Mundesia e dyte

'Mundesia e dyte'
E rrallë që në Festivalin e Filmit në Berlin shkojnë dy histori nga Shqipëria: nga mjedisi shqiptar, flasin shqip, me aktorë shqiptarë. Burimet pranë stafit të filmit "The Forgivness of blood", i konfirmuan "Shekullit" se vepra e regjisorit amerikan Joshua Marston, hyn në Konkurrim Zyrtar në edicionin e 61 të Berlinales, 10-20 shkurt 2011.

Skenaristi shqiptar, Andamion Murataj, që është njëherësh një nga producentët, bëri të ditur se autorët janë njoftuar të premten, ndërsa pritet që Festivali të afishojë zyrtarisht programin e filmave pjesëmarrës javën e ardhshme. Dje "Shekulli" lajmin se "Amnistia" e Bujar Alimanit përfaqëson Shqipërinë për herë të parë në Berlinale, në seksionin Forum. Është një ngjarje në radhë të parë për vetë autorin, sepse është debutim i tij në filmin e gjatë artistik.

Botuam dje dhe listën e filmave shqiptarë dhe bashkëprodhime me të huajt që kanë patur njëfarë njohje jashtë Shqipërisë. Kulmi, në fakt është shënuar me fillimin e kësaj historie: "Skënderbeu" i Sergei Jutkevic, 1953 fitoi në Kanë Çmimin Special. Vitin e kaluar një regjisor gjerman Johannes Naber me bashkëprodhimin gjermano-shqiptar "Shqiptari", më shumë se veprës së vet, i dha emër aktorit Nik Xhelilaj, i cili edhe ky, prezantohet në Berlinale si një nga dhjetë talentet evropiane të aktrimit.

Rasti i Marstonit ndjek dhe nuk ndjek këtë traditë.

Edhe ai si paraardhësit ka marrë shkas nga një mit i shekullit të njëzet për Shqipërinë: gjakmarrja. Por që në fillim, është shprehur për "Shekullin" nga sheshi i xhirimit në Shkodër, në prill 2010, se nuk është film për gjakmarrjen, është për rritjen e njeriut. Deri vonë projekti tij që u ngit nga një shtrat kërkimi në terren, ka qenë pa titull. Dhe tani quhet "The Forgiveness of Blood". Sikur sugjeron pikërisht atë çka regjisori nuk donte.

Ja komenti: "Më pëlqen ky titull, ka një sërë gjërash që e bëjnë interesant. Së pari dhe mbi të gjitha, më pëlqen sepse tingëllon shqiptar. Për më tepër, ka diçka interesante në këtë frazë: është i pazakontë (në anglisht) kombinimi i fjalëve që të shtyjnë të pyesësh veten çfarë do të thotë ky titull. Dhe deri në fund të filmit, ju do të keni një kuptim të ri dhe më të thellë për të.

Arsyeja tjetër pse më pëlqen është se, pas filmit, ndërsa shikuesi vazhdon të mendojë, dalin një sërë interpretimesh.
Në një nivel, titulli i jep një emër asaj çka Niku kërkon gjatë gjithë historisë (falja e borxhit), diçka që ai në fund të fundit do ta marrë, por vetëm pjesërisht.

Në një nivel tjetër, me "Gjak" ju mund të keni parasysh njerëzit e afërt ose familjen. Në këtë mënyrë, titulli i referohet familjes; gjë që të sjell ndër mend problemin nëse Niku dhe Rudina do të jenë në gjendje ta falin babanë e tyre për gjithë telashet, dhe nëse Marku do ta falë të birin për gjithë veprimet që ka ndërmarrë duke e zëvendësuar atë si kreun e familjes.

Dhe më në fund, titulli bart një kuptim të tretë më të fshehtë: kur thua për diçka fal apo falet - domethënë që ajo ka njëfarë fleksibiliteti, do të thotë që gabimet janë të lejueshme deri në njëfarë kufiri. Në këtë kuptim, titulli lidhet me pyetjen: deri ku shkon apo duhet të shkojë falja për shkak të familjes, për veprimet e Markut dhe për gjithë institucionin e gjakmarrjes."

Disa nga këto interpretime Marston i quan më të drejtpërdrejta, më aktuale, disa më të shtrira në kohë. Një titull si "Gjakmarrja", do t'i tingëllonte i thjeshtë dhe nuk do të shenjonte shumëkuptueshmërinë e titullit të parë. "Për më tepër që unë nuk e quaj film për armiqësinë në vetvete. "Falja e gjakut" do të ngrejë pyetje shumë interesante, dhe do t'i bëjë njerëzit të ndalin dhe të mendojnë. Ka qenë kërkim i gjatë. Ne kemi shqyrtuar me qindra tituj të mundshëm.

"Falja e gjakut" është, e ndjej, shumë i fortë dhe ndjellës."

Të njëjtat burime thonë se vlerësimet e kritikës që kanë parë demon e filmit, japin njëfarë parashikimi: The Forgiveness of Blood - pritet të jetë një nga konkurrentët më të fortë në Festivalin e Berlinit. Është një film që e ngre në një nivel më të lartë pjekurie mjeshtërinë regjisoriale të Marstonit si edhe të grupit të bashkëpunëtorëve të tij.

Ndërkohë që është bashkëpunimi i parë në skenar të gjatë për kineastin shqiptar Andamion Murataj. Në prodhim janë përfshirë disa nga producentët më të suksesshëm në botë të kinemasë indipendente jo-hollivudiane - ndërkohë që është debutim për Kompaninë Filmike Shqiptare Lissus Media, drejtohet nga Murataj i cili jeton prej 13 vitesh në Nju Jork.

"Janë ditë të mira të për filmin shqiptar", thotë Murataj, dhe ka parasysh lajmin për pjesëmarrjen e Alimanit në Berlinale. Ndërsa pyetjes, çfarë filmi do ta quajmë "Falja e gjakut", i përgjigjet: "Në të tërën kjo është një arritje për filmin shqiptar, por edhe atë ballkanik në përgjithësi, pasi Ballkani në vitet e fundit ka qenë në qendër të sukseseve të kinemasë të Europës.

E quaj shqiptar filmin pasi besoj që, megjithëse nuk u mbështet financiarisht nga shteti shqiptar - kontributi i një vendi nuk janë paratë, nuk janë qeveritë, nuk janë institucionet. Unë e kuptoj një vend përtej kësaj: ashtu si gjakmarrja i ka tejkaluar gjithë sa përmenda më lart, ashtu i tejkalon edhe kultura. Pra, në këtë kuptim pesha dhe bagazhi që sjell Shqipëria në film është e dorës së parë, pasi kontributi në film është historia kryekëput shqiptare e treguar thjesht dhe shqip!

Ky film do të mbetej një ëndërr këndellëse dhe do të ishte krejt i pamundur po të mos kish qenë "mundimi i përbashkët" i qindra bashkëpunëtorëve anonimë me rrëfimet dhe mbështetjen e tyre - do ishte thjesht një histori në letër pa trupën e shkëlqyer të aktorëve që u përzgjodhën me shumë kujdes dhe kanë mishëruar në film atë histori plot jetë dhe emocion që të tund pa rënë kurrë në melodramë!

Filmi është në vazhdën e filmave më të suksesshëm të kinemasë indipendente që ka një theks të fortë social që sjell në qendër triumfin e shpirtit human mbi ngërthimet e dëshpëruara të traditës."

Kush është Joshua Marston (1968)?

E nisi karrierën fotoreporter për Life Magazine nga Parisi dhe më pas për ABC News gjatë Luftës së Gjirit Persik. Jetoi në Pragë për një vit ku dha mësime anglishteje. I lindur në Los Anxhelos (aktualisht jeton në Nju Jork), emri i tij u bë i njohur me një histori kolumbiane në filmin "Maria full of grace" (2004), fitues ndër të tjera i çmimit "Alfred Bauer" në Berlinalen e po atij vit dhe i Çmimit të Publikut në Festivalin e Sandensit. Catalina Sandino Moreno, të cilën Marston e gjeti pas kinoprovave me 800 vajza, fitoi Ariun e Artë në Berlinale si aktorja më e mirë për rolin e Marisë, dhe e para aktore kolumbiane në historinë e kinemasë së vendit të saj e cila po shkonte aq larg sa të kandidohej për çmimin Oscar. Pra Joshua Marston hyn për herë të dytë në konkurrim në Berlinale.

Është regjisor i "Coney Island" pjesë e filmit "New York I Love You" të realizuar nga 11 autorë e ku interpretojnë Cloris Leachman dhe Eli Wallach, i episodeve nga "Six Feet Under" (HBO), "Swingtown" (CBS), "Laë & Order" (NBC) dhe "In Treatment" (HBO).
"Falja e gjakut" është i dyti film i gjatë në karrierën e tij, që ashtu si edhe "Maria full of grace", ka një histori që ka s'ka të bëjë me vendin e tij, është i gjithi në një gjuhë që s'është e tija, në shqipe, interpretojnë disa aktorë kryesorë amatorë, të cilët i ka gjetur ndër 2500-3000 adoleshentë të intervistuar. Marston është i interesuar për antropologjinë e kulturave që s'kanë të bëjnë me kulturën nga vjen.

Joshua Marston: NUK është një film për GJAKMARRJEN

Në intervistën e parë dhe të fundit që regjisori Joshua Marston dha nga sheshi i xhirimit në Shkodër për "Shekullin", sqaron se nuk kemi të bëjmë me një film për gjakmarrjen, por me një histori të pjekurisë së adoleshentëve:

"Andamion Murataj dhe unë harxhuam disa muaj duke këqyrur shumë familje që jetojnë të ngujuara, mësues, ndërmjetës, ekspertë të Kanunit, me qëllimin për të kuptuar me të vërtetë se çfarë do të thotë të jesh në GJAK, sot në vitin 2010 në Shqipëri, dhe çfarë do të thotë të jetosh në izolim...

Mësova, me sa duket, se të jetosh në ngujim sot nuk është njëlloj si tridhjetë, pesëdhjetë apo tetëdhjetë vjet përpara. Nuk do të thotë të jetosh në KULLË, por jeton në shtëpi, me televizor, videolojëra, me telefona celularë. Kështu që ekziston ky kontrast, një botë e re absolutisht normale për ne që jetojmë rregullisht, disa lloj rrethanash që janë krijuar jo prej botës së re, po prej Kanunit, diçka që i përket traditës. Nuk është konflikti, por ky kontrast që merr për mua vlerën më të madhe. Ky kontrast mua më flet për tranzicionin që vazhdon e vazhdon në Shqipëri...

NUK është një film për GJAKMARRJEN. Para së gjithash është një film për rritjen e dy fëmijëve. Pra në këtë pikë mund të shtojmë se nuk është në mënyrë specifike një film vetëm për Shqipërinë, po për diçka universale, që edhe ata që nuk janë shqiptarë ta kuptojnë dhe të gjejnë lidhje dhe përkime me jetën e tyre. Pra është për diçka rrënjësisht njerëzore: për mënyrën se si rritesh.

Së dyti është një film për zhvillimin e tranzicionit si një shoqëri nga një vend në një tjetër, ky kontrast midis diçkaje të re dhe diçkasë së vjetër."

Filmi

Një vrasje pas grindjes për tokën e fut familjen e Markut në gjak. Jeta e dy adoleshentëve, Niku 17 vjeç dhe Rudina 14 vjeç, nuk është më e qetë. Ky zakon i vjetër që e detyron djalin të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen. Familja pak nga pak mbështetet nga te e bija e cila nis të administrojë punët. E ndërsa motra ndjen këto përgjegjësi, djali fillon të bëhet i pabindur dhe gjithnjë e më shumë i dëshpëruar për t'i dhënë fund izolimit të tij.

Interpretojnë aktorë profesionistë dhe jo profesionistë. Aktorë: Refet Abazi (babai, Mark) nga Shkupi, Ilire Vinca-Çelaj (nënë Drita) dhe Çun Lajçi (gjyshi Ded) nga Prishtina. Amatorë: Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Zana Hasa, Esmeralda Gjonlulaj, Elsajed Tallillli.

Është bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare "Lissus Media" dhe asaj amerikane "Dean Street Production", një nga producentët e të cilit është Paul Mezey i shtëpisë filmike "Journeyman Pictures" (SHBA). Mezey është një producent i suksesshëm i kinemasë indipendente amerikane që ka prodhuar ndër të tjerë filmat e nominuar me Oscar: "Maria Full Of Grace" i Joshua Marstonit dhe "Half Nelson" i Ryan  Fleck.

Ka mbështetje edhe nga distributorët e suksesshëm të kinemasë europiane, "Fandango Portobello" (Angli/Itali), prodhues i filmit "Gomorra" të Matteo Garrone-s, fitues i Grand Prix në festivalin e Kanës më 2008.

Titulli: The Forgiveness of Blood (2011)
Regjisor: Joshua Marston
Skenari: Joshua Marston, Andamion Murataj
Zhanri: Dramë
Drejtor fotografi Rob Hardy
Xhiruar në 16mm
Producent: Paul Mezey
Bashkëproducent: Andamion Murataj
Vendi: SHBA
Gjuha: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama