Nje gjigant nga Izraeli per te udhehequr sulmin e Partizanit

Një gjigant nga Izraeli për të udhëhequr sulmin e Partizanit

Partizani nuk ka bërë merkato të zgjeruar në këtë verë, ku bilanci i deritanishëm është 4 përforcime. Madje ky proces është shoqëruar edhe me disa luhatje, që kanë të bëjnë me dështimin e sulmuesit Dalibor Volas dhe largimin e Renato Arapit drejt Turqisë.

azubel1

Merkatoja e verës ndodhet në ditët e fundit, gjithsesi Partizani është i vendosur që ta shfrytëzojë në maksimum afatin, ku kërkimet kryesore mbeten në përforcimin e sulmit. Pas bisedimeve disaditore, me sa duket Partizani e ka gjetur një zgjidhje për sulmin, pasi është arritur akordi me një lojtar nga Izraeli.

Pikërisht bëhet fjalë për Ben Azubel, i datëlindjes 19 shtator 1993. 22-vjeçari është 193 cm i gjatë dhe roli i tij është qendër sulmues, por shpesh herë në karrierën e tij ka luajtur edhe në mesfushë.

azubel"Gjigandi" izraelit e ka përqendruar karrierën e tij në vendlindje, ku ka provuar të luajë për disa klube të ndryshme, madje këtë verë ai ka kaluar nga Hapoel Petah Tikva te Beitar Jeruzalem. Me sa duket sulmuesi është joshur nga drejtuesit e Partizanit për të nisur një aventurë të re jashtë Izraelit.

Ben Azubel do të mbërrijë sot në Shqipëri për llogari të të kuqve të kryeqytetit, ku do të nënshkruajë edhe kontratën 2-vjeçare. Ndonëse në moshë të re, statistikat e sulmuesit janë të mira, ku vetëm në sezonin e fundit ka shënuar 13 gola në 33 ndeshje për Hapoel Petah Tikva.

Partizani e ka vuajtur shumë, gjatë kësaj vere, mungesën e një pike referuese në sulm, pasi lojtarët që kanë luajtur në ndeshjet e Kupave të Europës kanë qenë improvizime. Fili dhe Ekubani kanë qenë lojtarët që janë mundur të bëjnë "pykën" në përballjet europiane, ndonëse karakteristikat e tyre janë të tjera, sulmues krahu.

sormani volas

Në fillim të korrikut, Partizani afroi sllovenin Volas me shpresën që do të përmbushte boshllëkun që la largimi i Sukjat, por 29-vjeçari nuk arriti të përshtatej me ekipin, por financiarisht doli i fituar, pasi përfitoi 21 mijë euro për 36 ditë qëndrim. Shpresohet që kësaj radhe drejtuesit të kenë bërë zgjedhjen e duhur për sulmin me afrimin e 22-vjeçarit izraelit, Ben Azubel.

Merkatoja e Partizanit nuk mbyllet me sulmuesin izraelit, pasi drejtuesit e klubit kanë bërë gati një surprizë, por për momentin nuk preferojnë që të japin emër.

ILIR CARA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama