Mirushin nuk e shpeton dot Mirushi

Mirushin nuk e shpëton dot Mirushi
Drama që trajton skenari i filmit e shpie një vogëlush nga Kosova deri në Norvegji në kërkim të të atit, i cili realisht pasi ka ikur në mërgim e ka braktisur fare familjen. Mirushi e gjen veten në një rreth personazhesh dikensianë si të “Oliver Tuisti”. Marius Holst i ka mëshuar anës më të zezë e më të pashpirt të këtij realiteti aq sa t’i prishë ekuilibrin “Mirushit”, duke krijuar kontrast të personazhit kryesor me këtë ferr të realitetit të jetës në mërgim. Filmi hedh me dozë të tepruar një mjegullë të errët mbi reputacionin e shqiptareve në botën e lirë, ku sipas skenarit, kontigjente të krimit të organizuar merren me tregje të pista e vrasin e presin lirshëm, pa rënë në sy të mekanizmave të një prej shteteve më të organizuar të kontinentit evropian.

Filmi është një galeri e tërë personazhesh ku të gjithë dalin të ligj nga konfliktet e shpalosura. Edhe Mirushi, pavarësisht mospajtimit me ndërgjegjen e vet, realisht mbetet peng i atij realiteti që iu stampua me hekur të skuqur në lëkurën fëminore, saqë ai kur kthen i falur nga zemërgjerësia (edhe ky një element artificial, ashtu si konflikti i ngjizur artificialisht me orën “Rolex”) e një banditi gjakftohtë, ka kaq shumë mbingarkesa në shpirt sa spektatorit i duket sikur ai mbart me vete urnën e shpirtit të tij të shkrumbosur. Mirushi në kthim ka humbur gjithçka…Në finale të filmit spektatorit i duket vetja sikur ndodhet në një trysni reje të zezë që është dhe fati i keq i emigrantit… Duartrokitjet e shumta për lojën aktoriale nuk mund ta hiqnin përnjëherë shijen e rëndë të atmosferës që sillte ky film në ekran.

Është vlerësuar shumë 17-vjeçari Nazif Muharremi për interpretimin fin, duke u cilësuar një talent që me intuitë ka ditur të thyejë kufijtë mes aktorëve profesionistë dhe amatorë. Asnjë gjest i vogël, nuk u vu re në lojën e Muharremit për të na dhënë të kuptojmë se është fillestar. Ai është nxënës në vitin e tretë të një shkolle të mesme biznesi në Shkup dhe shpreson që në të ardhmen të vazhdojë karrierën në kinema. Megjithatë, talenti i Mirushit nuk mund të shpëtojë gjithë “Mirushin”.



Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama