Trajneri i Kukësit, Hasan Lika, flet me bindje për kualifikim kundër Austrisë së Vjenës. Në një intervistë për "Panorama Sport", ai jep argumentet e tij pse beson te kalimi i turit, në një kohë që i kthehet edhe një herë takimit të humbur në Vjenë me rezultatin 1-0. Sipas tij, skuadra i ka të gjitha mundësitë për të eliminuar austriakët, për të cilët Lika pranon se Kukësi i ka vlerësuar më shumë sesa duhet.
Zoti Lika, tashmë kanë kaluar disa ditë nga ndeshja e parë. Nëse i kthehemi edhe një herë, ku mendoni se gabuat më shumë?
Mendoj se që në minutat e para u treguam të dobët, ndoshta nga emocionet, por edhe nga mbivlerësimi që i kishim bërë kundërshtarit. Sigurisht që ishte një ndeshje e vështirë, por pas minutës së 30-të ne e morëm veten dhe filluan ta interpretonim lojën ashtu siç duhej. Dy faktorët që ndikuan në këtë humbje ishte emocionet dhe mbivlerësimi.
Cili ishte sekreti i atij ndryshimi në pjesën e dytë?
Ne bëmë disa ndryshime të natyrës taktike dhe teknike. Spostova Kariokën, duke qenë më pranë sulmit. Pastaj skuadra filloi ta shpërndajë lojën dhe kjo ishte një nga arsyet pse e morëm veten.
Tashmë që e njihni më mirë kundërshtarin, si e prisni ndeshjen e kthimit, mendoni se mund të përmbysni rezultatin?
Natyrisht që do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne i njohim më mirë pas sfidës së parë, por edhe ata na njohin më mirë. E rëndësishme është që ne të bëjmë lojën tonë. Ndeshja e parë na jep të drejtë të mendojmë që do t'ia dalim. Luajmë për kualifikim në këtë takim dhe do të tentojmë gjithçka. Na duhet që të jemi më të qetë, ta kemi nën kontroll situatën, ashtu siç bëmë pas minutës së 30-të në Vjenë. Me përmirësimin e gjithë këtyre elementëve që i konstatuam nga ndeshja e parë, natyrisht që pretendimet dhe pritshmëritë tona janë të mëdha.
Si është atmosfera në skuadër, a ka besim për kualifikimin?
Atmosfera është e mirë. Dëshira dhe besimi është i madh për ta kaluar këtë takim, por natyrisht që kjo ndeshje ka edhe vështirësitë e veta. Gjithsesi, ne kemi bindje se do ta kalojmë turin.
Çfarë të shqetëson më shumë në prag të kësaj ndeshjeje?
Asgjë. Për fat të mirë nuk kemi mungesa.
Fakti që ju duhet të shënoni dy gola patjetër për të kaluar turin, mos ndoshta e vendos skuadrën në një presion të madh, që mund të ndikojë psikologjikisht në fushë?
Skuadra do të japë maksimumin në fushë dhe rëndësi ka që të luajmë mirë. Na nevojitet shënimi i një goli dhe mospësimi i tij. Nëse do të arrijmë të bëjmë volum loje, të luajmë me shpirt, atëherë edhe rezultati nuk do mungojë. Kam bindje se dhe pse është e vështirë, ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar turin.
Nga ju buron kjo bindje?
Humbja me rezultat minimal atje, loja jonë e mirë dhe në rritje, si dhe rastet që krijuam, më shtojnë bindjen dhe besimin se ne kemi shanse për t'u kualifikuar.
Ju vjen keq për mënyrën sesi pësuat në Vjenë, teksa gjithçka erdhi pas një gabimi në mesfushë?
Ne po punojmë çdo ditë për të mos bërë më gabime të tilla. Nuk duhet të na ndodhin në këtë takim, pasi është mjaft i rëndësishëm për ne. Kundërshtari do përdorë çdo mënyrë për të na goditur, kundërsulmin dhe elementë të tjerë në lojë, e njëjta gjë vlen edhe për ne. Po përgatitemi për t'u bërë ballë austriakëve në të gjitha aspektet.
Është e mjaftueshme një javë kohë për ta përgatitur një ndeshje të tillë?
Edhe dy ditë na ka mbetur për t'u stërvitur, kështu që shpresojmë që çdo gjë të shkojë sipas parashikimeve. Nuk duhet të kemi dëmtime, në një kohë që na duhet shumë fat në ndeshje.
Rikthimi i tifozërisë, jua ka shtuar besimin?
Pa dyshim që tifozët tanë janë të mrekullueshëm dhe shpresoj që të jenë sa më të shumtë në stadium për të na mbështetur. Besoj që ky fakt është plus i madh për skuadrën. Futbolli luhet për tifozët.
SKERDILAID SULOZEQI