KAPITULLI I
Sigurisht, në vite kam shkruar shumë për Partizanin dhe historinë e tij të madhe. Kam shkruar shumë sepse me themelimin e këtij klubi sportiv lidhet ndoshta pjesa më e bujshme dhe më e rëndësishme e vetë historisë së sportit shqiptar. Kështu, në këtë shkurt që sapo kaloi ka qenë 70-vjetori i themelimit të tij.
Dhe më duhet t'i kthehem prapë historisë së tij, që po e quaj "kritike", sepse ajo nuk do të jetë thjesht rreshtim apo tregim historie, por edhe një përimtim kritik i vetë historisë. Edhe unë, si shumë të tjerë, e kam thënë se Partizani është krijuar më 23 shkurt 1946, ditë e themelimit të Ushtrisë Sovjetike.
Ndërkaq, kam kërkuar së tepërmi për të gjetur një dokument që vërteton themelimin e tij në këtë datë. Të paktën unë nuk e kam gjetur assesi këtë dokument. Ndoshta është diku. Por që themelimi i Partizanit lidhet edhe me këtë datë të shkurtit 1946, them se në të duhet të ketë diçka të vërtetë. Problemi qëndron në atë që na kujton se historisë sportive në Shqipëri i mungon një arkiv historik mirëfilli (tjetër punë një arkiv personal, qoftë edhe ky i imi) çka pengon vërtetime absolute. Jemi të detyruar të ecim kësisoj drejt gjurmëve, të vjetra e të reja.
Dhe ashtu si krejt historinë kombëtare, edhe historinë sportive do ta shkruajmë e do ta rishkruajmë. Sepse dihet, gjithmonë historia rishkruhet. Kështu ngaqë përherë dalin fakte të reja. Një gjë duhet të kuptojmë: që historia e Partizanit shqiptar nuk është vetëm histori e Partizanit.
Është histori e sportit kombëtar, jo thjesht sepse për rreth 50 vjet ky ka qenë klubi më i fuqishëm shqiptar, por sepse themelimi i tij është starti i themelimit të një sporti krejt tjetër nga ai që kishte ekzistuar para vitit 1946 në Shqipëri.
E thënë pa asnjë mëdyshje: themelimi i tij është guri i parë themeltar në ndryshimin e kahut politik e gjeopolitik të sportit që tash e mbrapa do t'i përkiste shoqërisë komuniste në Shqipëri, që drejtë me e thënë, në mënyrën e vet të paraqitjes, ecurisë dhe zhvillimit, në gjithë Europën Lindore ka qenë tejet i fuqishëm.
E gjitha kjo situatë në mënyrën më të mahnitshme përkon me një jubile pra, që për historinë moderne të sportit shqiptar është gjigante: me 70-vjetorin e themelimit të Partizanit - klubit sportiv të sukseseve ndër më të spikaturat e ndër më të rëndësishmet në historinë e Shqipërisë.
Siç u tha - e këtë ndoshta më shpesh se askush e ka thënë autori i këtij shkrimi - "zyrtarisht" Partizani është krijuar më 23 shkurt 1946, plot 70 vjet më parë. Është thënë pra, se është themeluar mû në ditën e themelimit të Ushtrisë së Kuqe të Leninit, 23 shkurt 1917, ajo që njihet si "Dita e Ushtrisë Sovjetike dhe Flotës Detare Ushtarake", që ne në gjimnaz duhej ta shkruanim pa gabime në rusisht: . Natyrisht që edhe këtu i duhej përngjarë Bashkimit të Lavdishëm Sovjetik.
Po ndërkaq, aq sa ç'ishte një përngjasim sovjetik, themelimi i Partizanit tonë më tepër ishte një imitim i pashembullt jugosllav. Për çudi, Partizani ynë nuk do të merrte emrin e skuadrës ushtarake të Bashkimit Sovjetik, të famshmes CSKMO, CDKA, CDSA apo CSKA të Moskës, por emrin e Partizanit beogradas jugosllav. Partizani i Jugosllavisë është themeluar më 4 tetor 1945.
Ai është klubi legjendar jugosllav, i cili, përveç rreth 30 e sa kampionateve dhe kupave të Jugosllavisë që do të fitonte, më 1966 do të bëhej deri dhe Nënkampion i Europës në Kupën e Kampioneve. Ky është Partizani i parë në Europë. Prej tij kanë rrjedhur gjithë "Partizanët" e tjerë.
I dyti është i yni, në më pak se katër muaj mbas të parit si një "binjakëzim" që vinte prej kancelerive të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, vasale e së cilës ishte Partia Komuniste e Shqipërisë që po sundonte Shqipërinë.
Shumë shpejt, vetëm 100 ditë mbas themelimit të këtij Partizani të Beogradit, më 13 janar 1946, dy ditë mbas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, në Tiranë është zhvilluar një ndeshje e çuditshme, që për kah emërtimi nuk kishte ekzistuar deri asokohe në Shqipëri: Skuadra Përfaqë- suese e Ushtrisë Kombëtare - Vllaznia e Shkodrës!
Shumë i zgjatur emërtimi i kësaj skuadre tejet të çuditshme, ndoshta e vetme në botë: "Skuadra Përfaqë- suese e Ushtrisë Kombëtare", që shpejt do të zëvendësohej me të "Ushtrisë Popullore". Po tashmâ ajo ishte e pranishme. Vetëm në pak ditë, andej nga gjysma e shkurtit, ajo do të thirrej me emrin më jehues të kohës:
"Partizani"! Askush nuk arrinte të kuptonte në atë 13 janar të vitit 1946 se në fushën e lojës papritmas kishte dalë skuadra, e cila shumë shpejt do të bëhej shkak për të ndryshuar gjithë natyrshmërinë e ecurisë së kampionateve të futbollit të një vendi, madje edhe të sportit kombëtar, në rastin tonë të Shqipërisë. Do të ishte si të ndërrohej rrota e historisë. Ideja apo urdhri për formimin e Partizanit shqiptar erdhi nga kryeqyteti jugosllav, kur dihej se ç'urdhra më të rëndësishëm mbërrinin nga Beogradi për t'u zbatuar në Tiranë.
Ndonëse, sa për histori, do thënë se Partizani beogradas i Bobekut e Çajkovskit mbeti ushtarak vetëm deri më 1953, ndërsa i yni deri në vitet '90 duke ushtruar fuqinë e tij absolute në sportin shqiptar. E pra, për sa kohë që nuk kemi në dorë asnjë dokument zyrtar të themelimit të Partizanit, mos ndoshta duhet të marrim si datë të themelimit të tij këtë 13 janar 1946?
E tash le të shohim se çka ndodhi më 13 janar 1946. Ai është një barazim i fortë, ndonëse 0-0, që përkon me optimizmin e madh që pushton propagandën për Partizanin e ardhshëm kur deklarohet: "Me stërvitje të përbashkë- ta, skuadra e Ushtrisë s'onë do të dijë me korrë sukseset ma të ndritëshme jo vetëm në ndeshjet e brendëshme, por edhe n'ato kundër skuadrave të huaja me të vërtetë të forta."
Ishte punë e kryer krijimi i klubit ushtarak dhe ky parashikim i ecurisë së sukseseve të bujshme do të vërtetohej në kohën e shpejtë që vinte. Ja dhe skeda e ndeshjes me emërtimet e gjata të të dy skuadrave:
SKUADRA PËRFAQËSUESE E USHTRISË KOMBËTARE - SPORTKLUB VLLAZNIJA E SHKODRËS 0-0
13 janar 1945. Tiranë. St. Kombëtar "Q.Stafa".
USHTRIJA: Bonati, Luga, Tepelia, Demneri, Fagu, Rexhepi, L.Hoxha, Teliti, Kavaja, Bakalli, Sh.Bylyku.
VLLAZNIJA: Tahiri, Gjeloshi, Osmani II, M.Dibra (Alibali), Koxhja, Fakja, Smajli, Rifat Rusi (Halepiani), Juka, Vasija, Barbullushi.
GJYQTAR: Enver Kulla.
"Ekipi përfaqësues i Ushtrisë Kombëtare, - shkruan germë për germë "Sporti", - i përgatitur teknikisht nga sportisti i mirnjohur Jani Leka, ka lanë një përshtypje të shkëlqyeshme". Dhe duhej të vinte pra muaji prill, saktësisht 7 prill 1946, kur zhvillohet ndeshja tjetër "përuruese", ajo Partizani - 17 Nandori, ku për herë të parë skuadra e Ushtrisë Kombëtare del në fush- ën e lojës me emrin e saj "Partizani", të atij i cili do të sundonte futbollin e sportin shqiptar për gati një gjysmë shekulli.
Do t'i rikthemi më mbas kësaj ndeshjeje... E pra, cilën duhet të marrim si datë të themelimit të Partizanit, 13 janarin apo 7 prillin 1946? Ku për çudi kjo e fundit qenka 7 prill, ditë e aktit të parë të rezistencës shqiptare të Luftës së Dytë Botërore (7 prill 1939), por një ditë heroike e shqiptarëve, ndonëse e ushtarakëve mbretërorë, të cilët nuk kanë të bëjnë me partizanët që do të mbërrinin mbas pak.
Nuk ndalin mëdyshjet... Dhe, dy javë më vonë, ky Partizan shndërrohet prapë në "Skuadra e Ushtrisë", kur shfaqet në fushën e "Qemal Stafa"-s përballë Spartakut të Moskës, duke humbur 2-5 prej 11-shit legjendar të Salnikovit me shokë. Por, për të ardhur te kjo ndeshje apo ditë, për muaj të tërë futbollin shqiptar e sundojnë ndeshjet që po i quajmë "ushtarake".
Nuk pushon jehona dhe nderi i Luftës. E ndonëse ajo kishte përfunduar për gjithë botën më 9 maj 1945, të duket se në Shqipëri gjithçka shndërrohet në diçka tjetër. Dhe nuk dëgjon veçse Divizione e Brigada, të cilat tash, mbasi i lënë armët në kazerma, papritmas dalin në fushën e lojës.
Është vërtet i bujshëm turneu në Jugosllavi i Sportklub Tiranës (e kjo ende kështu quhet) me ndeshje, të cilat duhen pranuar si të parat ndërkombëtare të Mbasluftës, Mbasi më parë kemi Crvena Zvezda - Tirana 11-2, ky turne i gushtit 1946 përshkohet nga Beogradi në Lubjanë, nga Shkupi në Kumanovë: Crvena Zvezda - SK Tirana 4-1, Lubjana - SK Tirana 4-1, Maqedonia - SK Tirana 4-1, Kumanova - SK Tirana 4-0.
Janë rezultate që duken se dalin jashtë temës sonë. Kësisoj, më të çuditshme janë këto të tjerat, vështroni: Divizioni i 3-të Sulmues i Shqipërisë - Divizioni 22 Jugosllav 1-1, Shkodra - Divizioni 46 Jugosllav 2-0, Marina Jugosllave e Adriatikut Jugor - Garnizoni i Tiranës 2-2 e 0-2, Divizioni i 2-të Jugosllav - Divizioni i 3-të Sulmues i Shqipërisë 1-2, Proleter i Dubrovnikut - Garnizoni i Tiranës 0-8, Kotorri - Garnizoni i Tiranës 4-3. Dhe mandej Marina Jugosllave - Skuadra e Ushtrisë së Shqipërisë 2-1.
E pra, gjithë ky "militarizim" apo "ushtarakizim" i futbollit a nuk është preludi i Partizanit tonë? Mos ndoshta duhet konsideruar paraardhësi i Partizanit skuadra e Garnizonit të Tiranës, i cili madje shkon edhe ai në një turne në Jugosllavi?...
Jemi kthyer pra kështu disi mbrapa, te viti 1945, e për një çast të shkon mendja ta kthejmë një vit mbrapa edhe vetë themelimin e Partizanit apo Skuadrës së Ushtrisë Kombëtare!... Kampionati i parë Kombëtar i Mbasluftës, ai i vitit 1945, fsheh në vetvete një fakt të madh drejt kësaj ideje... Do të vazhdojmë me befasi të tjera të kësaj historie tonën kritike në numrat e ardhshëm të "Panorama Sport"...