Margarita Xhepa aktorja me e mire e Apollon 2011

Margarita Xhepa, aktorja me e mire e Apollon 2011
Edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Apollon 2011” u mbyll mbrëmjen e së dielës me shfaqjen e trupës së teatrit “Anton Pann”, Rumani. E më tej u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve, e cila u zhvillua në skenën antike të Apollonisë. Juria e festivalit, e përbërë nga dramaturgu rumun Doru Motok, kritiku i artit Josif Papagjoni dhe aktori e regjisori Alfred Trebicka vendosi që të nderojë me çmimin si aktorja më e mirë e festivalit, aktoren Margarita Xhepa. Çmimin e aktorit më të mirë protagonist e fitoi aktori rumun Romul Moruan. Çmimin për aktorin dhe aktoren jo protagonist e morën Fatmir Xhelili i trupës së Fierit dhe Klea Konomi. Festivali i aktrimit u zhvillua nga data 31 gusht deri më 4 shtator.

Në këtë edicion jubilar morën pjesë trupa nga Shqipëria (Tirana dhe Fieri), Greqia, Rumania e Kosova. Festivali “Apollon” nisi si një aktivitet mbarëkombëtar i aktrimit, por bordi i festivalit e pa të arsyeshme që ky festival të kthehej në ndërkombëtar, me qëllim që aktorët shqiptarë të ballafaqohen me kolegët e tyre europianë, për të qenë koherentë me artin e aktrimit dhe për të shkëmbyer eksperienca. Kjo është arsyeja që në këtë festival ka rreth 50% trupa shqiptare dhe po kaq të huaja. Trupat konkurrente u përzgjodhën nga selektori i festivalit, aktori Ndriçim Xhepa dhe bordi i festivalit, duke u mbështetur në gjithë aktivitetin teatror të zhvilluar në vend e mbi të gjitha në lojën e aktorëve. Këtë vit festivali i aktrimit u zhvillua në kuadrin e një projekti të madh artistik, titulluar “Netët apolloniane”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama