Luan Bexheti nje tjeter aktor shqiptar drejt Hollivudit

Luan Bexheti, një tjetër aktor shqiptar drejt Hollivudit
Luan Bexheti, pas disa aktrimeve të suksesshme dhe realizmit të disa filmave, vjen në teatrin e quajtur "Gotham Comedy Club", i cili ndodhet në adresën “208 W.23rd street” mes “7th dhe 8th Ave në Manhatan”. Bexheti thotë se kënaqësinë më të madhe si në aktrim, edhe në produksionin e filmave e ndien kur ndiqet me vëmendje, sidomos prej shqiptarëve. Kulmi i deritashëm i karrierës së Bexhetit mund të quhet pjesëmarrja në shfaqjen televizive “Majkëll Mur live” të regjisorit Majkëll Mur, i cili vitin që shkoi fitoi çmimin e parë të Kanës me filmin dokumentar kushtuar ngjarjeve të 11 shtatorit në Amerikë, “Farenhajt 9/11”.

Luan Bexheti ka lindur në Odri afër Tetovës, në Maqedoni, më 11 gusht 1972. Në moshën katërvjeçare familja e tij largohet drejt Norvegjisë, ku aktori shqiptar shkon çdo vit me pushime. Ndërsa pushimet verore Luani i kalon në Tetovë, ose në ishujt Karaibe.
Ai jeton në Nju-Jork që nga viti 1995, ku dhe ka kryer studimet në institutin e njohur të teatrit "Lee Strasberg". Para disa vitesh është përfshirë në librin “Actors handbook”, për metodën e Stanisllavskit “The Method”, të cilën e ka studiuar në Lee Strasberg Institute. Karriera e tij artistike si aktor evidentohet në mjaft filma shqiptarë e të huaj. Aktori është bërë i njohur te filmi "Maree", një prodhim shqiptaro-italian i regjisorit italian Xhejms Pellerito. Ky film ka marrë vlerësimet maksimale gjatë viteve 2003-2004, duke fituar çmim në Festivalin e Nju-Orleansit, në Festivalin e Tiburonit, me çmimin “Federico Fellini", në Festivalin në Los Anxhelos, ndërsa në Festivalin e Filmit Amerikan është shpallur filmi më i mirë me metrazh të shkurtër. Ndoshta një prej “perlave” të Luan Bexhetit është edhe interpretimi i tij në filmin dokumentar të suksesshëm “The Cadillac Man”, ku Luani vjen në rolin e producentit. Protagonisti i kësaj historie është personazh real. Bëhet fjalë për një prej afro 500 000 veteranëve të luftës që jetonjë rrugëve të SHBA-ve.

Cadillac man e ka marrë emrin prej disa makinave që e kanë shtypur herë pas here në rrugët e Nju-Jorkut dhe që janë çuditërisht të gjitha të tipit “Cadillac”. Teksa kthehej nga Majemi në Nju-Jork me avion, Luani lexoi në revistën e njohur amerikane “Esquire” historinë e këtij njeriu dhe i propozoi mikut të vet, regjisorit Majkëll Regan, që ta takonin personin dhe të bënin për të një film dokumentar. “Cadillac man” është me famë në Amerikë dhe shumë gazeta e revista kanë shkruar për të, por ky është i pari dhe i vetmi film dokumentar që i kanë kushtuar. "Cadillac Man", kështu quhet një i pastrehë që jeton poshtë një ure treni në një lagje të qytetit të Nju-Jorkut për afro 12 vjet. Ndryshe nga të pastrehët e tjerë, 55-vjeçari, veteran i luftës në Vietnam, tërhoqi vëmendjen e shumë revistave dhe gazetave të njohura si “Esquire” apo “Nju Jork Times”, me ditarin e rregullt që ai ka mbajtur rreth jetës në rrugë. Këtu e morën pikënisjen edhe regjisori Majkëll Regan me producentin Luan Bexheti për të bërë një dokumentar.

Dokumentari i Bexhetit ka konkurruar në disa festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe e ka bërë emër të njohur aktorin e regjisorin shqiptar nga Tetova. Luan Bexheti është i vetmi aktor shqiptar që është përfshirë në antologjinë për aktorë “Actor`s Handbook”, shkruar nga Sherry Eaker. “Ndihem krenar, i lumtur dhe nuk më besohet se një intervistë që dhashë për gazetën ‘Backstage’ do të botohej në librin ‘Actor’s Handbook’”, -shprehet Bexheti. Në faqen 321 të këtij libri ai jep një këshillë për të gjithë ata që duan të bëhen aktorë, duke rrëfyer përjetimet vetjake etj. Shkak për t‘u bërë pjesë e “Actor‘s Handbook” u bë regjisori Elias Stimaç, me të cilin Bexheti ka bashkëpunuar në disa projekte teatrale. Ky është një libër të cilin e lexojnë me kërshëri jo vetëm pjesa më e madhe e atyre që aspirojnë për t‘u bërë aktorë në të ardhmen, por edhe vetë aktorët e afirmuar dhe të njohur tashmë në skenat dhe ekranet botërore. Pas Sten Dragotit, vëllezërve Belushi dhe Elisa Dushkut, një tjetër shqiptar hyn bindshëm në Hollivud. “Shpresoj se do ta arrij qëllimin të bëhem një nga aktorët më të mëdhenj dhe të paguar në Amerikë”, -thotë Bexheti. Na rrëfen se Sten Dragotin e ka mik të afërm, takohen dhe bisedojnë shpesh së bashku për projekte filmash, madje aktualisht Dragoti po punon me idenë për të xhiruar një film ku ndoshta gjen një rol edhe për Luanin. “Edhe Xhejms Belushin e kam takuar, por me të nuk kam atë lidhje, atë marrëdhënie që do të doja të kisha. Është tip paksa i ftohtë”, - tregon Bexheti. Megjithatë, shqiptarë ose jo, këta janë më së shumti artistë të Hollivudit, sepse sipas dëshmisë së Luanit: “Nuk është e thënë që të jetosh patjetër në Hollivud për të qenë pjesë e tij”.

Nga Nju-Jorku, Beqir SINA : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama