Lypsi plak (Gjyshi plak)

Po del nga shpella ku e ka hedhur fati,
I mjeri plak i krusur nga mundimet,
I dridhen mjekra, këmbët, gjithë shtati,
Skalitur ka në ballë hidhërimet.
Ja, fill i vetëm udhën merr nga fshati
I urtë, i shëmtuar nga mjerimet.
Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
Shiu me breshër bie e ka dëborë.
Udhës mendon kur ishte si të tjerët:
Me bukë, me kasoll’ e dashuri
Dhe psherëtiu: Oh! S’paska për të mjerët
Në këtë botë vallë Perëndi?
Po ndjen në lukth një posi të prerët
Edhe hedh këmbët plaku me fuqi.
Torbën në krahë, shkopin mban në dorë.
Në një kasolle afër sheh një zjarr,
I ngrohet plakut shpirti si një varr,
Dhe drejt kasolles niset me të katra
Gëzohet edhe qesh edhe makar
Udhës kërcen e hidhet shatra-patra.
Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
Shiu me breshër bie e ka dëborë.
I valon gjaku plakut edhe shikon
Përpara gjithnjë duke çaluar.
Po te dera një djepe ç’e shikon.
I dridhen buzët; buzët duke ngashëryer,
Një gur atëhere këmbët i pengon
Edhe përmbys atje mbetet harruar.
Torbën me krahë, shkopin mban me dorë,
Shiu me breshër bie, e ka dëborë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama