Nga ndeshja Serbi-Shqiperi fitoi UEFA

Nga ndeshja Serbi-Shqiperi fitoi UEFA

“Nga ndeshja Serbi-Shqipëri e fituar doli vetëm UEFA, e cila mori 200 mijë euro”. Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë dhënë për BBC, lidhur me incidentin e 14 tetorit në Beograd, si dhe vendimi i marrë më pas nga Komisioni i Disiplinës. Për kreun e diplomacisë shqiptare, i gjithë incidenti duhet të shërbejë si një mësim i mirë për të dyja vendet, që në të ardhmen të bashkëpunojnë së bashku për projekte konkrete. Dhe, siç thekson Bushati, kjo për faktin se, të dyja vendet duhet të sheshojnë diferencat, pasi kanë projektin e përbashkët, atë të integrimit në Bashkimin Europian.

Një gazetar vendas i përshkroi ngjarjet e ndeshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë si një marifet të vogël e të pavlerë që shpërtheu fuqishëm. A janë ende të ndjeshme pasojat e këtij shpërthimi sipas jush?

Ne jemi më se të vendosur për të hapur një kapitull të ri në rajon dhe në marrëdhëniet me Serbinë. Si qeveri i kemi dënuar provokimet, dhunën dhe ngjarjet që shoqëruan ndeshjen e futbollit, para, gjatë dhe pas saj. Ato ishin ngjarje shumë të pakëndshme dhe ne u kemi bërë gjithashtu thirrje autoriteteve serbe të bëjnë të njëjtën gjë.

Kjo është një rikujtesë e burimit të tensioneve mes dy vendeve. A keni qenë në gjendje të gjeni se kush në të vërtetë ishte përgjegjës për këtë ngjarje?

Unë besoj se, sipas rregullave, është vendi pritës, në këtë rast Serbia, i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe ne jemi më se të gatshëm të punojmë së bashku…

Besoj se jeni në dijeni se ka pasur raportime për përfshirjen e vëllait të Kryeministrit në këtë ngjarje. A është përjashtuar kjo hipotezë?

Këto kanë qenë vetëm spekulime të mediave, të cilat shpresojmë të mos jenë ushqyer nga zyrtarët serbë, pra të kenë qenë thjesht spekulime. Ne jemi më se të hapur të bashkëpunojmë me autoritetet serbe, në qoftë se ka tregues në lidhje me ...

Sa i përket tensioneve me Serbinë, përmenda në fillim se vizita e Kryeministrit shqiptar duhej në Serbi, një vizitë që ka munguar prej 68 vitesh, u desh të shtyhej për javën që vjen. A do të kryhet kjo vizitë apo ka ende dyshime për këtë?

Ne jemi shumë të vendosur që ta kryejmë këtë vizitë, edhe pas incidenteve të Beogradit. Ka pasur një telefonatë mes dy Kryeministrave gjatë të cilës ka pasur një mosmarrëveshje mbi ngjarjet që shoqëruan ndeshjen, por nga ana tjetër ka pasur marrëveshje sa i takon kryerjes së kësaj vizite, e cila do të zhvillohet javës që vjen.

Pra vizita do të kryhet? Nuk ka dyshime për këtë?

 Vizita do të kryhet. Shqipëria dhe Serbia janë dy vende kyçe të Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi kuptuar, sidomos pas procesit të Berlinit, Konferencës së Berlinit që u zhvillua në gusht të këtij viti, se ekzistojnë shumë ngjashmëri mes nesh, pavarësisht dallimeve.

Pavarësisht dallimeve, si Serbia ashtu edhe Shqipëria synojnë të bashkohen me BE-në. A mendoni se ky incident, me tensione të tilla të hapura që u shfaqën qartë në të gjithë botën, mund të dëmtojë aspiratat e të dy palëve për t'u bashkuar me BE-në?

Kjo është e vërtetë, dhe në qoftë se mund të shtoj disa doza cinizmi, do të thoja se vetëm UEFA mori 200.000 euro nga kjo mosmarrëveshje ndërmjet ekipeve tona kombëtare. Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, ky është një mësim i mirë për të dyja vendet, që ata të punojnë së bashku për të zvogëluar dallimet, për projekte konkrete dhe për të avancuar në rrugën e integrimit drejt BE-së.

A e keni fjalën për "Shqipërinë e madhe", kur flisni për zvogëlimin e dallimeve?

Kur unë flas për zvogëlimin e dallimeve, i referohem faktit se Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE, ashtu si Serbia. Shqipëria është një anëtare e NATO-s, dhe ajo gjithashtu ka përafruar plotësisht politikën e saj të jashtme, pozicionet dhe qëndrimet e saj me ato të BE-së dhe SHBA-së, sidomos në një kohë krize ndërkombëtare. Për fat të keq, me Serbinë nuk ndodh kështu.

Nëse keni parë ngjarjet e ditëve të fundit në lidhje me tërë këtë diskutim për lëvizjen e lirë dhe atë që Kryeministri britanik Cameron ka folur; Nëse ju do t’i bashkoheni BE-së në vitin 2020, do të jeni në gjendje të pranoni çdo kufizim mbi lëvizjen e lirë?

Unë mendoj se nuk ka pikëpyetje nëse Shqipëria apo Ballkani do t’i bashkohen BE-së, ka vetëm një pyetje, që lidhet më faktin se "kur" do të ndodhë. Kjo është shumë e rëndësishme.

Por do të pranonit ju ndonjë përjashtim në lidhje me lëvizjen e lirë apo jo?

Praktika e raundeve të zgjerimit na ka mësuar se nevojitet vullneti i të dy palëve. Ky është një proces negociimi dhe ka disa kufizime të vendosura nga shtetet anëtare të BE-së, dhe ne e kemi parë këtë edhe në raundet e tjera të zgjerimit.

 Në qoftë se pranohen disa nga vendet e varfra në Evropë, kjo do të krijonte një efekt të pashmangshëm, ku shumë njerëz do të shkonin nga vendet e varfra në vendet e pasura. A nuk është e pashmangshme?

Unë mendoj se duhet ta shohim zgjerimin edhe përmes lenteve gjeopolitike, sepse 25 vjet më parë, Muri i Berlinit ra, dhe nuk duhet të ndërtojmë një mur tjetër në Evropë, sidomos në ditët e sotme kur Ballkani dhe Evropa po përballen me sfida gjeopolitike, veçanërisht me një kërcënim që vjen nga Lindja dhe Jugu.

 Ata që janë kundër lëvizjes së lirë, a duhet të largohen nga BE-ja, apo kanë të drejtë të thonë: "Le të përpiqemi të ndryshojmë rregullat"?

Unë besoj se BE-ja është një bashkësi e udhëhequr nga konsensusi, dhe mendoj se është shumë më mirë që nevojat e vendit të rregullohen në përputhje me realitetin e sotëm dhe jo nëpërmjet daljes nga kjo bashkësi.

Rama: Do të më vinte turp nëse ‘Beogradi’ do ndodhte në Tiranë

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer edhe një herë ngjarjeve të ndodhura gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, duke e cilësuar të turpshëm reagimin e autoriteteve serbe, ndërsa shton se ajo çfarë ndodhi në Beograd nuk do të ndodhte kurrë në Tiranë. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama shprehet se do të ishte ndjerë i turpëruar nëse incidenti i Beogradit do të kishte ndodhur në Tiranë. Në kë kontekst, kryeministri shqiptar tha se ndjen keqardhje që politika në Beograd u shpreh me një gjuhë urrejtjeje kundër popullit të Shqipërisë, dhe jo siç thekson ai të dënonte dhunën dhe racizmin e tifozëve. “Jam vërtet i çuditur sesi një banderolë fluturuese mund të ngjallë një furtunë të tillë nacionaliste në një stadium futbolli. Më çudit edhe verbëria me të cilën reaguan mediat ndërkombëtare. Në vend që të përqëndroheshin tek thirrjet raciste të 30 mijë njerëzve që bërtisnin “vrisni shqiptarët”, i thanë publikut se një flamur hodhi në erë gjithë takimin. E turpshme!” shprehet kryeministri Rama Sipas shefit të qeverisë, nëse një banderolë serbe do të ishte ngritur në Shqipëri, nuk do të kishte thirrje raciste nga shqiptarët për një banderolë, ndërsa shton se as qeveria që ai drejton nuk do të kishte akuzuar qeverinë serbe.

Rama nënvizon, duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç dhe Presidentit Tomisllav Nikoliç, se as ai dhe kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani nuk do të kishin bërë deklaratat fyese ndaj popullit serb, nëse një rast i tillë do të kishte ndodhur në Shqipëri. “Unë do të ndihesha keq për veten time si Kryeministër i vendit në rast se forcat e sigurisë nuk do të arrinin parandalonin trazirat dhe të mbronin lojtarët në fushë, ku nuk do të kishte asnjë tifozët serb, ju e dini se nuk ka pasur tifozë shqiptarë? E para dhe më kryesorja nuk do të akuzoja qeverinë e një vendi tjetër për diçka që i takon qeverisë sime. E dyta, ju siguroj se nuk do të ishte kënduar me kore raciste dhe asnjë lojtar nuk do të dhunohej me pretekstin se në stadium u ngrit një banderolë fluturuese. Dhe e treta, edhe nëse pranoj për hir të bisedës se gjithçka do të merrte një rrjedhë të tillë të dhunshme si në Beograd, as unë dhe as Presidenti i Republikës nuk do të kishim mbajtur fjalime të tilla fyese kundër popullit serb siç bënë autoritetet e Beogradit me popullin shqiptar”. theksoi Kryeministri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama