Ne kerkim te vlerave Kombetare

Filmi kronikal e dokumentar e ka trajtuar historinë e kombit që nga prehistoria nëpërmjet të dokumentave të shumta të nxjerra nga zbulimet arkeologjike, nëpërmjet jehonës së traditave të ardhura deri në ditët tona nëpërmjet të zakoneve, kostumeve e këngëve, traditave në lundrim apo në punimin e bronxit, arit, argjëndit, drurit, punimeve artizanale të leshit, mëndafshit, thurjen e qylymave, punimeve të qeramikës kronikave të ndryshme mbi ngjarjet e mëdha historike të xhiruara nga kineastë të huaj nga fillimi i shekullit, të zbuluara nga dokumentet, kodikët e Beratit, tregimet, legjendat, folklorit etj. Në të kundërtën filmi artistik e ka rindërtuar dhe ringjallur historinë  duke u mbështetur në dokumentat dhe duke e paraqitur atë denjësisht nga skenaristët, regjisorët, skenografët, operatorët dhe me interpretimin dinjitoz nga shumë aktorë tanë të mëdhenj.

Edhe filmi shqiptar nuk mund të bënte përjashtim dhe të dilte jashtë traditës dhe zakoneve humane që kanë zënë rrënjë në popullin shqiptar, që ndonse kanë vuajtur për së tepërmi nga shtypja dhe veprimet antinjerëzore të pushtuesve dhe armiqve të shumtë asnjëherë nuk e ka humbur logjikën e gjakftohtësinë dhe nuk ka kaluar në veprime revanshiste e hakmarrëse. Ai ka trajtuar luftën dhe përpjekjet e kombit shqiptar që nga lashtësia për mbijetesë por edhe përkrahjen e gjithanëshme deri në sakrificë sublime që u ka dhënë popujve të tjerë qoftë bashkëndënjës në trevat shqiptare e ballkanike por edhe më gjërë. Filmi shqiptar, si një art polisintetik, ka evidentuar historinë kombëtare në të gjitha aspektet e saj që nga përpjekja për mbijetesë nëpërmjet të filmave të tillë si Balada e Kurbinit, Skënderbeu, “Mësonjëtorja”, Udha e shkronjave, “Kush vdes në këmbë” disa filma për lëvizjen e rezistencës dhe krijimin e identitetit kombëtar si Kryengritjet për pavarësi, Nëntori i dytë, Gunat mbi tela disa filma për luftën kundër pushtuesve italianë ose kundër pushtuesve nazifashistë gjatë luftës së dytë botërore si, Lulëkuqet mbi mure, Ngadhnjim mbi vdekjen, Mëngjeze lufte ose Kur zbardhi një ditë, Malet me blerim mbuluar ose Yjet e netëve të gjata, Rrugicat që kërkonin diell ose Ilegalët,  Në prag të lirisë ose Radiostacioni, Skëterrë 43 ose Rrethi i kujtesës, Kthimi I ushtrisë së vdekur,përplasjet me miqtë e rremë si Ballë për ballë etj. Filma të tjerë kanë trajtuar temën e vet-flijimit në emër të jetës si Kënga e Rozafës ose Muri i Gjallë ose iluzionet për një jetë të lumtur nga emigracioni si Mëmëdheu ose Vitet e pritjes e deri në absurditetet e regjimit diktatorial që sundoi për 50 vjet në Shqipëri të dhëna nëpërmjet të filmave të tillë si Vdekja e Kalit ose Koloneli Bunker, Qind për qind, Slogans e shumë të tjerë.

Filmi i animuar, që lindi në Shqipëri më 1975, hapi një dritare të re në fushën e kulturës. Ai e rikrijoi historinë e popullit dhe trajtoi kodin shpirtëror të tij nëpërmjet të legjendave, përrallave, fabulave, gojdhanave duke nxjerrë në pah virtytet e mëdha morale të tij.

Parë në prizmin që përmëndëm, historia e filmit dhe e kinemasë përbën edhe një dokument bazor në historinë e Shqipërisë.


Abaz Tahir Hoxha


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama