Loro Borici ende asnje akord mes Vllaznise dhe FSHF-se

Loro Boriçi, ende asnjë akord mes Vllaznisë dhe FSHF-së

Në një kohë që stafi teknik po përgatit ekipin për startin e sezonit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për drejtuesit e klubit. Këta të fundit kanë mbetur pezull, ndaj kur jemi vetëm 4 ditë larg nisjes së kampionatit, ata nuk kanë nisur nga "A"-ja për organizimin e javës së parë. Dhe kjo jo për neglizhencë, por për një tjetër motiv.

loro borici

Sikundër edhe dihet, stadiumi i saporikonstruktuar "Loro Boriçi" do të menaxhohet prej vetë FSHF-ja deri në muajin nëntor. Në një kohë që "qeveria" e futbollit është e përqendruar te Shqipëri-Maqedoni, përgatitjet për javën e parë të Kategorisë Superiore kanë "ngrirë". Biletat - Vllaznia do të zbresë për të parën herë në "Loro Boriçi" mesjavën e ardhshme.

Kishte pak dyshime nëse ndeshja me Kukësin do të luhej më datë 7 apo 8 shtator, megjithatë FSHF-ja ka përcaktuar zyrtarisht kalendarin, ndaj ndeshja do të luhet të mërkurën. Axhenda është gati, ndërsa në orën 19:00 Vllaznia-Kukësi do të masin forcat për përballjen e parë këtij dueli. Interesimi është realisht i madh, pasi tifozët janë kuriozë për të parë prezantimin e parë sezonal të ekipit të zemrës në stadiumin e ri.

loro borici

Megjithatë kur dita e startit po afron, ka shumë paqartësi që duhet të marrin zgjidhje. Pikësëpari ende nuk janë përcaktuar çmimet e biletave dhe së dyti ende nuk dihet se kur do të dalin në shitje ato. Në pamje të parë nuk duket ndonjë shqetësim i madh, pasi mund të dalin që të hënën. Por ngërçi është tjetërkund dhe lidhet ngushtë me menaxhimin e stadiumit. Ende nuk dihet nëse do të merret federata me organizimin e Vllaznia-Kukësi, apo do i delegohet klubit një gjë e tillë.

Vetë Vllaznia dhe drejtuesit e saj janë në "ajër". Ata nuk dinë se si do të veprohet në startin e këtij kampionati. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë një marrëveshje dypalëshe, pra mes klubit dhe FSHF-së, gjithsesi kjo mbetet për t'u zgjidhur. Ndoshta data 5 shtator, ditë që përkon edhe me ndeshjen Shqipëri-Maqedoni, mund të sjellë edhe zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke qenë se të gjithë zyrtarët e federatës do të zbarkojnë në Shkodër.

A.Uruçi



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama