Nik Xhelilaj Dua ti rrefej botes histori shqiptare

Nik Xhelilaj: Dua ti rrefej botes histori shqiptare
Ne te paren shfaqje ne ekranin e madh te kinemase, Nik Xhelilaj ishte studenti shqiptar qe kishte shkuar ne çeki e ishte perfshire ne nje histori dashurie me nje grua te martuar. Regjisori Piro Milkani e zgjodhi per personazhin kryesor, ate qe mbante nostalgjite dhe pak nota autobiografike te vete regjisorit ne filmin “Trishtimi i Zonjes Shnajder”. Ne ditet e fundit te qershorit, aktori i ri, Nik Xhelilaj, provoi shijen e suksesit nderkombetar. U zgjodh si aktori me i mire me filmin “Shqiptari” ne Festivalin Nderkombetar te Moskes. Te ardhmen e tij e sheh ne Shqiperi, ndersa pikesynim mbetet teatri.

Ne te paren shfaqje ne ekranin e madh te kinemase, Nik Xhelilaj ishte studenti shqiptar qe kishte shkuar ne çeki e ishte perfshire ne nje histori dashurie me nje grua te martuar. Regjisori Piro Milkani e kishte pikasur teksa kerkonte mes te rinjve te Akademise se Arteve. Nik Xhelilaj ishte ate kohe ne vitin e pare per aktrim. Milkani e zgjodhi per personazhin kryesor, ate qe mbante nostalgjite dhe pak nota autobiografike te vete regjisorit ne filmin “Trishtimi i Zonjes Shnajder”. Niku u cilesua shume shpejt si “bukuroshi” i kinemase. Kujtoj qe ne ate kohe kur xhirimet do nisnin, pese vjet me pare, regjisori Saimir Kumbaro, ulur ne kafenene e improvizuar poshte rrapit ne pjesen ballore te Galerise se Arteve,(aty takoheshin dikur nje pjese e mire e artisteve) kishte nje tufe fotografish me pretendentet e ketij roli. I kalon njera pas tjetres dhe ndalet te fotografia e Nikut. Ai ishte i perzgjedhuri. Ky do te ishte i pari hap i aktorit te ri drejt filmit.

Ne ditet e fundit te qershorit, nga Moska erdhi lajmi se filmi ende i pashfaqur per publikun tone, “Shqiptari” kishte fituar dy çmime. Nje bashkeprodhim shqiptaro-gjerman nen regjine e Johannes Naber me skenar te regjisorit dhe Ani Spahivoglit. Ne Festivalin Nderkombetar te Moskes, ku nje film shqiptar konkurron ne seksionin zyrtar, “Shqiptari” merr çmimin special te jurise, ndersa Nik Xhelilaj vleresohet si aktori me i mire. “Akoma s’me besohet plotesisht. Po filloj te mesohem. Ishte nje surprize shume e bukur. Se bashku me regjisorin dhe producentin Dritan Huqi u nisem drejt Moskes pa pretenduar per asgje. Per ne edhe vetem perzgjedhja e filmit ne kompeticionin zyrtar ishte mjaft. Ne festivale te tilla funksionon se tepermi sistemi i lobingjeve. Grupi yne nuk kishte asnje shans te krijonte nje te tille. I pame anetaret e jurise vetem pas çmimeve.

U ndjeva i lumtur kur kryetari i jurise, Luc Besson me pershendeti”, shprehet Xhelilaj, i cili pas Moskes ka udhetuar ne Festivalin e Filmit ne Munih ku filmi ishte serish ne konkurrim, nderkohe qe neser filmi shfaqet ne festivalin Karlovy Vary ne kategorine "East of the West”. Pas “Trishtimit te Zonjes Shnajder”, Xhelilaj u ftua nga regjisori Artan Minarolli ne filmin “Gjalle”. Serish nje rol studenti, por kete here shume me vone ne kohe, vendosur ne nje kuadrin social te gjakmarrjes. Personazhi i tij i ri levrin po ne te tilla probleme, kete here ato te nje emigranti shqiptar. Xhelilajt i ka takuar te interpretoje personazhe tipike, ndonese pervoja ende nuk e ka lejuar qe te jape me te miren ne ekran apo te depertoje ashtu siç duhet ne karakterin qe i eshte besuar.

“U ndjeva krenar qe ne ate festival perfaqesohesha me film shqiptar. Pati reagime pozitive nga publiku. Vinin njerez, filmdashes apo filmberes qe pyesnin se si eshte Shqiperia, a eshte po aq e bukur si ne film? A emigrojne ende njerez. Perveç nje domethenie te madhe qe ka per mua, ky çmim u jep shprese te gjithe aktoreve te rinj qe punojne ne Shqiperi, u jep shprese te besojne qe te punosh si aktor ne vendin tone nuk eshte vetem nje enderr e bukur, por zgjedhja e duhur”, thote Xhelilaj. I aktivizuar qe ne vitet e para te Akademise se Arteve ai eshte optimist edhe per te ardhmen. Ne fakt, eshte e kunderta e nje pesimizmi te pergjithshem qe kane sot artistet e rinj ne Shqiperi. Sipas tij, kompani te reja teatrore po vazhdojne te hapen e do te hapen ne vazhdim, nderkohe qe e quan fat qe ka ardhur koha qe drama dhe kalvari i shqiptareve neper Europe te thuhet me ze te larte ne film.

Kjo pjesemarrje e ka vene aktorin e ri ne kontakt me te drejtperdrejte me industrine e filmit. “Konkurrimi nga viti ne vit vjen ne rritje, tregu i filmit po behet me i veshtire, ndaj jam krenar qe edhe Qendra Kinematografike mundi te arrije sukses me nje prodhim te sajin”, thote Xhelilaj. Bashkepunimi me Johannes Naber ishte i pari per te me nje regjisor te huaj. Duke folur me mirenjohje per regjisoret Milkani dhe Minarolli qe i dhane eksperiencat e para, tregon se pati lodhje, edhe veshtiresi qe ne fund ia vlejten. “Naber ka pare dhe ka treguar me pas ne shirit nje histori shqiptare me shume zemer. I falenderoj te gjithe ata qe bene te mundur qe kjo histori te tregohej dhe qe ky film te realizohej”.

Galeria e personazheve shqiptare qe do te donte te realizonte per te eshte e shumte. “Do doja te tregoja fatet e shume shqiptareve qe ne keto vite kerkuan fatin e tyre ne rruget e Europes. Sigurisht qe do te doja te behesha pjese edhe e historive qe s’i kam jetuar, siç jane vitet e veshtira te komunizmit. Nuk xhelozoj ndonje gje kushedi jashte Shqiperise”, shprehet Xhelilaj. Ne fakt, festivali i Munihut i ka ofruar disa kontakte. Nje producente ruse, regjisori venezuelian, Marcel Rasquin, qe fitoi çmimin e pare dhe nje tjeter regjisor polak fitues kane vendosur kontaktet me te. “E ardhmja do te vazhdoje ne Shqiperi”, thote Xhelilaj duke perjashtuar per momentin ndonje shperngulje te mundshme ne nje vend tjeter. Ndersa eshte njohur si aktor filmi, angazhimet ne teater kane qene me te pakta per te. “Sigurisht qe teatri mbetet synimi im. Ne fund te fundit, une mbarova shkolle per aktrim ne teater. Pata fat te punoja ne film, por dhe angazhimet ne teater nuk i kam lene”, perfundon Xhelilaj duke vazhduar te shijoje suksesin e pare nderkombetar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama