Festivali i dedikohet kryesisht filmit të pavarur dhe eksperimental dhe qëllimi i tij është të promovojë talentet ndërkombëtare në fushën e aktrimit dhe të filmbërjes (regjisorë, aktorë, skenaristë). Ky është një festival që premton të "respektojë zërin individual" dhe organizatorët presin edhe më shumë vizitorë se në edicionet e mëparshme. Qëllimi i tij është të paraqesë një forum publik të gjerë për prodhuesit e pavarur dhe eksperimentalë të filmit dhe të ofrojë një shtrirje edukative. Festivali i filmit "Swansea Bay" është një festival kualifikues për çmimin e filmave të pavarur britanikë. Filmi shqiptar “Maya", me regji të Pluton Vasit, që u shfaq premierë në tetor 2010 vetëm për një publik të zgjedhur, nisi të shfaqet këtë vit për publikun e gjerë në kinematë "Imperial" (Sheraton) dhe “Agimi”. "Maya", me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe produksion të Vjollca Dedeit, trajton realitetin e jetës së njerëzve në thjeshtësinë e tyre, një realitet që mund të gjendet kudo në vendet më me traditë të Shqipërisë.
Në filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë, regjisori Vasi ka zgjedhur aktorët: Genti Kame, Rovena Lule, Alert Çeloaliaj, Myzafer Ziflaj, Xhevahir Zeneli, Mariana Kondi, Arben Derhemi, Zyliha Miloti. Maya, personazhi kryesor i filmit, është një grua e re, nënë e dy vajzave që bën një jetë rutinë në qytezën Gromas. Jeta e saj ndryshon rrjedhë kur në qytezë shkel Samiu, një djalë i ri i ardhur nga jashtë vendit për një amanet të të atit: ta varrosë në vendlindje. Samiut i pëlqen Gromasi dhe vendos të rrijë një kohë të gjatë aty, por kjo nuk është e lehtë për të. Filmi rrëfehet nëpërmjet zërit të narratorit dhe flashback-ut, ose thënë ndryshe, kthimit të copëzave të ngjarjes në memorien e njërit prej personazheve. Filmi “Maya”, realizimi më i fundit i Pluton Vasit, është një prodhim shqiptar me buxhet të vogël i “Art Film P&D”. “Maya” është i pari film artistik me metrazh të gjatë i regjisorit Pluton Vasi, i cili përgjithësisht ka krijuar në gjininë e dokumentarit. Vasi është autor edhe i filmave dokumentarë: “Lojë botësh”, “Mjekër e thinjur”, "Çdo të thotë", "Kënga", "Gjitoni". "Kënga" u nderua me çmim të parë në Festivalin Botëror të Arshivës për Filmin Dokumentar, zhvilluar në Badenbaden të Gjermanisë në korrik 1997.