Luftetari klubi premton edhe tri goditje big

Luftëtari, klubi premton edhe tri goditje big

Përgatitjet e Luftëtarit në Nausa të Verias priten të mbyllen me ndeshjen e parë miqësore që gjirokastritët do të luajnë në Korfuz nesër ndaj vendësve.

Çast nga stërvitja e Luftëtarit në Greqi

Çast nga stërvitja e Luftëtarit në Greqi

Luftëtarit, në prag të takimit miqësor në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik 2016- 2017, do t'i duhet që të masë forcën e tij përballë një kundërshtari jo të lehtë për t'u mposhtur.

Vendësit e Korfuzit më herët janë përballur me vlonjatët e drejtuar nga Gugash Magani, teksa kanë fituar bindshëm 4-1, çka do të thotë se për të besuarit e dyshes Milinkovic-Papa, kjo përballje, edhe pse miqësore, nuk do të jetë aspak e lehtë.

Qëllimi i kësaj ndeshjeje testuese nuk është vetëm rezultati, por evidentimi i punës së nisur nga stafi teknik prej 11 korrikut. Pavarësisht përqendrimit të stafit teknik te ndeshja e nesërme, një tjetër objektiv primar për stafin teknik është ai i formatimit të ekipit ideal me të cilin Luftëtari do të prezantohet në "sofrën" e Superiores.

Parë në këtë këndvështrim, drejtuesit bluzinj duket se kanë arritur akordin me një lojtar portugez, ndërkohë që janë në pritje të dy-tre futbollistëve të tjerë.

Ndërkohë që Luftëtari është në pritje të zhvillimit të takimit miqësor, drejtuesit kanë përgatitur një tjetër përballje miqësore po me vendësit e Korfuzit, por në rang grupmoshash.

Nga sa mësohet për gazetën "Panorama Sport", krerët e klubit prej dy ditësh janë duke përgatitur dokumentacionin e duhur për finalizimin e takimit mes 19- vjeçarëve të Luftëtarit dhe atyre të Korfuzit.

Ky takim do të luhet nesër, në orën 17:00, ndërkohë që në orën 19:00, ekipi i parë i Luftëtarit do të zbresë në fushën e blertë ndaj vendësve të Korfuzit.

Tomor Shehu



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama