Ndreu Turp qe Laci te diskutoje mbijetesen

Ndreu: Turp që Laçi të diskutojë mbijetesën

Kurbinasit kanë nisur dje përgatitjet për ndeshjen e radhës me Vllazninë, ndërkohë që trajneri Ramadan Ndreu ka zhvilluar edhe analizën e zakonshme. Në përfundim të saj, trajneri ka vazhduar me akuzat në drejtim të gjykimit në humbjen ndaj Bylisit.ndreu "E përsëris që ndeshja në Ballsh u humb tërësisht nga gjykimi amator i Beqirit. Ai gjyqtar nuk ka bërë gabime njerëzore, por të qëllimshme duke na ndëshkuar me çfarë të mundte. Ai gjykoi njësoj si një javë më parë në fushën tonë. E kanë mësuar melodinë, mendojnë se Laçi nuk ka probleme me mbijetesën dhe i dalin kundër. Më vjen keq që këta njerëz kanë në duar fatet e skuadrave", ka theksuar Ndreu i irrituar. Drejtuesi i kurbinasve, po ashtu ka deklaruar se qëndrimi në Superiore nuk diskutohet fare për ekipin e tij.

"Është turp të diskutojmë kategorinë. Çunat janë shfaqur mirë në fushë si me Flamurtarin, Skënderbeun në Kupë dhe së fundi me Bylisin. Objektivi është i qartë, duhet të marrim tri pikë këtë javë dhe të presim se çfarë ndodh më pas. Por kjo javë është vendimtare për ne. Do të bëjmë të gjitha përgatitjet e duhura për të qenë në gjendje optimale. Sigurisht, kthimi i lojtarëve të pezulluar na rrit moralin dhe shanset për një formacion cilësor", ka mbyllur Ndreu.

Përgatiti: I. Myrtaj


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama