Partizani jashte kryeqytetit Tirana i mbyll dyert rivaleve

Partizani jashtë kryeqytetit, Tirana i mbyll dyert rivalëve

Partizani do ta nisë sezonin e ri jashtë kryeqytetit. Përtej dëshirës së klubit të kuq për të mos u larguar nga Tirana, duket se zgjidhje tjetër nuk ka. "Demat" do të luajnë në Elbasan ose Durrës, pasi "Selman Stërmasi" mund të konsiderohet si një pistë e sfumuar, ende pa nisur mirë.

Stadiumi-Selman-Stermasi-dritat

Pritej që Partizani t'i drejtohej Tiranës me shkresë zyrtare për të lidhur një marrëveshje për përdorimin e këtij impianti, por shpresat janë shuar tashmë. Korabi i sapongjitur në elitë u tregua më i shpejtë, duke nënshkruar kontratë bashkëpunimi me stadiumin e vetëm që ndodhet në kryeqytet që pas prishjes së "Qemal Stafës".

Refuzimi

Logjikisht do të ishte e pamundur që tri ekipe të luanin në të njëjtin impiant, pasi jo vetëm do të dëmtohet terreni, por edhe vetë FSHF-ja do ta kishte të vështirë që të rakordonte kalendarin për të shmangur përplasjet. Megjithatë, edhe nëse do të kishte akord mes palëve, pra dy klubeve të kryeqytetit, ngërçi do të shtohej prej tifozëve.

derbiiii

Bardheblutë do të kundërshtonin me forcë "paktin", që rivalët historikë të luanin në stadiumin e tyre. Gazeta "Panorama Sport" kontaktoi me klubin dje për këtë çështje, megjithatë reagim zyrtar nuk ka. Por nën zë pranohet se do të ishte e pamundur, pasi prioritet në këtë impiant ka vetëm Tirana dhe Korabi (pasi kanë mbyllur kontratën me klubin dibran) dhe një i tretë do të ishte i tepërt.

Humbjet

Partizani del i humbur nga e gjithë kjo histori, pasi "degdisja" jashtë kryeqytetit do të ndikonte jo vetëm tek arka e klubit, por edhe te reduktimi i tifozëve. Ndaj drejtuesit po e mendonin seriozisht që t'u kërkonin "nder" rivalëve të përjetshëm për të shmangur migrimin çdo fundjavë. Humbjet më të mëdha i ka Partizani në këtë mes, që do detyrohet të largohet nga kryeqyteti. Veç pagesës për çdo ndeshje, me ose pa drita, do të ketë edhe ulje të numrit të tifozëve.

elbasan-arena-03

Jo të gjithë mbështetësit e kuq do të kenë luksin që ta ndjekin çdo javë ekipin e zemrës, pasi edhe kostoja financiare do të jetë më e madhe. Kjo do të ndikojë te fitimet e klubit për biletat, që sigurisht do të shesë më pak, krahasuar me interesin që kanë ndeshjet kur luhen në Tiranë. Megjithatë, drejtuesit e kuq mësohet se do të marrin masat për tifozët. Ata mund të vendosin autobusë në dispozicion për t'ua lehtësuar ekonomikisht rrugëtimin ultravse të tyre, por dashur pa dashur kjo do të rëndonte tek arka e klubit.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama