Logjika e parase qe po shkaterron boten

'Logjika e parase qe po shkaterron boten'
Ai i kthehet të njëjtës temë, raportit të vështirë të dy shpirtrave të torturuar. Këtë herë personazhi kryesor është një ri që jeton nga fajdet dhe nuk nguron t’i gjymtojë të gjithë ata që nuk e paguajnë. Një grua troket në portën e tij. Ajo i tregon që është e ëma. Viktima është xhelat dhe xhelati viktimë. Dhunë, ulërima, mjerim, vrasje. Kim Ki Duk përsërit veten. Është i lodhshëm.

Ky është një këndvështrim i kritikës franceze ndërkohë që kritika italiane parashikonte që filmi i 18-të i Kim Ki Duk-ut do të fitonte Festivalin e Venecias (29 gusht-8 shtator). Dhe ashtu ndodhi. “Mëshirë” i regjisorit korean është fitues i Luanit të Artë në edicionin e 69-të të Festivalit. Një lloj parabole për të mirën dhe të keqen, me një manifest që rikujton “Pietà”-n e Mikelanxhelos, një goditje e fortë për sistemin kapitalist, një sistem në krizë në të gjithë botën ku paraja po dominon raportet sociale. “Në ditët e sotme ShBA, Europa, edhe vendi im po kalojnë kriza të vështira për shkak të debitit të madh publik dhe individual. Duke kaluar nga një kapitalizëm racional në një kapitalizëm ekstrem i është dhënë shumë rëndësi parasë dhe suksesit dhe tani jemi ngjeshur të gjithë në një qoshk. Për shkak të parasë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve nuk bazohen më te besimi dhe dashuria, por te mllefi, urrejtja dhe hakmarrja. Së jashtmi gjithçka duket e paqtë, por buzëqeshjet e njerëzve janë gjithë hipokrizi. Edhe në kinema filmat vlerësohen për sa fitojnë nga shitja, duke krijuar te profesionistët e fushës një sërë kompleksesh”.

Kim Ki Duk pranon që te “Mëshirë” kanë ndikuar elementet autobiografike, fakti që ka punuar në fabrikë që i ri. Te ky film fabrika që shërben si sfond është e njëjta ku ka regjisori ka punuar nga mosha 16 deri 21 vjeç. Atje ku lindi bumi korean i informatikës, e ku sot çmimi i tokës është rritur në mënyrë marramendëse, “prandaj lagje të tilla nuk mund të ekzistojnë më në Kore”. “Unë doja të fiksoja në ekran, para se të zhdukej gjithçka”, tregon regjisori 51-vjeçar. “Në të një hapësirë të tillë zë fill e gjitha: protagonistët janë ai automatë, lëvizin si pa kujtesë. Nëse të gjitha këto ndërtesa do të zhduken për t’u zëvendësuar nga grataçelat, do të jetë njëlloj sikur të mohojmë pastërtinë e të kaluarës sonë, për t’ia lënë vendin imazhit të sotëm të vetes sonë, të konsumuar nga kapitalizmi.”

Protagonisti Kang-do (Lee Jung-jin) është konsumuar nga vetmia që e rrethon, jeta e tij dashurore është keq e më keq, mezi mbush barkun me bukë, keqtrajton njerëz dhe del nga shtëpia vetëm për të mbledhur borxhet për shefin e tij, dhe përfundon duke keqtrajtuar viktimat. Jeta e tij është e sheshtë, e ftohtë, groteske dhe në rutinën e tij duket se nuk ka rrugëdalje, të paktën deri në momentin kur një grua misterioze (Jo Min-soo) troket në derën e tij dhe fillon ta ndjekë gjithkund. Është e ëma që e ka braktisur për tridhjetë vjet? Përse bëhet tani e gjallë? Kang-do në fillim i tërbuar e vë në provë dhe dashurohet me këtë grua: më në fund dikush po kujdeset për të. Monstra ia lë vendin fëmijës së zhgënjyer e të braktisur që Kang-do ka brenda vetes.

Simbologjia religjioze është shumë e fortë, dhe imazhi i afishes së “Mëshirës” të çon te Mikelanxhelo. Kim Ki Duk ka treguar gjatë këtyre ditëve në Venecia ku filmi i tij pati premierën botërore, se në vitet nëntëdhjetë, kur akoma nuk ishte bërë regjisor, kishte udhëtuar në Itali, dhe gjatë një vizite në Vatikan ishte ndaluar para “Pietà”-së Mikelanaxhelos. “Ai imazh i Marisë që përqafon duke qarë të birin Jezus, më bëri të kuptoj se njerëzimi nuk mund t’i shpëtojë fatit të tij të ardhshëm, fat i gatuar nga dhimbja dhe vuajtja. Sot që jam regjisor dëshiroj të shpreh në filmat e mi atë dhimbje të thellë të njerëzimit që ndjeva para ‘Mëshirës’. Në rolin e regjisorit dëshiroj t’i bëj vetes po edhe spektatorëve pyetjen  ku po shkojmë, ç’është njeriu, ç’është jeta. I mendoj filmat e mi si profeci. Jeton në këtë botë dhe ndjen tmerre e frikëra. Nëpërmjet filmave të mi unë shtroj pyetje për natyrën e frikërave dhe tmerreve të tilla.”

Ndërsa merrte Luanin e Artë Kim Ki-duk falënderon: “Kam ardhur katër herë në Venecia, festival që më ka hapur dyert në Evropë. Shpresoj që ky film të sjellë pak më shumë vëmendje ndaj kinemasë sime në vendin tim.”

Juria e kryesuar nga Michael Mann vlerësoi “Mjeshtri” i Paul Thomas Anderson me Luanin e Argjendtë dhe dy protagonistët e tij, aktorët e shkëlqyer amerikanë Philip Seymour Hoffman dhe Joaquin Phoenix me Kupën Volpi për interpretimin më të mirë. Aktorja më e mirë Hadas Yaron për interpretimin në filmin “Të mbushësh zbrazëtinë” i regjisores izraeliane Rama Burshtein. Fotografia më e mirë u vlerësua e Daniele Ciprì-t. Çmimi “Mastroianni” për talentin e ri, aktorin Fabrizio Falco. Çmimi special i jurisë për “Parajsa: Premtimi” i Ulrich Seidl. Për skenarin më të mirë u vlerësuar “Pas majit” i Olivier Assayas.

Zhgënjim për kinemanë italiane që këtë vit shpresonte shumë, së paku me “Bella addormentata” të Marco Bellocchio-s.

Një fill i lidh Luanin e Artë, Luanin e Argjendtë dhe Çmimin Special të Jurisë: janë që të tre refleksione për shpirtëroren, për ndjenjën e besimit. “Pietà”, me raportin nënë-bir, me gjithë dhunën dhe hakmarrjen që e përshkon i referohet qartë ikonografisë së Madonës me Krishtin si në veprën skulpturore të Mikelanxhelos; “Mjeshtri” trajton marrëdhënien mësues-nxënës në një sekt amerikan; “Parajsa: Premtimi” ka protagoniste një grua të obsesionuar nga katolicizmi dhe Krishti. Edhe kjo koincidencë e trefishtë mund të lexohet si një simptomë e kohëve të vështira që po kalojmë.

Jeta


“Isha një monstër që u rrita nga kompleksi i inferioritetit”

Kim Ki-duk e nisi rrugën e kinemasë si autodidakt. Pra nuk ka bërë shkollë kinemaje, por filozofinë e tij për jetën ai e ktheu në poezi vizuale.

U lind në Bonghwa më 1960 dhe u rrit në një mjedis të vështirë ekonomik. 9-vjeçar shkon familjarisht në Seul. Njëherë ai pat thënë për veten se ka qenë “një monstër që u rrit me kompleksin e inferioritetit” që do ta mësonte artin në mënyrë autodidakte. Deri në moshën 20-vjeçare kur hyri në marinë ai punoi në fabrikat e Seulit në zonën industriale.

Pastaj u largua për në Paris. Vizatonte portrete në rrugë për të nxjerrë jetesën. Ishte 32 vjeç kur pa për herë të parë film në jetën e tij, në Francë: filmin hollividuan “The Silence of the Lambs” (1991) dhe filmin francez “Les Amants du Pont-Neuf” (1988). Këtu jeta e tij ndërron. Kthehet në Korenë e Jugut dhe nis të shkruajë skenarë. Më 1995 skenari i tij "Jaywalking" fiton në konkursin Korean Film Commission. Debutimi i tij në kinema është filmi me buxhet të ulët “Crocodile” (1996).

 “Birdcage Inn” (1998) shfaqet në Berlinale, “The Isle” (1999) hyn në Venecia. Në këto festivale shfaqen në vazhdim dhe tërheqin vëmendjen “Address Unknown”, “Bad Guy”, “Spring, Summer, Fall, Winter... and Spring” (2003).

Më 2004 merr Silver Bear Award në Berlin dhe vlerësohet në Venecia për regjinë më të mirë me “3-Iron”. E me radhë “The Bow”, “Breath” dhe “Dream” (2008). Filmat e tij paraqesin personazhe tipikë nga shtresa e ulët e shoqërisë, dhunë ekstreme, abuzim seksual dhe imazhe shokuese që janë komentuar nga kritika. Qëndron pak kohë larg skenës dhe kthehet në Festivalin e Kanës me “Arirang” (2011), një autoportret ku shpjegon mungesën e tij në sheshxhirim dhe merr çmimin “Un Certain Regard.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama