Nuk kemi cfare te humbasim kualifikimin e duam per tifozet

Nuk kemi çfarë të humbasim, kualifikimin e duam për tifozët

Partizani nuk ka asgjë për të humbur në ndeshjen e kthimit ndaj Salzburgut, kështu që të kuqtë do të shkojnë në Austri për të shfrytëzuar mundësitë e tyre, ndonëse janë mundur 1-0 para një jave në "Elbasan Arena".

okrasniqiJo vetëm për shkak të rezultatit të sfidës së parë, por edhe duke ditur potencialin e kundërshtarit, të kuqtë e kryeqytetit duket se nuk kanë asnjë shans kualifikimi në përballjen e 3 gushtit me Salzburgun.

Por te Partizani mendojnë ndryshe. Përveç optimizmit, ata e presin me qetësi këtë takim dhe shpresojnë që të surprizojnë si në Hungari ndaj Ferencvaroshit.

Në këtë linjë është edhe mbrojtësi Gëzim Krasniqi, i cili për "Panorama Sport" deklaroi se skuadra gëzon gjendje të mirë fizike dhe psikologjike, kështu që shkojnë në Austri për të bërë surprizën e madhe. "Partizani meritonte të merrte më shumë në ndeshjen e parë me Salzburgun, e pakta do të ishte që të mos pësonim gol.

Ndonëse rezultati nuk është në favorin tonë, ne nuk jemi dorëzuar dhe do të shkojmë në Austri për të zhvilluar lojën tonë. Nuk kemi asgjë për të humbur apo për të ruajtur, kështu që do të luftojmë shumë në fushën e lojës dhe shpresojmë që këtë radhë të kemi edhe fatin me vete.

Me ndihmën e Zotit, por edhe me lojën tonë do të mundohemi që të kryejmë surprizën e radhës në Europë. Nuk i trembemi askujt dhe përballja e parë tregoi se Salzburgu nuk ka ndonjë diferencë të madhe në fushën e lojës, thjesht në 90-minutëshin e parë fati ishte me austriakët", u shpreh mbrojtësi i të kuqve për "Panorama Sport".

Krasniqi dhe Arapi kanë formuar një dyshe solide në qendër të mbrojtjes dhe paraqitja e tyre pozitive pritet të dalë në pah edhe në sfidën e nesërme ndaj austriakëve. Fillimisht të kuqtë kërkojnë që të jenë të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, që të mos pësojnë më dhe të shfrytëzojnë kundërsulmin e shpejtë.

Edhe në këtë transfertë, Partizani do të ketë mbështetjen e ultrasve dhe Krasniqi suksesin e kërkon më shumë si një dedikim për sakrificën që ata bëjnë në mbështetje të ekipit duke mos marrë parasysh mijëra kilometra udhëtim. "Tifozët e Partizanit e kanë treguar veten në çdo ndeshje, aq më shumë në Hungari ndaj Ferencvaroshit.

E dimë që do të na mbështesin edhe në Austri, kështu që prania e tyre na motivon më tepër për të arritur suksesin e radhës", përfundoi mbrojtësi shtatlartë i të kuqve të kryeqytetit, Gëzim Krasniqi.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama