Magani Nuk do kete me afrime koha per largime

Magani: Nuk do ketë më afrime, koha për largime

Gugash Magani mbyll paraprakisht merka ton e Flamurtarit, të paktën atë në hyrje. Klubi vlonjat duket se nuk do të afrojë më lojtarë në këtë periudhë transferimesh. Të paktën kështu është shprehur për "Panorama Sport" vetë trajneri i kuqezinjve, i cili shkurtimisht ka sqaruar planin për skuadrën e tij.

gugash magani

Sipas teknikut, Flamurtari është plotësuar në çdo sektor, madje momentalisht organika mund të cilësohet edhe e "fryrë", derisa stafi teknik po planifikon spastrimet e radhës. "Besoj se nuk do të afrojmë më lojtarë. Kemi një grup të plotë dhe me shumë mundësi nuk do të marrim futbollistë të tjerë në këtë merkato vere. Mendoj se jemi të kompletuar në çdo repart", u shpreh numri një i pankinës vlonjate. Por kur tregu i shitblerjeve mbyllet në fund të muajit gusht, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë surprize në hyrje.

Largimet

Trajneri "stopon" merkaton në hyrje, por jo atë në dalje. Ai paralajmëron skarcime nga organika. "Do të ketë edhe largime. Do të mbajmë ata lojtarë, të cilët na bindën në këtë fazë që ne po zhvillojmë, ndaj do të ketë edhe ndonjë largim", sqaroi peqinasi. Danijel Dezmar ishte i pari që ikën, por jo i fundit. Slloveni nuk i ka bindur dhe stafi teknik e mori vendimin për ta nxjerrë nga lista fill pas afrimit të qendërmbrojtësit Toni Markiç. Por burimet thonë se largimet do të vijojnë, pasi ka edhe të tjerë, të cilët nuk janë në nivelin e pritshëm. Pritet që të ketë maksimumi edhe dy lojtarë të tjerë, të cilët nuk do të jenë më nën urdhrat e stafit teknik, megjithatë emrat mbeten që të zbardhen në vazhdim.

flamurtari stervitje

Të huajt

Nuk përjashtohet mundësia që largimet të jenë mes Danilo Alvesh, Tomislav Bushiç, Balsa Radoviç, Masakai Linuma apo Milos Rnic. Drejtuesit e klubit dhe stafit teknik kanë konfirmuar se të gjithë lojtarët janë në vëzhgim. Rregulli i FSHF-së lejon vetëm 4 të huaj në fushë dhe ky fakt ndoshta mund të ndikojë që "spastrimet" të prekin pikërisht të huajt. Megjithatë, vetë trajneri, kur pyetet nëse e shqetëson kufizimi i numrit të të huajve, thekson: "Jo, nuk përbën problem kjo gjë".

ERMAL SIKA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama