Myler dhe Leva Do hakmerremi kemi nje llogari te hapur

Myler dhe Leva: Do hakmerremi, kemi një llogari të hapur

Robert Levandovski i ka fiksuar shumë mirë dy ndeshjet e gjysmëfinales së sezonit të kaluar në Champions. Më 27 prill 2016, rekordmenët gjermanë u mundën 0-1 nga Atletiko Madridi pas golit spektakolar të Saul Niguez. Bomberi polak e kujton edhe mbrëmjen drithëruese të 3 majit, ndeshjen e kthimit ndaj nënkampionëve të Europës.

bajern atletiko

Ksabi Alonso shënon në minutën e 31-të, Tomas Myler humb penallti dhe Antuan Griezman i barazon në minutën e 53-të. Ky gol shoi ëndrrën e Bajernit të Guardiolës për të qenë pjesë e finales, edhe pse Levandovski i dha fitoren 2-1 në minutën e 75-të. Erdhi momenti që Bajerni dhe Atletiko Madrid të përplasin brirët sërish, por këtë herë në fazën në grupe.

Sulmuesi polak Robert Levandovski i ka shpallur luftë Atletikos së Simeones. Ndeshja e parë mes tyre do të luhet në "Visente Kalderon" më 28 shtator, ndërsa e kthimit në "Allianz-Arena" më 6 dhjetor. Aventurën e sezonit të ri të Champions-it do ta startojnë ndaj Rostovit në Mynih më 13 shtator.

levandovski

"Është shumë pozitive që ndeshjen e parë të kësaj faze e luajmë në shtëpi. Rostovi është një ekip i panjohur për ne, por do të kemi kohë të mjaftueshme për të marrë informacione. Objektivi ynë është që ta mbyllim në vend të parë, por sfida ndaj Atletikos është një tjetër motivim. Kemi shansin të marrim hak ndaj tyre. Është detyra jonë të vëmë drejtësinë në vend.

Pa dyshim që si ndaj PSV-së dhe Rostovit duhet të kemi kujdes, pasi transfertat janë gjithnjë të vështira", deklaroi Levandovski.

Myler & CO

myler

"Nuk duhet të ankohemi për shortin. Në vija të përgjithshme, grupi është i pranueshëm dhe nuk ka ndonjë shkallë vështirësie të lartë. Kundër Atletikos duam të tregojmë që jemi më mirë dhe dimë ta bëjmë detyrën më mirë sesa sezonin e kaluar. Me siguri kemi një llogari të hapur me ta", u shpreh Tomas Myler, i cili humbi penalltinë vendimtare ndaj Atletikos.

Të njëjtin mendim ka shprehur edhe mesfushori spanjoll Havim Martinez. Ndërsa kapiteni Lahm pohon se e ka harruar dështimin ndaj spanjollëve dhe parashtron si qëllim minimal gjysmëfinalen.

ENIAR IBRO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama