Orges Shehi Denimi i UEFA-s na karikon titulli mbetet i yni

Orges Shehi: Dënimi i UEFA-s na karikon, titulli mbetet i yni

Pasi shijoi për plot dy javë aventurën e Shqipërisë në Europianin e Francës, gardiani durrsak i Skënderbeut rikthehet për të vijuar aventurën me Skënderbeun. Orges Shehi rinovoi edhe për një vit kontratën me Skënderbeun, ndërsa rikthehet të flasë në një intervistë për "Panorama Sport" në lidhje me pezullimin e Skënderbeut nga Europa për një sezon e deri te ndryshimet e shumta që po ndodhin në ekip.

salihi shehi osmani arapi

Pavarësisht largimeve, Shehi ka shprehur bindjen se gjithçka do të jetë si më parë dhe ekipi do të jetë akoma edhe më i fortë, ndërsa ka zbuluar edhe disa "prapaskena" që nuk ishin bërë publike deri pak ditë më parë.

Skënderbeu pa Champions këtë vit, a e keni ndier ndryshimin?

Sigurisht që po, ka qenë një ndryshim që ndihet fare mirë nga i gjithë ekipi pasi kishim vite të tëra që ishim mësuar me një intensitet tjetër, pikërisht nga ajo që të jepte Liga e Kampioneve. Por, tanimë duhet që të mendojmë për sezonin e ri. Duhet të jemi gati për të realizuar objektivin tonë në kampionat.

A mund të ndikojë negativisht një gjë e tillë?

Ne do ta kthejmë në forcë dhe do kërkojmë që të fitojmë titullin e shtatë radhazi. U kam thënë edhe lojtarëve të ekipit që nuk kemi pse të humbasim motivimin.

Shumë ndryshime te Skënderbeu. Duke filluar nga Josa që është larguar dhe Agostineli në krye të stolit tashmë?!

Është e vërtetë që këtë sezon ka pasur më shumë ndryshime se vitet e tjera, por gjithsesi ndryshimet në futboll janë gjithmonë të pranishme në çdo ekip. Është larguar një trajner i suksesshëm sikundër ishte Mirel Josa, i cili jo më kot na ka çuar te titulli katër vite radhazi. Por, ky është një vendim i klubit dhe janë ata që i dinë më mirë zgjedhjet që bëjnë. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të sjellë me vete një ndryshim i tillë. Ndërsa, nga ana tjetër, ka ardhur në krye të ekipit një trajner si Agostineli që është shumë i apasionuar me punën që bën. Dhe ajo që është më kryesorja ka ambicie për fitore dhe për të shkuar sa më larg me ekipin. Ka sjellë një frymë të re në ekip dhe ka bindjen se do vijojë të bëjë mirë me Skënderbeun.

shehi

Bashkë me Agostinelin ka ardhur edhe Gentian Lici si zëvendëstrajner...

Një tjetër njeri i apasionuar me futbollin. Për Licin kam pasur shumë respekt që kur luante dhe ka qenë kapiten i Skënderbeut. E vlerësoja shumë si lojtar, por më ka çuditur sepse është edhe një trajner mjaft i zoti, me shumë grintë, qetësi dhe vizion për futbollin. Do të jetë një plus më shumë për ne që kemi në mes një figurë si Lici.

Ndryshime të shumta kanë prekur edhe ekipin, do të jetë më e vështirë të jesh aq i fortë pas largimeve me peshë si Shkëmbi, Arapi, Vangjeli apo edhe Progni?

Të gjithë lojtarët që ju përmendët më sipër kanë qenë pjesë e rëndësishme e ekipit dhe me shumë peshë, por futbolli është i tillë dhe ndryshimet asnjëherë nuk janë të pashmangshme. Megjithatë, më duhet të them se të gjithëve u uroj suksese në rrugën e tyre dhe u dëshiroj vetëm të mira. Ndërsa për sa i përket ekipit mendoj që do të mundohemi të mbushim këto hapësira bosh me elementët e rinj që kanë ardhur në ekip dhe them se sërish do të jemi të fortë për vijimësinë e sezonit.

Duket se pas largimit të Arapit keni mbetur vetëm tani, sepse ishit miq të vjetër bashkë...

Sigurisht, është pak e vështirë të mësohem pa Arapin në dhomë sepse për gjashtë vjet e kemi ndarë të njëjtën dhomë. Ka qenë një nga lojtarët dhe miqtë e mi më të afërt dhe i uroj shumë suksese. Vendin e tij tashmë në dhomë e ka zënë Salihi (qesh) dhe besoj se është i zëvendësuar si duhet me kryegolashënuesin.

A keni ndonjë koment mbi deklaratën e bërë nga Shkëmbi në raport me marrëdhënien që kishte me ju?

Të them të drejtën nuk e kam pasur mundësinë ta lexoj gazetën këto ditë, pasi jam me pushime dhe s'më ka rënë rasti ta kem në dorë.

Bledi ka theksuar se marrëdhënia me ju ka qenë korrekte dhe se ju keni pasur shumë miqësi me Takajn...

Mund të them se që nga fillimi kur u bëmë pjesë e projektit të Skënderbeut kemi pasur një marrëdhënie të mirë me Shkëmbin dhe ashtu ka qenë kjo marrëdhënie deri në fund. Vijojmë të kemi një marrëdhënie korrekte, jo vetëm me Shkëmbin, por me të gjithë lojtarët e tjerë të Skënderbeut.

shehi

Për të kaluar te kampionati. Këtë sezon nisin punimet në datën 7 shtator. Skënderbeu do të jetë gati për të mbrojtur titullin kampion?

Sigurisht që, duke parë këtë nisje të vonë të kampionatit, mund të them se kemi vendosur që të bëjmë disa ditë më shumë pushimi. Ka qenë një vendim i trajnerit Agostineli që të bënim pushime deri në 31 korrik, pasi ai nuk e donte ekipin të grumbulluar më shpejt se 5-6 javë nga starti i sezonit. Të them të drejtën që kishim disi nevojë për pushime në verë, pasi kishim gjashtë vite që nuk bënim pushim. Por sërish do të ishte më mirë sikur të mos i bënim këto pushime tani. Nëse mund ta them si batutë, i falja pushimet e verës për të qenë pjesë e Champions-it.

Skënderbeu do të jetë sërish kompetitiv në këtë kampionat?

Të fitosh titullin për të shtatin vit radhazi normalisht është akoma edhe më e vështirë. Por ne jemi këtu për të bërë më të mirën tonë dhe, përderisa jemi pjesë e Skënderbeut, kemi pranuar njëkohësisht që të jemi gjithmonë në garë për titull, pasi këto janë objektivat e këtij klubi me këtë projekt madhor.

Si e shikoni kampionatin e këtij sezoni...?

Do të preferoja të shikoja më saktë se si do të ishte starti i kampionatit para se të jepja një gjykim, sepse shumë ekipe duhet ende të strukturohen. Megjithatë, pritet të jetë një kampionat i fortë dhe i bukur ashtu si ka qenë vitet e fundit.

LLAZI SARO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama