Mbledhje te Kukesi sot vendoset per ceshtjen Nika

Mbledhje te Kukësi, sot vendoset për çështjen Nika

Dita e sotme pritet që të nisë me një mbledhje te Kukësi. ansi nikaSafet Gjici ka ftuar në një takim drejtuesit e klubit dhe anëtarët e stafit teknik. Kreu i verilindorëve në këtë mbledhje të fundsezonit pritet që të vendosë pikat mbi "i" për shumë çështje që kanë mbetur pezull.

Drejtuesit do të bëjnë një përmbledhje për punën e bërë deri më tani, ndërsa Klodian Duro dhe stafi i tij do pyeten për lojtarët. Do të jetë ndoshta ky takim vendimtar për të ardhmen e disa futbollistëve. Konsulta mes palëve që do të përcaktojë se kush do të largohet dhe kush do të qëndrojë në Kukës për sezonin e ri. Skarcimet dhe riorganizimi i grupit për Kupat e Europës janë qëllimi real i kësaj mbledhjeje. Burime pranë klubit zbulojnë për gazetën se janë 4 lojtarë ata që rrezikojnë që të shkëpusin marrëdhëniet me klubin.

Prurjet e janarit si Arbër Mone, Nertil Ferraj, Mario Morina priten të largohen, pasi të dyja palët janë të pakënaqura me njëra-tjetrën. Kukësi nuk ka marrë atë që priste nga këta elementë, ndërsa edhe vetë lojtarët nuk janë të kënaqur, pasi nuk kanë gjetur hapësirat e duhura.

Ndërkohë, ashtu siç tha edhe vetë presidenti në intervistën e tij për "Panorama Sport", një çështje që meriton diskutim të hollësishëm do të jetë ajo e Ansi Nikës. Ky rast do të shqyrtohet me kujdes në këtë mbledhje, edhe pse gjasat janë që klubi të ndërpresë kontratën me të. Në Kukës janë të pakënaqur me ish-lojtarin e Teutës, jo vetëm për shkak të kartonit të kuq që mori në finalen e Kupës, por në kompleks me paraqitjen e tij. Paçka se shkodrani ka vuajtur edhe prej dëmtimeve të shpeshta, pritet që të largohet.

Mesfushori ka edhe një vit tjetër kontratë me verilindorët, por e ardhmja e tij është në dorën e trajnerit. Do të jetë Duro ai që do të thotë fjalën e fundit për këtë futbollist. Ndërkohë që për afrimet po studiohen emra, të cilët bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar, por edhe jashtë saj. Sakaq, klubi ka mohuar interesin për futbollistin që mbylli sezonin me Teutën, Slavko Lukiç.

Duhet parë që kjo deklaratë e Kukësit është thjesht manovër merkatoje për të ulur pretendimet financiare të lojtarit, apo në klub nuk kanë rënë dakord për shkak të pretendimeve të mbrojtësit serb që janë më të larta.

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama