Nje Cmim ne mungese per Vangjush Furxhine

Nje Cmim ne mungese per Vangjush Furxhine
Çmim karriere për Francis Coppola dhe i Argjendtë për Claudia Cardinale

Kolegët e kujtojnë me respektin më të madh. Puna e tij, rolet, sukseset, profesionalizmi e mbi të gjitha natyra e tij, shpirti, janë disa nga karakteristikat që ia çmojnë të gjithë ata që e njohin. 13 vjet pas vdekjes “Artisti i Popullit” Vangjush Furxhi do të vlerësohet me ‘Çmimin e Karrierës’, në mungesë, në edicionin e katërt të Festivalit të Filmit në Durrës.

Dje drejtoresha e këtij festivali, Anila Varfi, ka bërë publik për mediat programin e festivalit dhe mes tyre edhe çmimet që do të jepen. Çdo vit ky festival ka vlerësuar emra të mëdhenj të aktrimit shqiptar, e në këtë rast do të jetë Furxhi, i cili do të tërhiqet në emër të tij nga e shoqja. Në këtë kuadër gjatë festivalit do të transmetohet retrospektivë filmi “Njeriu i mirë” me autor Ibrahim Muça, Kristaq Mitro realizuar në vitin 1982. Shfaqja e këtij filmi do të prezantohet nga regjisori Kristaq Mitro dhe aktori Bujar Asqeriu.

‘Çmim Karrierë’ do t’i jepet edhe regjisorit të madh botëror Francis Ford Coppola, si novatori më i madh i kinematografisë moderne. Çmime që do të ndahen në skenën e Amfiteatrit Romak përmes një ceremonie me tapet të kuq.

E ashtu siç është bërë tashmë publike në media, aktorja e shquar Claudia Cardinale, e cila do të jetë e pranishme në Festivalin e Filmit Durrës, do të marrë ‘Çmimin e Argjendtë’ të Durrësit në një ceremoni speciale ne teatrin “Aleksandër Moisiu”. Festivali ka privilegjin të nderojë një nga personalitetet më krijuese në fushën e aktrimit. Motivimi për çmimin që do t’i dorëzohet nga kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, është si vijon: “Çmimi i Argjendtë i jepet Claudia Cardinales, figurës ikonë të aktrimit italian”.

Edicioni i 4-t

Festivali i Filmit Durrës, që zhvillohet nga 27 gushti deri më 2 shtator, këtë vit feston edicionin e katërt, me të ftuar të rëndësishëm, filma premierë dhe një sërë evenimentesh speciale. President Nderi i edicionit të 4-t, regjisori Dhimitër Anagnosti. Mes të ftuarve përmendim: regjisorin legjendar Francis Ford Coppola, aktoren yll të kinemasë italiane Claudia Cardinale, regjisorin e shquar çek Jiri Menzel, si kryetar i Jurisë Ballkanike, regjisorin dhe filozofin polak Kryzystof Zanussi, Lech Majewski, producentin britanik Nick Powell si kryetar i Jurisë Ndërkombëtare, producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija. "Ky është viti më i mirë i festivalit", thotë Anila Varfi, drejtoresha artistike e IFS Durrës, sepse besojmë se kemi arritur një nivel që e aspirojmë prej kohësh: të ftuarit e shquar, programet e filmave në konkurrim dhe jashtë konkurrimit, që e bëjnë këtë edicion një festë të vërtetë kinematografike, por njëherazi pasqyron edhe nevojat e një festivali modern”. Bukuria e Durrësit të vjetër qëndron në aftësinë për të asimiluar të rejat e kohës sonë dhe besojmë se simbol i kësaj është shfaqja e filmit “TETRO” nga Francis Ford Coppola në Amfiteatrin Romak. Në çdo festival ka filma që është e pamundur t’u thuash jo, edhe nëse ata nuk hyjnë në kategoritë e paracaktuara. Në Durrës Film Festival, këta tituj nuk duhen humbur!"

Çelja

Festivali do të hapet me filmin e suksesshëm turk "Honey" (Mjalti) të Semih Kalanouglu, fitues i ‘Ariut të Artë’ në Festivalin e Berlinit 2010, i cili do të shfaqet në qiell të hapur në Amfiteatrin Romak. Kjo shfaqje verore do të ndiqet nga mbi 800 shikues. Ndërsa një tjetër event i mrekullueshëm që do t’i takojë Ceremonisë së Mbylljes së Festivalit do të jetë dhe Filmi Mbyllës i edicionit të 4-t të Durrës Film Festival. Federico Fellini me filmin e tij “8 1/2” (Otto e Mezo) do të jetë Filmi Mbyllës, ku do të jetë kënaqësi për të gjithë ne që aktorja e mrekullueshme Claudia Cardinale do ta prezantojë filmin për publikun, duke e kthyer kështu shfaqjen e këtij filmi në një tjetër event të këtij edicioni. Ky vit ka risinë madhe që për herë të parë territori shqiptar do të mbulohet legalisht nga FIPRESCI (Federata Internacionale për kritikën Kinematografike), duke bërë kështu të mundur vizibilitetin e këtij eventi kinematografik edhe jashtë kufijve nacionalë. Durrës Film Festival këtë vit vjen me: 19 Premiera Absolute Shqiptare, 6 Premiera Ballkanike, 1 Premiere Absolute Europiane, 2 Premiera Absolute Internacionale. Gjithashtu ky vit kthen dy seksionet konkurruese kryesore, Vizione Bashkëkohore dhe Bota Ballkanike, ndërkohë që festivali i ka hapur derën edhe Turqisë dhe SHBA-së, që vijnë me shfaqje speciale si Të Ftuar Nderi të këtij Edicioni. Në bashkëpunim me ‘Marubin’, Akademinë e Arteve të Bukura dhe Akademitë e Kosovës e Maqedonisë, Festivali do të organizojë sërish seksionin konkurrues për Filmin e Shkurtër të Studentëve Shqiptarë; dhe për të dytin vit radhazi do të përqendrohemi në Programin e Dokumentarit Internacional për problemet mjedisore të botës. “Festivali i Filmit në Durrës synon një audiencë të re", thotë Anila Varfi. "Jemi në këtë rrugë sepse shumë të rinj nga universitetet, shkollat e filmit në Shqipëri, vijnë për të marrë pjesë në Kampusin e Festivalit dhe për t’u njohur nga afër me kinemanë shqiptare dhe botërore përmes Leksioneve të Kinemasë dhe takimeve me aktorë dhe regjisorë të famshëm”. Amfiteatri Romak është një arenë e hapur, ndër më të vjetrat në Europë. Gjatë festivalit, një ekran gjigant do të ngrihet mbi skenë, për një audiencë deri në 5000 shikues gjatë ditëve të festivalit.

SEKSIONET KONKURRUESE

Dy seksionet ekskluzive, ai europian dhe ballkanik, vijnë me 8 filma secili. Përzgjedhja është fryt i një kërkimi të gjatë dhe të duruar nga programatorët Silvia Bizio, Burbuqe Berisha, Aleksander Perovic, me qëllimin kryesor prezantimin e kinemasë bashkëkohore novatore dhe sidomos ata filma që zakonisht nuk marrin vëmendjen dhe vizibilitetin që meritojnë.

VIZIONI BASHKËKOHOR

Juria ndërkombëtare e Vizioneve Bashkëkohore do të japë çmimin më të rëndësishëm të festivalit, “Gladiatorin e Artë” për Filmin më të Mirë, bashkë me çmimet e tjera për Regjisorin më të Mirë, Aktorin më të Mirë dhe Aktoren më të Mirë. Anëtarët e Jurisë Internacionale në edicionin e 4-t të Festivalit të Filmit Durrës janë: Nick Powell, drejtor i Shkollës së Filmit (UK)-President i Jurisë Kujtim Çashku, regjisor (Shqipëri)-Anëtar i jurisë Henning Lohner, kompositor (USA).

BOTA BALLKANIKE

Pavarësisht krenarisë për identitetin ballkanik, Durrësi gjithmonë e ka lënë derën hapur për kinemanë ballkanike që shfaqet në seksionin Bota Ballkanike. Juria e seksionit ballkanik do të drejtohet nga presidenti i saj, regjisori çek Jiri MENZEL, ndërsa juria FIPRESCI do të përbëhet nga 3 gazetarë të kritikës së filmit. Ndërsa një grup I përzgjedhur prej 10 kinemadashësish jo profesionistë nga zona e Durrësit, të cilët do të japin çmimin Filmi më i Mirë i Audiencës. Anëtarët e Jurisë Ballkanike në edicionin e Katërt të Festivalit të Filmit Durrës janë: Jiri Menzel, regjisor (Çeki)- President i Jurisë, Katia deVidas, Regjisore, (Francë)- Anëtar i Jurisë, Nasi Lera, skenarist, shkrimtar, (Shqipëri)- Anëtar i Jurisë. Juria FIPRESCI; Sheila Johnston, kritike,(Angli) - President i Jurisë FIPRESCI, Mihai Fulger, kritik, (Rumani) - Anëtar i Jurisë, Elsa Demo, gazetare,( Shqipëri) - Anëtare e Jurisë

TURQIA, E FTUAR NDERI

Festivali vazhdimisht promovon kinematografinë e vendeve të ndryshme dhe që nga viti 2009 ne kemi sjellë kinemanë italiane, franceze dhe këtë vit atë turke dhe USA- “Kinemaja Coppola”. Turqia si e Ftuar Nderi 2011, kritikja kinematografike turke Alin Tascihan, ka bërë një përzgjedhje të kuruar të 7 filmave turq që do t’ia prezantojmë publikut.

SHBA –I FTUAR NDERI

“TRIBUT – COPPOLA” - SHBA 2011:

Në këtë seksion do të ketë në program për shfaqjen “Tribut – Coppola” dy nga titujt më të fundit të regjisorit legjendar: “TETRO” (by Francis Ford Coppola, USA, ARGENTINA, SPAIN, 2009, 127’) dhe “RINI PA RINI / YOUTH ËITHOUT YOUTH”, (by Francis Ford Coppola, USA, ROMANIA, FRANCE, ITALY, GERMANY, 2007, 124'). Francis Ford Coppola do të mbajë një seancë Pyetje–Përgjigje në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datë 31 gusht ora 17.00. Seanca do të zgjasë 1 orë e 15 min. Shfaqjet e filmave të tij do të jenë të programuar më datë 1 shtator. Shfaqja e parë do t’i takojë filmit “Youth Without Youth” (Rini pa Rini), i cili do të shfaqet premierë shqiptare në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Francis Ford Coppola do të prezantojë vetë filmin për audiencën e Durrës Film Festival për 15 min. Shfaqja e dytë do t’i takojë filmit “ TETRO”, i cili do të shfaqet në amfiteatrin e lashtë romak. Francis Ford Coppola sërish do ta prezantojë vetë shfaqjen e filmit, i cili vjen premierë absolute shqiptare. Prezantimi i tij do të zgjasë 15 min.

Seksione të tjerë

Në këtë seksion do të ndalojmë në problemet e ambientit në mbarë globin. Titujt e përzgjedhur në këtë seksion janë të mirë menduar. Në DURRËS, Orët Mësimore të Mjeshtërve (Master Class) janë një traditë e konsoliduar dhe zhvillohen çdo ditë në teatrin "Aleksandër Moisiu" dhe në “Sallën e Rinisë”, me audiencë të interesuar që përbëhet nga studentë, gazetarë dhe publik të gjerë. Këtë vit kemi kënaqësinë të prezantojmë: Leksione Kinemaje- Shfaqje Speciale: INTELIGJENCЁ ARTIFICIALE / ARTIFICIAL INTELLIGENCE (by Stanly Kubrick, USA 2001, 146’) dhe BARRY LYNDON (by Stanly Kubrick, USA, 1975, 184’) . Leksionet mbi këta dy filma do të mbahen nga regjisori dhe producenti Jan Harlan. Ai është dhe producent i filmit “Inteligjencë Artificiale” i regjisorit Steven Spielberg. Kampusi DURRËS organizuar nga Elkiana Gjipali, në vitin e parë të aktivitetit me pjesëmarrjen e studentëve të filmit dhe komunikimit. Ata do të vijnë në Durrës për të marrë pjesë në takime me talente premtuese të kinematografisë shqiptare dhe me personalitete të famshëm që do të flasin për përvojat e tyre në seanca në formë bashkëbisedimi. Për të dytin vit radhazi, festivali organizon seksionin e rëndësishëm konkurrues për filmin e shkurtër të studenteve shqiptarë për regjisorë. Në bashkëpunim me Median Partnerin Televiziv VIZION PLUS, filmi fitues do të shfaqet në ekranin e këtij televizioni, duke përfituar kështu vizibilitet kombëtar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama