Nje film per Nene Terezen

Një film për Nënë Terezën

Drejtori i Qendrës Kinematografike, Xhevdet Ferri, u ka kërkuar kineastëve kosovarë gjatë qëndrimit në festivalin "Nine Eleven" që u mbajt në Prishtinë, bashkëpunim për realizimin e një filmi për Nënë Terezën. Realizimi i këtij prodhimi, sipas tij, është porositur nga Presidenti Bamir Topi. "Një nga ofertat konkrete, është që sivjet Nënë Tereza ka bërë dhjetë vjet që s‘është me ne. Ftojmë gjithë kineastët, ata që shkruajnë, që të na japin një projekt, pastaj të bëjmë përzgjedhjen e njerëzve që mund ta realizojnë, dhe të sigurojmë edhe mjetet", është shprehur Ferri.

Sipas tij: "Kryeministri ka dërguar një fond prej 100 mijë eurosh dhe ka kërkuar një projekt të mirë prej nesh. Kryeministri të japë para për të bërë një vepër. Nëse nuk e bën, ai bën kanalizim apo hap rrugë diku tjetër", ka potencuar ai.

QNK nuk mund të mbështesë projekte 100 për qind. "Ne nuk mbështesim 100 për qind projekte, të gjitha janë bashkëproduksione. Ne e kemi tregun e vogël, duhet të punojmë edhe për tregun e huaj, dhe duhet të bëjmë marketing kulturor për vete. Në rastet kur ne e mbështesim tërësisht një film, bëjmë film lokal, dhe ai nuk arrin të ketë treg ndërkombëtar", është shprehur Ferri, i cili e ka parë prezencën në "Nine Eleven" si një mundësi për të komunikuar me artistët kosovarë për ndonjë projekt të përbashkët.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama