Loja e dyfishte e yjeve

Loja e dyfishtë e yjeve
"Nëse në një film vendos të kesh përballë njëri-tjetrit dy emra të mëdhenj të kinematografisë, është shumë më mirë se sa një emër i vetëm. Këto ‘duele‘ janë gjithmonë më frutdhënëse. Kur ke përballë njëri-tjetrit Robert de Niron dhe Al Paçinon, askush nuk mund të dyshojë në suksesin e filmit, madje mund të them se suksesi është i garantuar. Prandaj edhe regjisorët tanimë preferojnë këtë model: dy ose më shumë emra të mëdhenj përballë njëri-tjetrit", tregon regjisori Woody Allen. Në fakt, Alen në filmin e tij të fundit "Midnight in Barcelona" ka vendosur përkrah njëra-tjetrës dy emra të mëdhenj, si Penelope Cruz dhe Scarlet Johansson. "Janë dy aktore të mëdha dhe për këtë arsye besoj se në tetor filmi do të pritet shumë mirë", përfundon ai. Edhe regjisori Oliver Stone ndan të njëjtin mendim me kolegun e tij. "Më shumë yje në film, më shumë sukses".

Ja "duelet" më interesante të filmave që priten të shfaqen në ekran këtë vjeshtë.

Clooney-Pitt

George Clooney dhe Brad Pitt bëjnë garë për të shkatërruar imazhin e tyre "glamour" në filmin "Burn after reading", me regji të Joel dhe Ethan Coen. Pas çmimit "Oskar" për "No country for old men", vëllezërit Coen kësaj radhe i kanë kthyer sytë drejt komedisë. Në film, një ish-agjent i CIA-s (John Malkovich) humbet kujtimet që po shkruante dhe kërcënohet nga pronarët e një palestre, që i kërkojnë një shumë marramendëse për t‘ia rikthyer.

Garcia-Frazer

I keq sa më s‘ka në "The air I breath", Andy Garcia është bosi i rrezikshëm Fingers. Brendan Frazer është Kënaqësia, një prej katër elementëve, që sipas një proverbi të vjetër kinez përbën jetën, bashkë me Lumturinë (Forrest Whitaker), Dhimbjen (Sarah Michelle Gellar) dhe Dashurinë (Kevin Bacon). Katër elementë dhe katër histori interesante, që do të nisin "aventurën" më 5 shtator në kinema.

Cruz-Johansson

Penelope, një femër sensuale kundër Scarlett, shakaxheshës. Muza e Pedro-s kundër asaj të Woody-t. "Midnight in Barcelona" është titulli i filmit, premiera e të cilit pritet të shfaqet në tetor. Këtë komedi Allen e ka xhiruar në Spanjë, ku tri gra, Cruz, Johansson dhe Rebecca Hall janë të dashuruara me piktorin joshës Xavier Bardem, që nuk i lë situatat t‘i shpëtojnë nga dora. Scarlett, një turiste amerikane, përfundon pa dashur në krahët e piktorit, ndërkohë që të njëjtën gjë bën edhe Penelope, ish e dashura e tij dhe në fund "gjahu" i ri, Rebecca Hall.

Ryan-Bening

Meg Ryan dhe Annette Bening ndajnë së bashku skenat e komedisë "The Women" të regjisores Diane English. Aty, gra të shtresave të larta shoqërore e kalojnë kohën mes thashethemeve, salloneve të bukurisë, sfilatave të modës dhe krizat martesore që përjetojnë në jetë. Përveç tyre, nuk duhet harruar edhe prezenca e Eva Mendes-it.

Seyfried-Streep

Për të gjithë ata që janë të çmendur pas grupit "Abba", për ata që ëndërrojnë "Broadway"-n, por mbi të gjitha për të gjithë ata që nuk e kanë parë kurrë "Mamma Mia!", në tetor vjen versioni kinematografik i këtij muzikali. Protagonistet? E mrekullueshmja Meryl Streep dhe bukuroshja Amanda Seyfried. Në film janë nënë e bijë. Për sa i përket babait, në prag të dasmës në Greqi të vajzës, çështja është e pasigurt: do të jetë Pierce Brosnan, Colin Firtyh apo Stellam Skarsgard?

Bellucci-Rappaport

Monica Bellucci dhe Xenia Rappaport kundër njëra-tjetrës në filmin "Burri që dashuron". Patjetër që do të jetë një film i mrekullueshëm, kur interpretojnë dy nga aktoret më të bukura në botë.

Caine-Moore

Titulli i filmit është "Goditje perfekte" dhe ylli në këtë përballje divash është padyshim e madhja dhe e parezistueshmja Demi Moore. E pushuar nga puna padrejtësisht, gruaja kërkon të hakmerret duke kërkuar miliona dollarë dëmshpërblim. Mes atmosferës drithëruese të viteve ‘70, regjisori Michael Radford ka ditur t‘i ndërthurë bukur gjërat. Në ekran, në fillim të nëntorit.

Basinger-Theron

Histori personazhesh interesante, ku Kim Basinger dhe Charlize Theron janë nënë e bijë në filmin "The burning Plain" të regjisorit meksikan Guillermo Arriaga.

Chaplin-Molina

Geraldine Chaplin dhe Angela Molina, dy yje protagoniste në filmin "Ditari i një nimfomani". Historia e filmit është marrë nga romani me të njëjtin titull i Valerie Tasso. Njëlloj si libri, edhe filmi tregon për aventurat seksuale të Val, një vajzë franceze 28-vjeçare nga klasa e mesme e shoqërisë, që si pa e kuptuar shkel në rrugën e prostitucionit.

Gedeck-Lara

Larg Hollivudit është dueli mes Marina Gedeck dhe Alexandra Maria Lara në filmin "Banda Baader Meinhof" të regjisorit Uli Edel. I bazuar në librin e Stefen Aust dhe filmin mbi historinë e RAF-it të Andreas Baader, Ulrike Meinhof e Gudrun Ensslin, flet për terroristët që përgjakën Gjermaninë në vitet ‘70. Në tetor pritet edhe premiera e tij.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama