Muaji i Filmit Ballkanik nis me Deklarate dashurie

Muaji i Filmit Ballkanik nis me 'Deklarate dashurie'
"Deklaratë dashurie" është një film rumun i vitit 1985 me të cilin Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit hap Muajin e Filmit Ballkanik. Arkivi ia kushton gjithë majin kinemasë klasike ballkanike me prodhime të viteve 1970-'80, prodhime që kanë qarkulluar në Shqipëri dhe që tani janë pjesë e fondit filmik të AQSHF.

"Deklaratë dashurie" (Declaratie de dragoste) i regjisorit Nicolae Corjos, shfaqet sot ora 12.00 është një dramë romancë, shkruar nga Nicolae Sovu; drejtor fotografie: Doru Mitran; muzika: Florin Bogardo. Në role: Adrian Paduraru, Teodora Mares, Ion Caramitru, Tamara Buciuceanu

Është një histori dashurie në periudhën e komunizmit. Dy të rinj me statuse të ndryshme sociale, luftojnë për dashurinë dhe mbeten bashkë pavarësisht pengesave sociale dhe familjare.

Maji i Filmit Ballkanik vazhdon më 11 maj me filmin bullgar "Briri" 1972, i Metodi Andonovit. Është fitues i çmimit special të jurisë në Festivalin Ndërkombëtar në Karlovy Vary, Çeki 1972 dhe ka përfaqësuar Bullgarinë në garën për Oscar, po atë vit.
Më 18 maj shfaqet prodhimi ish jugosllav "Ura" 1969, i regjisorit Hajrudin Krvavac.

Më 20 maj është radha e filmit turk "Dasma" 1973, i regjisorit Lutfi Akad. Përshkruan përpjekjet e një familje emigrante nga Anadolli për t'u përshtatur dhe për të mbijetuar në Stambollin urban në kushte shumë të ndryshme jetese. Ёshtë një nga prezantimet më të mira të temës së migrimit të brendshëm në kinemanë turke.

I fundit më 25 maj, shfaqet një film grek shumë i njohur për publikun shqiptar, "Thanas, shtrëngo rripin!" (Ti ekanes ston polemo Thanasi), 1971, komedi dramatike nga regjisori Dinos Katsouridis. Duke trajtuar një situatë të trazuar politikisht, ky film kthehet në një vepër të rëndësishme në historinë ë kinematografisë grekë. Thanasis Vengos ofron një performancë të shkëlqyer në rolin e tij të parë, duke dëshmuar se, si aktor, mund të bëjë shumë më tepër se komedi.

Është një produksion mjaft i thjeshtë e i qartë, kuptimplotë, me humor diskret dhe prekës. Fitues i 3 çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Selanikut në vitin 1971; filmi më i mirë, aktori më i mirë (Thanasis Vengos) dhe skenari më i mirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama