Ne Tirane kam degjuar te thone Ai nuk eshte shqiptar eshte kosovar

Ne Tirane kam degjuar te thone: 'Ai nuk eshte shqiptar, eshte kosovar'
Regjisorja kosovare Blerta Zeqiri gjatë muajit shtator do të vazhdoj me prezantimin e filmit me metrazh të shkurtër “Kthimi” në Festivalin e Filmit Botëror në Montreal të Kanadasë, në Festivalin “Belo Horizonte” në Brazil, “Naoussa” Film Festival në Greqi, “Fic Publa” në Meksikë etj.

Blerta ka arritur një sukses të dukshëm në festivalin  “Sundance” në të cilin “Kthimi” i saj u shpall filmi më i mirë ndërkombëtar. (ky festival është themeluar nga aktori i famshëm amerikan Robert Redford dhe njihet si festivali më i madh i filmit të pavarur në SHBA). Mbahet çdo vit në Park City, Utah.

Subjekti i filmit “Kthimi” rrëfen një histori të pasluftës dhe flet për një burrë (Lulzim Bucollin), i cili kthehet tek gruaja (Adriana Matoshit) dhe djali nga burgu i Serbisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar nga momenti që ai është shpallur i zhdukur.

Blerta është regjisore, por edhe... kosovare. “Prezantimi në këto festivale ka rëndësi të madhe sepse shumica e këtyre shteteve nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe nëpërmjet tij mund të lobojmë”, -thotë Blerta, e cila në pritje të këtyre udhëtimeve, gjendet këto ditë vere në Dhërmi, në jug të Shqipërisë, aty ku SH.F. e kontaktoi dhe e intervistoi për këtë të shtunë.

Blerta, si ju ka lindur dëshira për të qenë regjisore? Ka qenë ëndërr e hershme apo e vonë?

Mua më pëlqejnë shumë rrëfimet. Qysh fëmijë kam qenë e dhënë pas leximit dhe mund të them që ëndrra ime e parë ka qenë të bëhem shkrimtare. Leximi më ka dhënë shumë kënaqësi, prandaj kam pasur dëshirë që t‘ia dhuroj këtë ndjesi dikujt tjetër.

Filmin apo regjinë nuk e kam pasur ëndërr që kur kam qenë e vogël. Në fillim krahas shkrimeve jam marrë edhe me muzikë. Kështu shkruaja edhe interpretoja muzikë hip-hop. Kur erdhi koha e studimeve, nuk dija ende se çfarë dëshiroja të bëja. Kisha dëshirë për regji, mirëpo disa nga profesorët e akademisë shprehnin idenë se profesioni i regjisë nuk është profesion për femra: “Edhe sikur femra të jetë më e talentuara në provim pranues dhe gjatë studimeve, prapëseprapë një ditë ajo do të vendosë të martohet, të bëjë fëmijë dhe rezultati final është se ia ka zënë vendin një mashkulli, i cili realisht do të merret me atë profesion”, -thoshin ata.

Por atë vit nuk u hap fare dega e regjisë, kështu që vendosa të regjistrohem për dramaturgji. Në fund të fundit dramaturgjia ishte një e mesme mes shkrimit dhe këngës (dy pasioneve të mia), ishte shumë afër regjisë, sepse do të shkruaja tekste të cilat do të viheshin në skenë.

Pas një kohe të shkurtër e kuptova se shkrimet që bëja, ishin shumë të gjalla në kokën time dhe pastaj kur realizoheshin gjithnjë kisha pakënaqësi, sepse i kisha imagjinuar më ndryshe. Kjo gjë u përsërit disa herë, derisa kuptova se duhej t’i realizoja vet tekstet e mia. I lashë studimet e dramaturgjisë në vitin e tretë dhe shkova në Francë, ku u regjistrova në fakultetin e regjisë.

Filmi “Kthimi”... Dimë që skenari është shkruar shumë kohë më parë dhe është një nga skenarët fitues të konkursit të garës së skenarëve në festivalin 9/11...

E vërtetë.. Unë për herë të parë e kisha lexuar vetëm një muaj para se të shfaqnim filmin, pas një telefonate nga drejtori i festivalit “NineEleven”, që më pyeste nëse do të isha e interesuar që të punoj një nga skenarët fitues të festivalit. Plus që skenari më pëlqeu sepse trajtonte një temë tabu për Kosovën. Skenaristi i filmit kishte punuar si gazetar pas lufte dhe kishte dëgjuar shumë histori rrëqethëse. Ai ka ardhur me një ide shumë të fuqishme dhe me një rrëfim rrëqethës, të cilin unë kurrë vet nuk do të kisha mundur të imagjinoj.

Që nga momenti që mora skenarin në dorë, fillova të mendoj për mënyrën e trajtimit. Rrëfimi ishte i mrekullueshëm, mirëpo më duhej të gjeja një mënyrë se si ta lehtësoja dramaticitetin e temës së trajtuar. Gjithë rrëfimin e fokusova vetëm në raportin e çiftit gjatë ditës dhe natës së tyre të parë, duke lënë anash personazhet dhe skenat e tjera.

Kisha dëshirë të eksperimentoja me mënyrën e re të punës në film, që përdoret nga filmat e pavarur me buxhet të ulët në SHBA, quhet stili “Mumblecore”, ku aktorët janë më të lirë. Unë kisha rrëfimin, zgjodha skenat kryesore, pikat kulmore të secilës skenë dhe u dhashë mundësi aktorëve që të improvizojnë. Ky kombinim solli suksesin.

Zakonisht në filmat tuaj nuk përdorni muzikë, përse?

Emocioni i arrirë me anë të muzikës në filma, më duket shpesh ofendues për inteligjencën e shikuesit, sikur me anë të muzikës i thua shikuesit: “Ti duhet të ndjesh këtë!” Kam dëshirë që filmat e mi t’i ngjajnë sa më shumë realitetit. Imagjino se je duke përjetuar një moment romantik në treg. Nuk besoj se do të lëshohen violinat në kokë, përkundrazi ti edhe më tutje vazhdon të dëgjosh zërat e tregtarëve që vazhdojnë jetën e tyre të përditshme, si të mos ketë ndodhur asgjë. Mendoj se skena është e fuqishme kur e paraqet realitetin më afër.

Arsyeja tjetër pse unë nuk përdor muzikë në filmat e mi është se kam dëshirë që secili element në vepër të jetë aty prezent sepse pa të nuk bën. E deri tani nuk jam bindur se pa muzikë filmi nuk bën.

Kush ju motivon për realizimin e filmave tuaj?

Kryesisht më motivojnë përjetimet e mia, apo ngjarje që nuk i kam parë në ndonjë film. Por kohët e fundit më pëlqejnë shumë filmat iranianë.

Artistët e rinj në Kosovë, mendoni se e kanë mbështetjen e duhur për të ecur?

Mendoj se ka filluar të ndryshojë pakëz puna në të mirë të artistëve të rinj. Këtë po e them duke u bazuar në rezultatet e konkursit të sivjetmë të QKK-së (si i vetmi financim serioz në Kosovë për filmin), ku janë përkrahur kryesisht kineastë të rinj.

Mirëpo filmit të Kosovës i duhet akoma më shumë mbështetje, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për kineastë të rinj apo të vjetër, sepse industria e filmit nuk mund të mbijetojë pa përkrahjen e fuqishme të shtetit. E di se fondet shtetërore vitet e fundit janë rritur, mirëpo duhen rritur edhe më shumë.

Keni menduar për një film me metrazh të gjatë për luftën?

Përjetimi i luftës është diçka që më ka ndryshuar përjetë. Gjithsesi do t’i kthehem temës së luftës edhe në filma të tjerë, por jo menjëherë. Nuk mund të flas shumë për filmin e radhës sepse tani jam në fillim të punës dhe nuk ndjehem mirë nëse flas për diçka që është ende në formë të skicës.

Blerta është këto ditë në Dhërmi në jug të vendit. E pyetëm edhe për përshtypjet e saj për Shqipërinë.

Blerta, si ndihesh kur vjen në Tiranë, cila është përshtypja jote më e mirë?

Sa herë që e kam vizituar Tiranën kam kaluar shumë mirë. Më pëlqen klima, restorantet, kafenetë. Më pëlqen t’i shikoj kalimtarët, gratë e vjetra nëpër qytet, tregjet e vogla të pemëve dhe perimeve... Do të doja që në një të ardhme të afërt të më sillte puna në Tiranë që të kem justifikim për të ardhur dhe jetuar ndonjë vit në këtë qytet.

Po përshtypja më e keqe?

E vetmja gjë që nuk më pëlqen është trafiku i veturave. Kam frikë shumë të kaloj rrugën, sepse më duket se veturat vijnë nga çdo anë dhe shoferët i ngasin ato goxha shpejt, kurse borinë duket se e përdorin në vend të frenave.

Si e sheh Blerta si artiste dhe si intelektuale raportin "shqiptar i Shqipërisë-shqiptar i Kosovës?

Në esencë për mua nuk ka dallim më shumë se sa prizrenasi me gjakovarin, apo sarandasi me shkodranin. Në Tiranë kam dëgjuar të thonë: “Ai nuk është shqiptar, është kosovar”. Mua kjo gjithnjë më tingëllon si gabim dhe më duhen disa sekonda për të kuptuar se realisht kanë të drejtë sepse flitet për shtetësi e jo për kombësi. Në këto momente e vërej ndarjen reale që e kemi, të cilën gjithmonë provoj ta shoh si ndarje simbolike.

Suksesi i “Kthimit”

“Kthimi” është shpallur filmi më i mirë ndërkombëtar në Festivalin e Filmit në Sundance dhe është nominuar për në “Oskarin Europian” (European Film Aëard).

Në muajin shtator filmi “Kthimi” do të marrë pjesë në shumë festivale të rëndësishme si: në Festivalin e Filmit Botëror në Montreal të Kanadasë, në festivalin Belo Horizonte në Brazil, Naoussa Film Festival në Greqi, Fic Publa në Meksikë etj. “Prezantimi në këto festivale ka rëndësi të madhe për të gjithë ne, sepse shumica e këtyre shteteve nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe në një farë mënyre kemi mundësi të lobojmë me anë të filmit”, - thotë Blerta. Ndërsa arritja më e madhe e “Kthimit” pas fitores në Sundance është Nominimi për film të shkurtër në European Film Aëard.

Suksesi si regjisore

“Në plan personal numëroj si arritje shumë të madhe faktin se tani jam bërë dhe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy). Ky është një nder i madh për mua dhe një përgjegjësi akoma më e madhe për punën time të mëtejshme...” – thotë Blerta.

Edhe ne jemi njerëz...

“...Mendoj se ky film i rikujton botës fatkeqësinë e Kosovës duke u treguar se ajo që i ka ndodhur popullit të Kosovës është diçka që do të mund t’i ndodhte secilit njeri në botë, pa marrë parasysh se cilit komb, racë apo cilës klasë shoqërore i përket. Mendoj se kjo i bënë publicitet pozitiv Kosovës, sepse përmes këtij filmi atyre u rikujtohet se Kosova është e populluar me njerëz (si çdo vend tjetër i botës) e nuk është vend me njerëz të prapambetur siç na kanë parafytyruar shpesh.

Aktorët kryesorë

Aktorët kryesorë, Adriana Matoshi dhe Lulzim Bucolli. “Adriana është një aktore shumë e sinqertë dhe me një ndjeshmëri shumë të madhe. Për të gjetur rolin e mashkullit kam kaluar pak më shumë kohë. Kur zgjedh aktorët gjëja e parë që më bënë përshtypje tek ata është sinqeriteti dhe ndjeshmëria”, - thotë regjisorja kosovare.

Një regjisore nga Suhareka e krimeve të luftës...

“...Unë jam nga Suhareka, një vend në të cilin kanë ndodhur shumë fatkeqësi gjatë luftës. Kam shumë njerëz që i kam njohur dhe që sot nuk janë më me ne, janë të zhdukur, të vdekur ose kanë mbijetuar nga gjëra të tmerrshme. Gjatë realizimit të filmit dëshira ime ishte që çdo gjë të jetë sa më afër realitetit, por frikën më të madhe e kam pasur se mos lëndoja ndjenjat e personave që janë viktima të krimeve të luftës. Çdo vendim artistik për filmin është udhëhequr nga mendimi se si do ta shihnin viktimat apo familjarët e tyre.

Por mendoj se ne duhet të trajtojmë këto tema dhe të mos i lëmë në harresë. Jemi ne ata që mund t’i trajtojmë më së miri dhe në mënyrën më reale të mundshme, sepse i kemi përjetuar vetë. Ajo çka duhet është të jemi të sinqertë me vetveten, me ndjenjat dhe përjetimet tona...”

BIO

Blerta Zeqiri jeton dhe punon në Prishtinë si regjisore me pjesëmarrje të shpeshtë në festivale ndërkombëtare të filmit me metrazh të shkurtër si: Sundance Film Festival, Oberhausen International Short Film Festival, Bradford Film Festival, etj. Është anëtare e Akademisë Europiane të Filmit. Në Festivalin e Filmit në Sundance filmi “Kthimi” është vlerësuar me çmimin si filmi më i mirë ndërkombëtar. Në shtator vijon turneun dhe në Festivale të tjera Ndërkombëtar.

Emri: Blerta Zeqiri
Mosha: 33 vjeçe
Vendlindja: Suharekë
Vendbanimi: Prishtinë
Arsimi: Regji
Profesioni: Regjisore

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama