Me njeriun e mire Vangjush Furxhi

Me njeriun e mire Vangjush Furxhi
Festivali i Durrësit, edicioni i katërt, që hapet sonte, ora 20.30, në arenën e amfiteatrit romak i bën homazh Vangjush Furxhiut. Aktori nderohet me Çmimin e Karrierës (post mortem) në dhjetë vjetorin e vdekjes. Vitin e shkuar ky çmim iu dha një bashkëkohësi, aktorit Agim Qirjaqi (post mortem). Gjatë ceremonisë transmetohet një kolazh me filma ku ka interpretuar Furxhi. Më 30 gusht, ora 12.00, në sallën “Aleksandër Moisiu” shfaqet retrospektivë “Njeriu i mirë”, Ibrahim Muço & Kristaq Mitro, 1982, 70’. E prezanton regjisori Kristaq Mitro i cili në katalogun e festivalit ka lënë për Furxhiun shënimin që po e botojmë.

Vangjush Furxhi ndërroi jetë (mesnatën e 26 gushtit 2001) në rrethana të vështira, jo vetëm sociale dhe jo vetëm të tranzicionit, por edhe rrethana ekzistenciale që stimuloi kjo kohë e cila e përçau artistin shqiptar dhe produktin e tij të gjysmë shekullit të kaluar, në artin e së shkuarës dhe artin e pasnëntëdhjetës. Furxhiu kishte pritur të ndodhte një lloj revolucioni, qysh në vitet e Pleniumit i vitit ’73, kur drama “Njolla të murrme“ dhe autori i saj Minush Jero (Furxhi aty ishte protagonist) me gjithë regjisorin, Mihal Luarasi u dënuan.

Si zëvendësministër i kulturës për dy vjet, periudhë e ministrit Anagnosti dhe kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Shqipërisë kërkoi rrugët institucionale për funksionimin si një komunitet i vetëm artistik edhe me trojet etnike, Maqedoni, Kosovë. Si aktor është kujtuar edhe për raportet e vështira me regjisorët, sepse, siç kujton një nga miqtë e tij, Dhimitër Anagnosti “nuk ishte nga ata që e linte veten në dorë të regjisorit“ dhe nuk i dha të gjitha mundësitë e tij. Periudhën para vdekjes e kaloi i izoluar në shtëpi. Shoqja e jetës së tij, Marilda tërheq trofeun nga regjisori Mevlan Shanaj bashkëpunëtor i hershëm i Furxhiut.

Timo Fllokos i është besuar prapë pritja e të ftuarve, një pjesë e mirë të cilëve janë të pranishëm qysh sonte, Dhimitër Anagnosti si president nderi, regjisori i shquar çek Jiri Menzel si kryetar i Jurisë Ballkanike, regjisori dhe filozofi polak Kryzystof Zanussi i vlerësuar me Çmimin e Karrierës nga ky festival vitin e kaluar; bashkëkombësi i tij Lech Majeëski që konkurron me “Mulliri dhe kryqi” për Gladiatorin e Artë; producentin britanik Nick Poëell, kryetar i Jurisë Ndërkombëtare, producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija.

Nata e parë e Festivalit hapet me filmin “Mjaltë/ Honery”, nga Semih Kaplanouglu (Turqi/Gjermani, 2010, 130’, regjia: Semih Kaplanoglu, skenari: Semih Kaplanoglu, Orçun Koksal, aktorë: Bora Altaş, Erdal Besikçioglu, Tulin Ozen) film premierë për publikun shqiptar. Është më përfaqësuesi i kinemasë së re turke e cila zë vend në kategorinë “Takimet e ngushta”. Këtu Festivali i Durrësit i lë hapësirë kulturës filmike të një vendi të caktuar.  Kinemaja turke paraqitet me një koleksion të prodhimeve në tre vitet e fundit, zgjedhur nga kritikja Alin Tasciyan.

“Mjaltë” është një majë, fitues i Ariut të Artë në Berlinalen 2010.

Përpos programeve speciale, leksioneve, filmave të të rinjve, në ditët në vazhdim vëmendja është te filmat në konkurrim për Gladiatorin e Artë, 8 fikshën të kategorisë vizione bashkëkohore dhe 6 për Botë Ballkanike.

Më 31 gusht pritet i ftuari i nderit Francis Ford Coppola dhe aktorja Claudia Cardinale më 2 shtator e cila pas ceremonisë së çmimeve, në Gala Screening, prezanton “Otto e Mezzo” i Federico Fellinit.
 
Shënim nga regjisori Kristaq Mitro

Ishte vjeshtë. Ishte koha kur bënim filmin “Njeriu i mirë”. Ndodhte shpesh të shkoja në dekor orë përpara se të nisnim nga puna. Kështu ndodhi atë natë. Në atelier vetëm një fashë drite. Nga thellësia, fjalët e një monologu të gjatë kafshonin heshtjen. Hapat e mia në kufirin e qetësisë. U ngjita lart në skelat e dritave dhe hodha sytë poshtë. Ai ecte nga njëra dhomë në tjetrën, në vajtje ardhje, nën një dritë të zbehtë, me fjalë tërë afsh dhe forcë të lartë. Pas kësaj një njeri akull i ftohtë, pa dashuri, një egoist me një buzëqeshje të shuar në fytyrë… Po vizatohej një personazh sipas urdhrit të aktrimit: “Ujdise fjalën me veprim”. Si një magji, ku magjistari ishte Ai. Pastaj ndali tek një dritare si në një pasqyrë. Një muzg u shfaq ndër sytë e tij. Një besim i tronditur nga erërat që frynin në diktaturë, lexova në atë çast. I sulmuar Brenda tij kishte baraspeshë… Një dallgë u ngrit. Një mërmërimë solli një besim. Kërkoje këtu qetësinë, te puna. Mendja më rrëfeu atë natë një tempull në gjysmë errësirë dhe unë besova se Vangjush Furxhi ishte shfaqur si një shenjtor i kinemasë. Nga fati i ngjarë me “fluturën e plagosur”. Tani e gjithë kjo vjen si një nderim i thellë për një meteor që u këput nga qielli befasisht, si një adhurim për të heshturin fisnik, asnjëherë i dashuruar me dhuratat e famës së tij. Në një kohë në vjeshtë ku gjethet i binin si kurorë.

Mjaltë mbyll trilogjinë e Jusufit

Me “Mjaltë”, Kaplanoglu, një nga autorët më të shquar të kinematografisë moderne turke, “ka arritur nga ana estetike dhe filozofike majën duke mos i lë asgjë mangët mjeshtërve më të mëdhenj të kinematografisë”. Filmi mbyll trilogjinë “Yusuf” e cila hulumton në retrospektivë jetën e një njeriu nga mosha madhore (Vezë) deri në adoleshencë (Qumësht) dhe deri në fëmijëri. Kritikja Alin Tasciyan shënon se “Kaplanoglu na tregon jetën e egër në një pyll lart në male, përmes syve të një djali të vogël të mrekulluar nga puna e të atit si bletar. Mënyra si ngjit pemë shumë të larta, errësira dhe zhurmat e pyllit krijojnë një univers hipnotizues për të voglin Yusuf, ndërkohë që mëson të lexojë në vitin e parë të shkollës. Pas një kthese të fortë në jetën e tij, poezia la gjurmë të thella te Yusufi. Të tilla gjurmë do të lërë edhe te publiku ky film me madhështinë e tij poetike.”
 
Anagnosti nderon Coppola-n

Dhimitër Anagnosti i vlerësuar dy vjet përpara me çmimin e karrierës nga Festivali i Durrësit, ka pranuar t’i lërë për ca ditë pushimet në vendlindjen e tij Vuno të vijë në Durrës si president nderi. Anagnosti i dorëzon Çmimin e Karrierës – çmim që japin organizatorët një personalitet të kinemasë botërore – Francis Ford Coppola-s i cili vjen në Durrës më 31 gusht. Pasdite ora 17.15-18.30 do të ketë një takim Pyetje&Përgjigje të publikut me Coppola-n. Në shenjë nderimi shfaqen dy filma të tij, premierë për publikun shqiptar. I prezanton vetë Coppola më 1 shtator: në sallën Aleksandër Moisiu, 18.20 Rini pa rini, 2007, 124’; në Amfiteatrin romak, 21.00 Tetro, 2009, 127’.

 Tetë filma për kategorinë e filmit evropian “Vizione bashkëkohore”:

Legjenda e ciprianit fluturues, Mariana Cengel Solcanska, Sllovaki/Poloni, 2010, 108 min; Në largim, Vaclav Havel, Çeki, 2011, 94 min; Djaloshi, Maria Peters, Hollandë, 2011, 132 min.; Habermann, Juraj Herz, Çeki/Austri, 2010, 104 min; Siberi, dashuria ime, Slava Ross, Rusi, 2011, 102 min; Pa baballarë, Marie Kreutzer, Austri, 2011, 104 min; Të fitosh, Marco Bellocchio, Itali/Francë, 2009, 118 min; Mulliri dhe kryqi, Lech Majeëski, Poloni/Suedi, 2010, 97 min

6 filma për kategorinë e filmit ballkanik “Botë ballkanike”:

4 kostume të zeza, Renos Haralambidis, Greqi, 2010, 90 min; 72 Ditë, Danilo Serbedzija, Kroaci/Serbi, 2010, 93 min, Të jesh italian me zonjën Enrika, Ali Ilhan, Turqi, 2011, 110 min; Aroma e shiut ballkanik, Ljubisa Samardzic, Serbi, 2010, 95 min; Dasmë në Besarabi, Napoleon Helmis, Rumani, 2009, 92 min; Piran, Goran Vojnovic, Slloveni, 2010, 101 min.

Çmimet Golden Gladiator

Jepen për Filmi më i Mirë nga “Vizione Bashkëkohore”, Regjia më e Mirë, Aktori më i Mirë, Aktorja më e Mirë dhe Filmi më i Mirë Ballkanik, Çmimi i Publikut, Audience Award dhe FIPRESCI Prize, nga “Botë ballkanike”. Filmi më i mirë i shkurtër i realizuar nga studentë që vlerësohet me çmimin “Bukuroshja e Durrësit”. Organizatorët japin Durrës Silver Award, Golden Gladiator për arritjet kinematografike dhe Çmimin e Karrierës që i jepet një artisti shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama