Martin Skorceze Jam i dashuruar pas 3D

Martin Skorceze: 'Jam i dashuruar pas 3D'
“Më ka pëlqyer gjithmonë “3D””, deklaroi Martin Skorseze dhe sakaq një buzëqeshje i përvijohet dhe sytë e vetullat e trasha i qeshin që përtej syzeve. Sipas tij, ky këndvështrim i të parit të jetës është shumë më i zgjeruar, më i madh e më shumëngjyrësh se vetë jeta reale.

Martin ndërsa flet për një teknologji të kohëve moderne edhe vetë duket se është ‘gozhduar” në periudhën e rinisë. Është 68 vjeç dhe ka ende një pamje, vështrim dhe entuziazëm prej djaloshi. Të vetmet që i japin një lloj autoriteti janë thinjat që siç thotë vetë regjisori i kanë dalë që herët. Ai dhe shumë regjisorë të tjerë të famshëm të dhjetëvjeçarëve të fundit janë duke kaluar tani periudhën tranzitore nga kinemaja e zakonshme dydimensionale që i  bëri të famshme veprat e tyre në atë tredimensionale, apo siç quhet edhe nga shumë analistë të kinemasë “periudha post-Avatar”.

Kjo është edhe teknologjia që ka çelur shekullin e 21-të dhe askush nuk mund të përcaktojë se cila do të jetë teknologjia e fundit të këtij shekulli. Por shpejtësia me të cilën po ecin gjërat, shpejtësia e shpikjeve flet për një të ardhme të jashtëzakonshme.

Skorceze është rritur në Manhatan, Nju Jork dhe është i biri i një siciliani të brezit të dytë, emigrant sigurisht dhe një rrobaqepëseje. Ka qenë kurioz i madh që në fëmijëri dhe me kinemanë vendosi marrëdhënie që herët. Madje, ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë se “filmat dhe feja” janë jeta e tij. Në fillim të viteve ’70, Skorceze revolucionarizoi kinemanë popullore me filma të tillë shumë të diskutueshëm si “Mean Streets” dhe “Taxi drivers” të frymëzuara dukshëm nga kinemaja franceze dhe ajo e “neorealizmit” italian. Edhe pse filmat e tij të mëvonshëm dhe për më tepër ata të fundit kanë qenë me më shumë fitim financiar si “The Departed”, “The Avatar” apo Shutter Island” janë pikërisht filmat e tij të parë që mund të konsiderohen pa frikë si filma klasikë, ato që e bënë Skorcezen të profilizohej si një regjisor shumë i veçantë dhe me një intuitë dhe stil tepër origjinal.

Duke qenë se një film është mbi të gjitha një punë në skuadër, edhe Skorceze e ka pranuar dhe vazhdon që të pranojë se suksesi i filmave të tij u garantua edhe nga bashkëpunimi i madh që pati regjisori me aktorin po aq të njohur dhe me origjinë italiane, Robert de Niro. Kjo ka qenë për të dy një marrëveshje miqësie dhe pune shumë kreative. Por Skorceze nuk e ka pasur të lehtë që të dallohet në Hollivud dhe mbi të gjitha në kinemanë botërore, sepse ylli i tij shkëlqeu në një qiell të ndriçuar nga shumë yje të tjerë, gjeni të regjisë dhe interpretimit si: Steven Spielberg, Francis Ford Copola, George Lucas apo Brian De Palma. Të gjithë këta janë regjisorë të së njëjtës periudhë që kanë realizuar filma që përbëjnë gurët kilometrikë të kinemasë amerikane. Pikërisht në këtë yjësi talentesh dhe mjeshtrash Skorceze arriti që të krijonte individualitetin e tij shumë të qartë dhe të përcaktuar. Muzika pop, sipas vetë fjalëve të regjisorit përbën edhe kolonën zanore të jetës së tij të gjatë. Kjo ka bërë që disa filma t’ua kushtojë heronjve të këtij zhanri të muzikës si të paharrueshmit “Jumpin Jack Flash” apo “Be my baby”.

Por do të duhet që të vinte viti 1980 që Maruin tashmë një emër me shumë peshë në kinematografi të merrte edhe nominimin e parë për çmimin “Oskar” për regjisorin më të mirë. Kjo do të përsëritej edhe në filmin “The last Temptation of Christ” “Godfellas”, “Gangs of New York” dhe “The Avatar”. Por rruga drejt fitimit të statujës së artë do të ishte e gjatë. Ajo u kurorëzua me fitore në vitin 2007 me filmin ‘The Departet” dhe ishte një çmim për të cilin ai kishte pritur shumë gjatë, por që ia kishte vlejtur, sepse bëhet fjalë për një film me të vërtetë të bukur dhe me shumë jehonë. Në fakt, regjisori e mban mend mirë momentin kur mori në duar statujën e artë, moment që u shoqërua nga një duartrokitje e gjatë e publikut, një duartrokitje që në fakt më shumë se për vetë filmin ishte për karrierën e tij të gjatë dhe për shumë oskarët e tjerë të munguar.

Duke qenë se fëmijëria dhe rinia e Skorcezes kaloi mes gangsterëve dhe priftërinjve, ai në filmat e tij përdori një realizëm therës, madje në disa raste më shumë se ai i filmave të Francis Ford Copolas që ka qenë edhe “mbreti” i filmave me mafiozë. Por së fundi ka prodhuar një tjetër film këtë herë të bazuar në një libër gjysmëhistorik dhe gjysmëtrillim me titullin: “The invention of Hugo Cabret”. Ky është edhe filmi i tij i parë që do të realizohet në formatin 3D.

Libri me të njëjtin titull konsiderohet nga kritikët jo tamam një roman, jo tamam një libër me piktura, jo tamam një libër historik, por një kombinim shumë interesant i të gjithë këtyre elementëve. I tillë është karakterizuar edhe vetë filmi, pra një zhanër që ngërthen në vetvete shumë elemente dhe njëherazi sjell shumë risi jo vetëm në aspektin e mënyrës së xhirimit, pra me 3D.

Ngjarjet e filmit zhvillohen në Parisin e vitit 1920 dhe në qendër të tyre ndodhet një djalë 12-vjeçar “jetim dhe hajdut”, i cili jeton në muret e një stacioni treni kryeqytetas që rrihet nga shumë njerëz dhe mbijetesa e tij varet nga sekretet dhe anonimati. Takimi me një vajzë që është pronarja e një kioske të vogël do të sjellë edhe shumë zhvillime të reja në film dhe do të ndryshojë befas rrjedhën e ngjarjeve të jetës së djaloshit. Kështu zë e merr trajtë një aventurë misterioze në të cilën përfshihet një gur i vjedhur, një bllok shënimesh i vjetër dhe një njeri po ashtu mekanik dhe i mistershëm. Është një rrëfim që ka edhe fakte historike dhe reale, por që herë pas here humbet në mjegullën e misterit dhe të së panjohurës çka e bëjnë këtë film shumë interesant.

 “Është vërtet një histori e një djali të vogël që krijon lidhje me miqësi të çuditshme. Në filmin tim, pika lidhëse mes personazheve dhe ngjarjeve është kinemaja, e cila ishte në hapat e saj të parë në ato vite. Sepse kinemaja është një mjet shprehës i emocioneve, një pasqyrë e thellësisë së shpirtit njerëzor në një formë të paparë dhe të paeksploruar më parë. Në këtë film, shqetësimi kryesor i Skorcezes është që të tregojë aftësinë e kinemasë dhe ta karakterizojë me një proces mekanik që në njëfarë mënyre është e aftë që të depërtojë në zemrën e njerëzve, në zemrën e audiencës. Dhe ka të bëjë pikërisht me këtë fakt, pra me kinemanë vetë dhe lidhjen e tij me  të edhe fakti i dashurisë dhe magjepsjes që ai ka me teknologjinë 3D.

Por se sa do t’ia dalë Skorceze që të mbledhë të gjitha emocionet dhe magjinë e kinemasë në formatin 3D, kjo mbetet ende për t’u parë. Ai megjithatë vazhdon që të mendojë se kinemaja është një lloj makine që mbush boshllëqet në shpirtrat njerëzorë, në jetët emocionale të njerëzve duke ringjallur dhe realizuar ëndrra dhe zhgjëndrra të tyre përmes imazheve dhe së fundi edhe përmes imazheve 3D. “Unë kam takuar njerëz që zor se mund t’i drejtonin ndonjë fjalë njëri-tjetrit, por nga ana tjetër kalojnë një kohë shumë të bukur kur shkojnë së bashku në kinema dhe shohin filma aty”, thotë Martin.

“Kur bën një film, shpesh të ndodh që të përfshihesh nga pasione të mëdha shumë të fuqishme. Është si një patologji kinematografike, si ajo që mund t’u ndodhë disa shikuesve që duan të bëhen pjesë e filmit dhe e jetës së personazheve të tij, të bëhen pjesë e emocioneve, shpirtit të tyre në njëfarë mënyre.

Tani unë nuk dua që të tregohem shumë dramatik, por mund të them se një pjesë e madhe e filmave të mëdhenj bëhen kur ti si regjisor je i përfshirë nga një lloj dalldie prej se cilës nuk shkëputesh dot deri në përfundim të filmit e disa herë edhe pak kohë më pas”. Po si e shpreh këtë patologji Skorceze në filmat e tij?

“Unë mendoj se subjekti në qendër të filmit nis një marrëdhënie me njerëzit që unë njoh, me aspekte të jetës sime, me tipare të shokëve të mi dhe në këto rrethana dhe me këtë përzierje përpiqemi që të ecim përpara dhe të xhirojmë, pra të materializojmë një skenar. Jo gjithmonë janë në gjendje që i bëjnë mirë gjendjes personale emocionale”.

Të jetosh përmes kinemasë mund të jetë një rrugëtim i rrezikshëm. Ka raste që me një film të vetëm që mund të të duket më i miri i karrierës, në fakt për të tjerët mund të kesh shkatërruar gjithë reputacionin e filmave të tjerë dhe të emrit tënd.

Skorceze rrëfen se ka parë shumë filma në fëmijërinë e tij dhe se ato sekuenca i kanë lënë mbresa të mëdha në mendje edhe gjatë viteve të punës si regjisor. “Ngjyrat e fëmijërisë sime janë ngjyrat e filmave që unë kam parë, janë ngjyrat e personazheve, peizazheve të cilat ai i ka “ringjallur” më pas në filmat e tij  më të suksesshëm. “Kur isha i vogël dhe i ri më kujtohen momentet kur kërkoja të gjeja filma që quheshin në atë kohë ose “të ndaluar” ose “të rrezikshëm”. “Nuk kishte kënaqësi më të madhe se kur më në fund i gjeje dhe shijoje shfaqjen e tyre me një kënaqësi shumë të madhe”, rrëfen Skorceze. “Tani të njëjtën kënaqësi e kam kur mendoj për efektin që ka 3D në kinema dhe aftësinë e saj për të përcjellë emocione dhe anët e realitetit viziv të papërcjellshëm në të shkuarën. Është një aventurë e re, një botë e re që do të flasë shumë në të ardhmen e afërt”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama