Nje lutje dashurie ne Paris

Një lutje dashurie në Paris

Këtë lajm e bën të njohur drejtori i QKK-së Xhevdet Ferri, sipas të cilit, filmi i Minarollit do të shfaqet fillimisht në Francë e menjëherë edhe në Tiranë për publikun shqiptar. Ngjarjet e filmit me skenar të Ylljet Aliçkës vendosen në vitin 1992 në Berat. Në film tregohet një bashkësi njerëzish me besime të ndryshme, vende të ndryshme fetare dhe me botëkuptimeve të ndryshme. Këtu fillon loja. Skenari është i mbushur me grotesk dhe konflikti nuk është real, por hipotetik. Është një konflikt fetar dhe në një vend si Shqipëria, ku bashkëjetesa dhe toleranca mes besimeve të ndryshme fetare është për tu admiruar, ai nuk mund të sjellë përçarje. Kjo është ideja e regjisorit. Dikur ai është shprehur që filmi mund ta kishte titullin edhe "Fllad ere", pasi konflikti qëndron midis perdes edhe erës. Një konflikt që nuk mund të ndajë shoqërinë. Ngjarja vjen përmes interpretimit të një kasti interesant aktorësh, mes të cilëve violinisti Tedi Papavrami, i cili luan sërish rolin e një artisti, por këtë herë të një piktori, që preferon të kthehet në atdhe pas studimeve. Luan Arta Dobroshi në rolin e një mësueseje, Ndriçim Xhepa, Margarita Xhepa, etj.

Java e filmit francez do të zhvillohet nga data 28 nëntor -3 dhjetor në Paris. Sipas drejtorit të QKK-së, Xhevdet Ferri, filmat do të shfaqen në një nga kinematë më prestigjioze të kryeqendrës franceze. Dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për shfaqje në salla të vogla, me DVD, por kinema e mirëfilltë. "Kemi bërë aktivitete të tjera në vende të ndryshme, në Romë, Bristol, etj., por në nivelin e DVD0-së, për të cilën unë jam totalisht kundër. Film është të shkosh në kinema, të presësh biletën dhe të shohësh në ekranin e madh, sepse filmi është prodhuar për atë destinacion", - thotë Xhevdet Ferri, për të cilin kjo javë përbën aktivitetin më profesional dhe më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare, jashtë. Çuditërisht nga 6 filmat që do të shfaqen në Paris, 4 prej tyre janë bashkëprodhime shqiptaro-franceze. "Është një bashkëpunim i suksesshëm dhe me shfaqjen e këtyre filmave ne ftojmë kineastët francezë në bashkëpunime të mëtejshme, pasi kjo rrugë është e hapur tashmë", - vazhdon Ferri. Duke qenë bashkëprodhime, jepet edhe mundësia e shfaqjes së filmave të subtitruar në gjuhën frënge. "Për të prodhuar një film me titra të printuar në frëngjisht është shumë e kushtueshme, kështu që "Gjoleka biri i Abazit" dhe "Dasma e Sakos" do të shfaqet në anekset e kinemasë me DVD, në një nga sallat e Aleancës Franceze, sepse producentët nuk kanë kopje me titra të frëngjisht", - thotë drejtori i QKK-së. Gjatë javës së filmit shqiptar do të shfaqen filma të prodhuar pas 90'-ës në Shqipëri. Ata janë "Parullat", bashkëprodhim midis shtëpisë kinematografike "Albanian General Vision" dhe shoqërisë franceze "LES FILMES DES TOURNELLES", me regji të Gjergj Xhuvanit dhe skenar të Ylljet Aliçkës, " Dasma e Sakos", me regji të Vladimir Priftit dhe skenar të Vath Koreshit, "Mao Ce Dun", me regji të Besnik Bishës dhe dhe skenar të Besnik Mustafajt, "Gjoleka, djali i Abazit", me regji dhe skenar të z. Dhimitër Anagnosti, "I dashur armik", me regji të Gjergj Xhuvanit dhe skenar të Dhimitër Xhuvanit, si dhe "Lutja e dashurisë" e Artan Minarrollit.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama