Magjia e Saul hipnotizon Bajernin (VIDEO)

Magjia e Saul hipnotizon Bajernin (VIDEO)

Fishekzjarrë dhe emocione të përsëritura në "Visente Kalderon", ku Atletiko e Madridit fiton raundin e parë kundër Bajernit të Mynihut (1-0), i cili hyri me vonesë në lojë, pas një pjese të parë gati inekzistente. saul niguezAi që vendosi ndeshjen pas një 90-minutëshi të luajtur deri në frymën e fundit ishte një magji e Saul, në minutat e parë, ndërsa në të dytën erdhi përgjigjja dhe kundërpërgjigja e të dyja skuadrave, që goditën nga një herë secila "hekurat" e portës. "Cholo" Simeone arrin fitoren e parë kundër Guardiolës në një natë për t'u mbajtur mend, në një mbrëmje që vlejti si reklamë për futbollin, duke parë edhe atmosferën që ofruan të dyja tifozëritë. Gjithsesi, edhe më emocionuese pritet ndeshja e kthimit, të martën e ardhshme.

Furi bardhekuqe

Presing mbytës, intensitet dhe ritme nga ato që të bëjnë me marrje mendsh që në goditjet. Në "Kalderon" është një histori komplet tjetër kundrejt gjysmëfinales së parë mes Mançester Sitit dhe Realit të Madridit. Meritë edhe e një Atletikoje, që konfirmon parashikimet e vigjiljes, pasi janë spanjollët që imponojnë ritmin e tyre që në sekondat e parë. Ndryshe nga normalja, Bajerni detyrohet të mbrohet, sepse madrilenët duken si të pushtuar, të djallëzuar, duke treguar një agresivitet të frikshëm. Pikërisht kjo furi e të zotëve të shtëpisë bën që pas dy tentativash në minutat 2 dhe 7, "banda" e Simeones mund të festojë, në të 11-tën, pas një aksioni personal dhe spektakolar të Saul.

Mesfushori i Atletikos "vishet" si Lionel Mesi; vrapon dhe driblon katër bavarezë në mënyrë të frikshme nga qendra dhe me të hyrë në zonë godet saktë me të majtën, në shtyllën më të largët dhe mposht Nojerin. Avantazhi ekzalton në maksimum turmën e pranishme, por reagimi i Bajernit vjen vetëm me "luftëtarin" Vidal, i cili sheh golin e barazimit që t'i largohet mbi vijën fatale nga Gimenez.

Më pas është edhe Duglas Kosta që tenton, por goditja e tij e dënimit prek vetëm rrjetën e jashtme. Shumë pak për skuadrën e Pep Guardiolës, e cila ofroi një zotërim topi të frikshëm prej 71 përqindësh në pjesën e parë, por Atletiko nuk shqetësohet nga kjo, madje i shkon shumë pranë dyfishimit, me një kundërsulm mahnitës në minutën e 30-të, me Grizmanin, por shifrat nuk ndryshojnë.

Tronditen shtyllat

Britmat e mundshme të Guardiolës gjatë pushimit duhet ta kenë zgjuar Bajernin, sepse gjermanët kthehen me një tjetër shpirt në fushë, në pjesën e dytë dhe i shkojnë shumë pranë barazimit, në minutën e 54-t, kur një "predhë" e Alabës shkund traversën. Kalojnë vetëm tri minuta dhe Martinez provon me kokë, por Oblak bllokon. Bajerni ka marrë në dorë lojën dhe tashmë situata ndryshon, sepse është Atletiko që mbyllet në zonën e tij, duke vendosur dy barrikada mbrojtëse, të cilat duken shumë të vështira për t'u kaluar.

Guardiola tenton të ndryshojë strategji, në lojë Riberi dhe Myler për Koman e Tiago, dhe mësymja bavareze vazhdon, por Oblak vendos të bëjë heroin duke pritur dhe grushtuar çfarëdo topi që kalon në kuadratin e tij, si në minutën e 73-të, kundrejt një "siluri" të Vidalit. Por Bajerni lë hapësira pas, shumë madje dhe në të 75-tën rrezikon kapitullin, kur Torres, me një driblim dehës, shtrin në tokë një kundërshtar dhe trondit shtyllën.

Emocionin e fundit e ofron Vidal, me një gjuajtje të dobët nga pozicion shumë i mirë dhe, në fund, Atletiko mund të festojë, por për pak, sepse ndeshja e radhës, të martën e ardhshme në "Allianz Arena", do të jetë një betejë edhe më e ashpër.

Formacionet

Atletiko Madrid: Oblak; Juanfran, Gimenez, Savic, Filipe Luis; Gabi, Augusto, Koke, Saul; Griezmann, Torres
Bajern Mynih: Neuer, Lahm, Martinez, Alaba, Bernat, Alonso, Vidal, Thiago, Costa, Coman, Lewandowski


11 by gentaa


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama