Mesfushori kosovar Valdrin Rashica pritet që të vishet kuqeblu. Pavarësisht se vijon të jetë në provë pranë Vllaznisë, ende Cungu nuk e ka thënë fjalën e tij të fundit. Ka qenë në fakt këmbëngulja e klubit për ta rikthyer në provë kosovarin. Kjo manovër, si dhe komunikata për mediat e drejtuesve të klubit shkodran, lë të mendosh se Rashica mund të jetë i afruari i radhës te Vllaznia.
Drejtuesit e klubit kanë kërkuar që ta kthejnë në Shkodër kosovarin, i cili, pas disa deklaratave se mund të mos ishte në planet e Vllaznisë, është larguar. Por pas këmbënguljes së drejtuesve të klubit, kosovari është kthyer edhe një herë në Shkodër. Megjithatë, duhet pritur që zyrtarët të japin verdiktin final.
Rashica është një mesfushor që ka qenë pjesë e ekipit kampion të Skënderbeut. Stafi i Vllaznisë tani, përveç Rashicës, po shikojnë nga afër edhe dyshen e portierëve Agoviç-Uddenas.
Provat
Përveç dy portierëve, po ashtu edhe Rashicës, te skuadra e Vllaznisë do të ketë edhe të tjerë lojtarë për provë. Nga sa mësohet, pritet që të vijnë për provë lojtarë nga Mali i Zi e po ashtu edhe afrikanë. Pritet që më shumë të vijnë për provë mesfushorë e sulmues. Reparti i mbrojtjes duket më i blinduari në këto momente, ndërsa për portën enigma mund të zgjidhet mes suedezit të sapoardhur e po ashtu malazezit Agoviç. Tani nevojat e kuqebluve janë pikërisht në mesfushë e në sulm.
Pavarësisht se në vijën e parë është bërë një afrim siç ishte ai i Pepës, sërish mësohet se drejtuesit e ekipit po shikojnë në drejtim të gjetjes së një tjetër sulmuesi. Tani shkodranët mbeten vetëm me sytë nga lojtarët që priten të vijnë për provë, pasi me sa duket nga lojtarët me të cilët kanë kontaktuar gjithçka duket e mbyllur.
Admir Uruçi