në aktivitet dhe do të pritet që më parë të mbyllet sezoni. Por, gjasat janë shumë të mëdha që Mici të jetë përforcimi i parë i Partizanit për Europën.

Kontrata

Por, një pengesë jo e vogël që klubi i kuq pritet të ketë në tratativat me lojtarin është edhe ajo e kontratës që ai ka me Kukësin. Mësohet se Mici në fund të sezonit del lojtar i lirë, megjithëse nuk mund të largohet menjëherë nga skuadra.

Ai duhet që të dërgojë një kërkesë me shkrim një muaj përpara mbylljes së sezonit në klubin aktual që kërkon largimin nga skuadra. Në rast se nuk e bën një gjë të tillë, atëherë klubit të Kukësit i lind e drejta që të hyjë sërish në negociata me futbollistin në lidhje me kontratën e tij.

Një klauzolë e tillë në kontratën e lojtarit mund të sjellë edhe pengesa të shumta për një transferim të mundshëm të tij te të kuqtë. Por, nëpërmjet kësaj lëvizje, pra kërkesës do të shihet nëse lojtari ka vërtet dëshirë që t'i bashkohet Partizanit sezonin e ardhshëm.

Përgatiti: ARMAND HALILI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama