Nigeriani Boniface rikthehet ne Korce Sebino Plaku drejt largimit

Nigeriani Boniface rikthehet në Korçë, Sebino Plaku drejt largimit

Mateu Boniface është përfundimisht futbollist i ri i Skënderbeut. Largimi i tij nga Korça nuk ka zgjatur më shumë se 5 ditë, pasi vetëm dje ai është rikthyer sërish në bazë. Kujtojmë që ai iku për shkak të pengesës së dokumentacionit, ndërsa klubi i Aris Limasol i kishte "bllokuar" kartonin.

Mateu Boniface

Mateu Boniface

Megjithatë, kjo histori ka fund të lumtur, pasi nigeriani është bërë zyrtarisht pjesë e bardhekuqve. Rikthimi ka qenë disi i çuditshëm në fakt, por shumë shpejt dilema është zgjidhur, kur u komunikua se problemet me qipriotët kanë marrë fund. Kujtojmë se nigeriani është larguar pasi nuk ka marrë dot lejen e kalimit nga Aris Limasoli. Ky klub pretendonte se sulmuesi kishte një kontratë ekzistuese me ta, ndaj nuk mund të transferohet diku tjetër.

Menjëherë pas largimit, sulmuesi i është drejtuar FIFA-s, për të zgjidhur problemet dhe kjo e fundit i ka dhënë të drejtë lojtarit, duke i hapur "dritën jeshile" për të marrë lejen e kalimit. Pasi "qeveria" e futbollit ndërkombëtar i ka dhënë të drejtë, ai ka kontaktuar Skënderbeun, që e ka mirëpritur. Për pasojë ai ka nënshkruar kontratë 3- vjeçare me kampionët në fuqi të vendit.

Konfirmimi

Akordin me 21-vjeçarin e konfirmon vetë presidenti i Skënderbeut. I kontaktuar nga "Panorama Sport", Ardjan Takaj ka zyrtarizuar afrimin e Bonifaces dhe faktin që lojtari ka firmosur 3 vjet me bardhekuqtë. "Mos u çudisni aspak. Mateu Boniface është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut tashmë dhe për këtë të jeni të bindur. Lojtari është rikthyer te bardhekuqtë sot (dje), pasi ka zgjidhur çështjen me ekipin qipriot duke fituar të drejtën nga FIFA, ku lojtari apeloi çështjen. Pasi mori lejen nga FIFA, lojtari u rikthye dhe është me të drejta të plota një futbollist i Skënderbeut. Me Bonifacen kemi arritur akordin për tri sezonet e ardhshme", u shpreh Takaj.

Agostineli-ne-stervitje-me-lojtaret-e-Skenderbeut

Konkurrenca

Me rikonfirmimin e Mateu Bonifaces, alternativat dhe konkurrenca për sulmin e bardhekuqve bëhen edhe më të forta. "Lufta" për një vend titullari do të jetë më e ashpër, ndërsa verdikti final për të zgjedhur të duhurin i takon trajnerit italian. Duke parë situatën e krijuar, në një kohë kur Skënderbeu ka në ekip plot tetë lojtarë sulmues (duke përfshirë edhe ata të krahut), rivaliteti kthehet në një çështje te korçarët.

Me Salihin, Xhejmsin, Plakun dhe tani Bonifacen, si sulmues të parë, por edhe me Serxhion, Fukuin, Latifin dhe Reza Karimin, mundësitë e zgjedhjes për Andrea Agostinelin bëhen shumë të vështira. Sulmuesit tashmë nuk e kanë më të sigurt vendin e titullarit. Por stafi teknik, duke ditur që opsionet për repartin e avancuar i ka të shumta, ka vendosur që të luajë me skemën 4-2-3- 1, duke përdorur katër sulmues në lojë, prej të cilëve dy lojtarë krahu dhe dy sulmues të deklaruar.

plaku

Plaku

Madje, vetëm mbrëmë ka nisur që të lakohet si opsion huazimi i Sebino Plakut drejt Korabit. Këta të fundit po insistojnë për të marrë në ekip sulmuesin tiranas, ndaj negociatat kanë nisur. Ajo që vlen të përmendet është se gjatë seancës së djeshme, Plaku nuk ishte as në stërvitje. Dita e sotme, e cila përkon edhe me mbylljen e transferimeve të merkatos për lojtarët vendës, pritet që të ketë diçka më konkrete për këtë çështje, nëse sulmuesi do të mbetet në Korçë apo do t'u bashkohet dibranëve. I vetmi fakt që e ka futur në dyshime lojtarin lidhet me faktin që vetë Agostineli ka shprehur dëshirën që ta ketë ende në ekip.

LLAZI SARO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama