Ndërsa nuk ka luajtur Buliç, për shkak të një dëmtimi të lehtë. Ndërkohë që në kampin e kuq ka pasur një numër të madh futbollistësh, të cilët po i nënshtrohen fazës së seleksionimit. Loja e zhvilluar nga lojtarët e Partizanit ka qenë relativisht e mirë dhe goli i vetëm i takimit është realizuar pjesën e dytë, nga i riu Sandroel Limani pas një gjuajtje nga jashtë zone. Ndërkohë që stafi teknik pritet t’u japë mundësi edhe disa ditë të tjera futbollistëve që po kalojnë fazën e seleksionimit, për të përcaktuar më pas se kush nga ata do të qëndrojë dhe kush do të largohet.
Merkato - Ndërkohë, te skuadra e Partizanit dje janë parë edhe dy futbollistë të rinj. Bëhet fjalë për sulmuesin Kreshnik Ivanaj, i cili ka luajtur për një sërë skuadrash në kampionatin shqiptar dhe njihet si golashënues, por edhe për mbrojtësin shtatlartë Henri Ndreka. Ky i fundit nuk është bashkuar me ekipin në ndeshjen miqësore, ndërsa Ivanaj ka luajtur gjatë pjesës së parë. Me dy lojtarët janë duke u zhvilluar bisedime nga ana e aksionarit Paro Laçi që të bëhen pjesë e Partizanit dhe, sipas të gjitha gjasave, ata do të jenë pjesë e ekipit. Gjithashtu dje janë parë edhe dy portierët Xhixha dhe Bishani, për të cilët ende nuk dihet se si po zhvillohen bisedimet për të qenë pjesë e ekipit.
STËRVITJA
Pas miqësores së djeshme, Partizani sot do të jetë pushim dhe nesër skuadra do t’u rikthehet sërish seancave stërvitore. Trajneri Çoçlli tashmë ka një grup të mbipopulluar me futbollistë dhe në ditët në vijim do të zhvillojë edhe seleksionimet. Partizani i sezonit të ri pritet të ketë në përbërje jo më shumë se 22 lojtarë, ndërsa një pjesë e mirë e tyre pritet të vijnë nga merkatoja.
Tifozët
Në miqësoren e djeshme me Kastriotin, e cila u zhvillua në ambientet e kompleksit “Dinamo”, skuadra e Partizanit ka pasur edhe mbështetjen e tifozëve të saj. Këta të fundit nuk kanë reshtur së mbështeturi ekipin dhe, deri në një farë pike, kanë mbetur të kënaqur me atë që të kuqtë kanë dhënë në fushën e blertë, duke parë edhe kohën e shkurtër të përgatitjeve. Edhe gjatë seancave stërvitore, tifozët e Partizanit kanë qenë gjithmonë të pranishëm.











