Tri ndeshje në Europian për Armando Sadikun kanë dhënë sinjalin e parë. Forma e treguar në Francë ka lënë përshtypje pozitive, jo vetëm për shkrimet e mediave europiane, por edhe për disa drejtues klubesh. Një prej tyre është Nantë. Skuadra franceze e ka përfshirë shqiptarin në listën e dëshirave për edicionin e ri. Goli i realizuar ndaj Rumanisë dhe forma e mirë e tij në të tri takimet, ka bërë që 26-vjeçari të jetë pjesë e listës së dëshirave për drejtuesit e skuadrës franceze.
Interesimi
Mediat në Francë bëjnë me dije se Nantë kërkon që të afrojë së paku dy sulmues. Një prej tyre është edhe lojtari i Kombëtares. Armando Sadiku ka lënë përshtypje pozitive me atë që ka treguar në Francë dhe drejtuesit e kësaj skuadre janë të gatshëm që të futen në bisedime për shërbimet e tij. Në listën e dëshirave është edhe Emanuel Riviere, kartoni i të cilit është në pronësi të Njukasëllit. Edhe përpara Europianit, Sadiku ka shprehur dëshirën për t'u larguar nga Zyrihu dhe kjo gjë është përforcuar akoma më shumë pas rënies një kategori më poshtë të kësaj skuadre.
Mediat franceze bëjnë me dije se drejtuesit e kësaj skuadre shumë shpejt do të lëvizin zyrtarisht dhe do të ketë një kërkesë zyrtare në klubin zviceran për të ardhmen e shqiptarit. Te Nantë, kapiteni Lorik Cana dhe Ermir Lenjani e kanë mbyllur sezonin duke bërë paraqitje pozitive. Pëlqimi për shqiptarët vijon te Nantë dhe drejtuesit kanë hedhur sytë nga autori i golit të vetëm të Shqipërisë në Europian. Ndërkohë, në merkato për shërbimet e Sadikut ka edhe ekipe të tjera të interesuara.
Vetë agjenti i tij ka pranuar se është në bisedime me një ekip të Serisë A. Problem duket shifra e ekzagjeruar që kërkon presidenti i Zyrihut për kartonin e 26-vjeçarit. Ai e ka vlerësuar me 9 milionë euro, edhe pse Zyrih është një ekip që do të jetë pjesë e ligës së dytë helvete. Shumë specialistë të merkatos dhe analistë në Zvicër e kanë konsideruar thjesht një shifër për ta detyruar Sadikun të mos largohet menjëherë nga klubi. Megjithatë, ata do të negociojnë me këdo që do të kërkojë zyrtarisht shërbimet e tij.
OLSI TUJANI