Morina u vlerësua si talenti i sezonit 2013-2014, duke bërë për vete çmimin individual, që tregon rritjen e tij në aspektin profesional. Paralajmëron edhe mundësi të tjera përveç Tiranës.
Bomberi bardheblu, Supermario Morina, është shpallur fituesi i edicionit të 6-të të çmimit “Talenti i Vitit”, i organizuar nga shoqata “Sporti na Bashkoi”. Në votimin e gazetarëve sportivë në vend, sulmuesi i Tiranës, Morina u vlerësua si talenti i sezonit 2013-2014, duke bërë për vete çmimin individual, që tregon rritjen e tij në aspektin profesional.
“Jam shumë i lumtur!! Ky vlerësim do të më bëjë të vazhdoj punën time me të njëjtin ritëm”, – tha sulmuesi 21-vjeçar i Tiranës gjatë ceremonisë së organizuar për këtë rast. Morina gjithashtu garantoi besnikëri ndaj ngjyrave bardhë e blu, pasi dëshira e tij është të shohë Tiranën kampion, por në rast se ngërçi financiar që ka kapluar klubin nuk do të zgjidhet, atëherë ai do të shohë mundësi të tjera për të ardhmen e tij. Pikërisht pasiguria mbi të ardhmen e klubit kryeqytetas ka shtyrë tifozët e Tiranës të protestojnë sot para Bashkisë së kryeqytetit, të cilën e shohin si përgjegjëse kryesore për zvarritjen e zgjidhjes së ngërçit institucional që po mban peng projektin për ndërtimin e një skuadre pretendente për sezonin e ardhshëm. Mbështetësit bardheblu në orën 18:00 u mblodhën përpara Bashkisë nën sloganin “Larg Politikës, Afër Tironës”. Tifozët e organizuar të skuadrës kryeqytetase kanë bërë të ditur se protesta vjen si nevojë për të shmangur indiferencën që po tregohet karshi klubit më të titulluar në historinë e futbollit shqiptar.
Kjo protestë, thanë drejtuesit e saj, nuk ka ngjyrime politike, por mbart në sfond ngjyrat bardhë e blu dhe ka si qëllim motivimin e Bashkisë së Tiranës për të ndërmarrë nismat e nevojshme për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin 2014-2015. Ultrasit e Tiranës paralajmëruan Bashkinë se do të përshkallëzojnë protestat për të mos lejuar përsëritjen e sezonit që sapo u mbyll, gjatë të cilit 24 herë kampionët e Shqipërisë mezi siguruan mbijetesën. Vlen për t’u theksuar se vetëm pak minuta pas grumbullimit të tifozëve bardheblu para Bashkisë, kryebashkiaku Lulëzim Basha iu bashkua grupit për të bashkëbiseduar për pak minuta me ta, duke u siguruar se po bën gjithçka që në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të ketë në rendin e ditës edhe çështjen e “Tiranës”. Protesta zgjati rreth 15 minuta. Protestuesit bënë të ditur se, nëse situata nuk ndryshon dhe çështja zvarritet, protestat e tifozëve bardheblu do të precipitojnë edhe në dhunë. Tirana mbijetoi në superiore falë mbështetjes së dy donatorëve Halili dhe Morina, të cilët nuk kanë ndërmend të sponsorizojnë skuadrën në të ardhmen nëse nuk u njihen kontributet apo nuk u lejohet të shfrytëzojnë asetet e klubit, siç janë të ardhurat nga stadiumi “Selman Stërmasi”. Skuadra kryeqytetase rrezikon edhe këtë vit të jetë pjesë e betejës për mbijetesë, çka nuk i ka hije, pasi bardheblutë në palmaresin e tyre mbartin 24 tituj kampion të Shqipërisë, 15 kupa dhe 10 superkupa, duke koleksionuar kështu 49 trofe kombëtare si asnjë skuadër tjetër në vendin tonë.











