Nga Vieri te Kante kur nje sezon i mire te ben yll

Nga Vieri te Kante, kur një sezon i mirë të bën yll

Të blerë, të rivlerësuar dhe të shitur. Transferimi i N'Golo Kantes te Çelsi sjell edhe një herë tjetër në plan të parë një stil të vjetër në merkato: shitjet "blic" vetëm pas një sezoni pozitiv. Francezi, protagonist në rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Leiçesterit drejt titullit kampion, është paguar 38 milionë euro nga Çelsi, ndërsa "dhelprave" kartoni i tij i ka kushtuar vetëm 9 milionë euro nga francezët e Kaen.

kante

Mirëpo, historia e Kantes nuk është një risi në futbollin modern. Në çdo sezon, në kampionatet elitare të Europës, dhjetëra futbollistë udhëtojnë drejt një realiteti të ri, vetëm pasi kanë shkëlqyer për 1 vit. Vetëm disa ditë më parë ishte Totenhemi protagonist në merkato, teksa shpenzoi 22 milionë euro për sulmuesin holandez, Vinsent Jansen, duke lumturuar drejtuesit e AZ Alkmarit, të cilët kishin shpenzuar vetëm 500 mijë euro për kartonin e tij. Por, gjatë kësaj stine në merkato, Mançester Junajtid pagoi 38 milionë euro për mbrojtësin Erik Baili, të cilin Vijareali e kishte paguar vetëm 6 milionë euro për t'ia rrëmbyer Espanjolit.

'Bobo' Vieri

Duke folur për lojtarë të superpaguar pas një sezoni të mirë, Kristian Vieri mbetet "mbreti" i merkatos. Sulmuesi i ngjiti me shpejtësi shkallët e karrierës. Juventusi i pagoi në vitin 1996 Atalantës 2.5 milionë euro, ndërsa e shiti për 15 milionë euro pas një sezoni tek Atletiko Madrid. Nga bomberi italian përfituan edhe spanjollët, të cilët arkëtuan 25 milionë euro nga Lacio, ndërsa Interi për të siguruar shërbimet e Vierit pagoi 45 milionë euro në vitin 1999-të.

Vieri

Huan Sebastian Veron e ka dyfishuar pothuajse vlerën e tij në merkato gjatë sezonit 1998-'99, kur u ble nga Parma për 17.5 milionë euro dhe u shit më pas për 30 milionë te Junajtid. Ishin kohë të tjera për futbollin italian. Rasti i fundit ishte ai i Tiago Motës, i cili pasi nënshkroi për Xhenoan me parametër zero në vitin 2008-të u ble nga Interi për 10 milionë euro, në sezonin e "tripletës" së famshme.

Drogba dhe Kaseres

Në arenën ndërkombëtare janë të shumtë rastet si ai i Kantes. Mjafton të kujtojmë atë të Hames Rodrigezit, që falë paraqitjes së shkëlqyer në Botërorin e fundit, u transferua nga Monako te Reali i Madridit për 75 milionë euro. I njëjti diskutim vlen edhe për Martin Kaseres, i paguar 900 mijë euro nga Vijareali dhe i shitur për 16.5 milionë euro te Barcelona.

martin caceres barcelona

Kevin Debryn, i blerë 22 milionë euro nga Volsburgu dhe i shitur për 74 milionë te Mançester Siti. Otamendi, i paguar 14 milionë euro nga Valencia në vitin 2014-të dhe i shitur vetëm pas një sezoni 44 milionë euro te Mançester Siti. Një shembull i ngjashëm është edhe ai i Didier Drogbasë, i paguar 6 milionë euro nga Olimpiku i Marsejës në vitin 2003 dhe i shitur pas një sezoni për 38.8 milionë.

PËRGATITI: LEAR MAÇI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama