Nje nate per filmat e animuar

Një natë për filmat e animuar
“Butterfly” nga Stefan Taçi, “Cunami” nga Shaqir Veseli,

“Divi dhe gjahtari” nga Artan Maku, “Bishtprerat” nga Gjin Varfi, “Dy autorë, një personazh, një …figurante” nga Artur Dauti, “Lunatizëm” nga Elton Vogli, Ermir Destani, Roni Millo ishin filmat e "programuar" për disa orë në ekranin e kinemasë së kryeqytetit.

"Flutura" e Tacit

Një vajzë e re pas një telefonate niset për të takuar të dashurin e saj në vendin e caktuar. Historia e filmit është vendosur në Tiranë, por mund të ndodhë në çdo vend të botës. Përmes simbolikës e poezisë së udhëtimit të vajzës-flutur shohim e ndiejmë atmosferën tipike të qytetit, ku përtej një ndjesie lokale përjetojmë sadopak problematikën globale. Në fund, publiku përballet me dilemën e vajzës. A mund të jetë e vërtetë ajo çka ndodh në fantazinë e saj gjatë kohës që pret të dashurin?

Morali "i munguar" i shoqërisë shqiptare

Përgjatë 11 minutave, në ”Dy autorë, një personazh, një …figurante” përmes një gjuhe filmike mjaft groteske, me një ironi të hidhur, paraqiten dy epoka historike dhe dy fenomene të shoqërisë njerëzore në përgjithësi, por dhe asaj shqiptare në veçanti. Karikaturizimi i subjektit, i personazheve nga regjisori Dauti është bërë për një arsye: të tregojë se shoqëria ku ne jetojmë është e paaftë të ndërtojë një moral të pranueshëm për veten dhe të tjerët. Ngritja e idhujve, bazuar mbi hipokrizinë, është një ves në modë sot… dhe ky është morali i ri i shoqërisë sonë.

“Bishtprerat” e Gjin Varfit

Në teknikën e kukullave, me piktor Andrea Varfin dhe kryeanimator Gjin Varfin, realizues kukullash Mentor Muçon, interpretues në "Bishtprerat" janë Bledar Naska, Anisa Dervishi, Flavia Haxhia, Mirela Naska. Ky film paraqet zhvillimin e një ngjarjeje “fabul” të ndodhur në një pyll dhelprash. Filmi zhvillohet natyrshëm brenda fabulës së tij, derisa ndodh diçka që të bën “për të qeshur e për të qarë”. Incidenti banal i bishtprerjes së Bishtbukurës ndërron të gjithë rrjedhën e marrëdhënies së “sinqeritetit” të komunitetit të dhelprave. Komplekset e shkaktuara nga incidenti si dhe vendosmëria e pathyeshmëria tek Bishtbukura për të mbajtur vendin “kurorë” në bashkësi, shndërrohen në një forcë xhelozie e mashtrimi të pathyeshme deri në arritjen e qëllimit të prerjes së vullnetshme të bishtit prej shoqeve të saj. Kuptohet që mashtrimi i Bishtbukurës qe mjaft i bukur e i suksesshëm, por jo vetëm për shkak të djallëzisë së saj, por edhe për pasojë e snobizmit të pamasë të shoqeve të saj.

“Divi dhe gjahtari”

Kur njeriu drejtohet nga e keqja ai nuk di të dallojë të mirën, sinqeritetin dhe naivitetin, por hakmerret me cinizëm. Një realizim në plastelinë me reliev i regjisorit Artan Maku, filmi "luan" me raportet e së mirës dhe së keqes.

”Cunami” i Veselit

Cunami është një forcë e egër që rrënon natyrën, intriga është forca që rrënon shpirtin e njeriut. Me regji nga Shaqir Veseli dhe skenar të Gjergj Xhuvanit, filmi në teknikën karton i lirë ka si animatorë Shaqir Veselin dhe Rikarda Novën.

“Lunatizëm”

Në një kishë jeton një prift i izoluar nga njerëzit. Në besimin e tij ai humb kontaktin me njerëzit dhe në kulmin e çmendurisë së tij ai thyen të gjithë rregullat e të qenit prift. Arrin deri aty sa të vrasë, e në fund humb jetën dhe shndërrohet në shenjt. Filmi prej 10 minutash është realizuar në teknikën kukulla, mix 3D.

Nga Gazeta Metropol

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama