Mirel Josa Tirana? Nuk me tremb as Liverpuli

Mirel Josa: Tirana? Nuk me tremb as Liverpuli
Kategoria Superiore do të rikthehet në fundjavë, ndërsa Vllaznia-Tirana është padyshim supersfida e javës së 5-të të kampionatit. Pas pauzës për ndeshjet ndërkombëtare, dy skuadrat që pretendojnë të fitojnë titullin do të matin forcat në Shkodër, në sfidën që do të zhvillohet të shtunën, në orën 16.00. Kryeqytetasit kryesojnë kampionatin me 9 pikë të grumbulluara pas 4 ndeshjesh, ndërsa kuqeblutë renditen në vendin e gjashtë, në kuotën e 6 pikëve. Vllaznia synon të shfrytëzojë faktorin “Loro Boriçi”, pasi në këtë start të sezonit është e pamposhtur në shtëpi.

Trajneri Mirel Josa, një njohës i mirë i Tiranës, ku ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës si futbollist dhe teknik, deklaroi: “I frikësuar? Nuk më tremb as Liverpuli, nëse Vllaznia do të luante me gjigandët anglezë. Me këtë dua të them që nuk kam frikë as nga përballja me Tiranën”. Drejtuesi i stolit të skuadrës së kryeqendrës së veriut nuk e cilëson sfidën me bardheblutë si vendimtare për titullin kampion. Përkundrazi, ai kërkon seriozitet nga skuadra dhe kërkon përqendrim maksimal në çdo ndeshje. “Kjo ndeshje nuk vendos shumë për sa i takon garës për titullin, nënvijëzoi ai. Një fitore në fundjavë me Tiranën do të zhvlerësohej menjëherë nga një humbje në takimin pasardhës në Vlorë, pasi praktikisht skuadra do të qëndronte në të njëjtat pozita në tabelën e klasifikimit. Për këtë arsye, unë vazhdoj të këmbëngul se duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të punojmë për stabilizimin e rezultateve të Vllaznisë”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama